Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sot pritet të rinisin diskutimet për çështjen e presidentit

kuvendi

Foto: Driton Paçarada

Sot pritet të rinisin diskutimet ndërmjet kryeministrit Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për zgjidhjen e çështjes së presidentit.

Deputeti i LDK-së, Besjan Mustafa, ka njoftuar se Kurti e Abdixhiku do të takohen në hapësirat e Kuvendit të Kosovës nga ora 11:00.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Paralajmërimet se Kurti nga e hëna do t’i rinisë takimet me kryetarët e partive opozitare për çështjen e presidentit, të dielën gjatë homazheve për masakrën e Rezallës, ka refuzuar t’i komentojë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke thënë se nuk është vendi të flitet për të tilla tema.
Ndërsa, analisti Artan Muhaxhiri, ka vlerësuar se një zgjidhje për presidentin mund të vijë vetëm pas një cikli të ri zgjedhor.

“Opsioni i vetëm realist është shkuarja në zgjedhje pasi mund të bëhen takime formale me përfaqësues të opozitës por në esencë nuk ka asnjë mundësi, asnjë hapësirë për të gjetur ndonjë bashkëpunim me ta sepse do të ishte absurde që opozita ta votonte një kandidaturë të pushtetit nën këto kushte dominuese të zotëri Kurtit”, ka thënë ai.

Muhaxhiri ka komentuar edhe mundësinë që tashmë ish-presidentja Osmani të përfshihet në strukturat e Lidhjes Demokratike.

“Nuk besoj që zonja Osmani do ta dëmtoj aq shumë zotin Kurti sa mund t’i ndihmojnë PDK-ja dhe LDK-ja me neglizhencën e tyre, me mungesën e ideve, pasi po e shohin vazhdimisht që nuk kanë asnjë plan se si ti kundërvihen popullzimit të zotëri Kurtit dhe ta mobilizojnë elektoratin për ta bërë ndonjë ndryshim eventual institucional”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Gjatë muajit të fundit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur për bashkimin e së djathtës nën udhëheqjen e partisë që udhëheq dhe e ka cilësuar përfshirjen e Osmanit në këtë bashkim si të dobishme për vendin.

Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Vetëvendosje ka 66 deputetë, 14 më pak se numri minimal i ligjvënësve që kërkohen për të votuar në dy rundet e para për ta zgjedhur presidentin.

Partive politike u ka mbetur kohë deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri, afat që është caktuar nga Gjykata Kushtetuese, në të kundërt, vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve.