Për herë të 35-të ka dështuar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Ngërçi vazhdon të mbetet te pika për formimin e një komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Seanca e radhës do të mbahet të hënën në ora 11:00.
Basha: Të gjithë kemi përgjegjësi për Kuvendin, por vetëm LVV-ja po voton
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar pas dështimit të 35-të me radhë për konstituimin e Kuvendit, duke akuzuar opozitën për mosangazhim dhe obstruksion të qëllimshëm në këtë proces.
“Në mëngjes, ne deputetët e LVV-së e kemi ditur se do të vijmë të votojmë. Deputetët e opozitës nuk e dinë pse kanë ardhur – sepse nuk kanë votuar. Janë zgjuar, janë veshur, kanë ardhur në Kuvend dhe janë kthyer në shtëpi pa lënë asnjë shenjë të angazhimit”, ka thënë Basha.
Sipas Bashës, deputetët e opozitës po e bojkotojnë konstituimin e Kuvendit, duke penguar formimin e institucioneve dhe duke shpërfillur përgjegjësinë që kanë ndaj votuesve.
“Jemi përgjegjës të gjithë për konstituimin e Kuvendit, meqenëse jemi të gjithë hisedarë. Por të gjithë deputetët e LVV-së po votojnë ‘për’. Kjo është puna jonë. Po të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe deputetët e opozitës”, theksoi ai.
Basha shtoi se vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të matet në mënyrë legjitime se kush i ka numrat për të formuar qeverinë, duke nënkuptuar se bllokimi aktual nuk është rezultat i mungesës së shumicës, por i mungesës së vullnetit politik nga opozita.
Kadrijaj: Ky stagnim e ka emrin Albin Kurti dhe LVV
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se nuk po e shohin angazhimin e Lëvizjes Vetëvendosje për tejkalimin e bllokadës në Kuvend. Ajo ka thënë se LVV-ja po abuzon me të drejtën që i është dhënë si parti e parë e dalë nga zgjedhjet.
Kadrijaj ka shtuar se për shkak të qasjes së qeverisë së Albin Kurtit Kosova nuk po përfiton as nga Plani i Rritjes.
“Bota nuk sillet rreth Albin Kurtit, po shihni situata gjeopolitike dhe nuk po shohim as interesim të ambasadorëve për të ardhur t’i përcjellin këto seanca. Ky stagnim, mospërfitimi nga fondet e BE-së e ka emrin Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë ajo.
Mustafa: Krizat politike, energjetike dhe ekonomike – rezultat i drejtpërdrejtë i Vetëvendosjes
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke e akuzuar për dështimin në formimin e institucioneve dhe përkeqësimin e gjendjes në sektorët kyç të vendit.
Në paraqitje për mediat pas dështimit të 35-të për konstituimin e Kuvendit, Mustafa ka thënë se partia që ka fituar shumicën në zgjedhje e ka përgjegjësinë e formimit të institucioneve.
“Partia që ka shumicën nuk arriti të sigurojë as sot votat e mjaftueshme. Konform Kushtetutës, partisë që del e para në zgjedhje i takon ekskluzivisht të nominojë kryetarin e Kuvendit dhe i takon përgjegjësia për të siguruar votat”, ka thënë ai.
Ai e cilësoi si fatkeqësi faktin që kanë kaluar muaj të tërë nga zgjedhjet, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka arritur të sigurojë shumicën për ndërtimin e institucioneve.
Duke folur për sektorin e energjisë, Mustafa theksoi se Kosova është në prag të një krize serioze për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese dhe varësisë në rritje nga importi
“Në rrethana normale prodhimi vendor është rreth 800 megavat, ndërsa për momentin kemi vetëm 110. Pjesa më e madhe po importohet. VV-ja ka kundërshtuar vazhdimisht ngritjen e kapaciteteve të reja energjetike, duke e lënë Kosovën në kushte të rënda të varësisë energjetike”, u shpreh Mustafa.
Ai shtoi se përfituesit kryesorë nga ky import energjie janë njerëz të afërt me Vetëvendosjen, duke aluduar në përzierje të interesave politike me ato ekonomike.
“Kriza politike, energjetike dhe ekonomike është rezultat kryekëput i veprimeve apo mosveprimeve të LVV-së”, përfundoi ai.
Çitaku: Kosova buzë kolapsit, egoja e Albin Kurtit më e madhe se shteti
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Citaku, e ka ripërsëritur thirrjen për Lëvizjen Vetëvendosje që t’i japë zgjidhje bllokadës në konstituimin e Kuvendit.
Ajo ka theksuar se Kosova është “buzë kolapsit” dhe dëmi nga moskonstituimi i institucioneve është i pariparueshëm.
"Për LVV, për Albin Kurti, pushteti është më i rëndësishëm se shteti. Egoja është më r madhe se Kosova, ambicia më e madhe se demokracia. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe presim nga VV që të reflektojë. Kosova është buzë kolapsit. Çdo ditë kemi lajme për dëmin e pariparueshëm që kjo situatë po i shkakton ekonomisë. Dje pamë lajme të frikshme për krizën buzë kolapsit në sektorin e energjisë", ka thënë ajo pas mbylljes së seancës konstituive.
S’ka konstituim të Kuvendit as pas përpjekjes së 35-të
Të shtunën ka dështuar përpjekja e 35-të për konstituimin e Kuvendit.
Ngërçi vazhdon të mbetet te pika për formimin e një komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Në sallë ishin 94 deputetë. 51 deputetë votuan pro formimit të këtij komisioni, ndërsa një ishte kundër.
Seanca e radhës do të mbahet të hënën në ora 11:00.
Limaj para seancës së 35-të: Është koha që qytetarët të shikojnë kujt po ia japin besimin
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar para seancës së 35-të të Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur sërish në përpjekje për konstituimin e institucioneve.
Në një deklaratë për media, Limaj u shpreh i shqetësuar për situatën politike në vend dhe dështimet e njëpasnjëshme për ndërtimin e institucioneve të reja, pavarësisht fitores së partive në zgjedhje.
“Kjo është e habitshme çka po ndodh. Me u zgjedh, me kërku me bo vendin më mirë, e me bë tërë atë fushatë, me garu kush është më patriot, e me ta dhënë populli besimin, e mos me qenë në gjendje me u ul grupet politike me ndërtu qeveri, parlament e institucione – në kohën kur bota është trazuar, në krizë ekonomike të madhe,” tha Limaj.
Ai theksoi se situata aktuale kërkon reflektim të thellë, jo vetëm nga politika, por edhe nga qytetarët.
“Në krejt këtë situatë, apeli im te qytetarët është: shikoni kujt po ia jepni besimin. Është koha me adresu përgjegjësinë,” theksoi ai.
Guri: Nomad nuk është opozita, por vetë Kurti që s’ka shtëpi në Kosovë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka thënë se nomad nuk është opozita, por vetë kryeministri në detyrë Albin Kurti që nuk ka shtëpi në Kosovë.
Gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit së pishinës gjysmolimpike në Podujevë më 19 qershor, Kurti i pati quajtur nomadë deputetët e opozitës, duke i fajësuar për moskonstituimin e Kuvendit.
Guri e ka quajtur këtë cilësim të papërshtatshëm dhe fyes.
“Nomadë janë ata që nuk kanë shtëpi, e i vetmi në Republikën e Kosovës që nuk ka shtëpi është Albin Kurti. Kështu që nomadë nuk është opozita, por është Albin Kurti, që nuk ka vend rezident ku jeton. Nuk e ka familjen këtu”, ka thënë ai para nisjes së seancës së 35-të konstituive.
Sipas tij, Kurti ka përdorur këtë epitet për opozitën duke u nisur nga vetja dhe jo nga realiteti politik.
“Është e padinjitetshme që përmes këtyre cilësimeve të tentohet të bëhet presion te vota e deputetëve”, shtoi ai.