Ka dështuar për të 20-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Edhe të premten nuk pati kuorum për të votuar komisionin për votim të fshehtë. Pro votuan vetëm 53 deputetë. Seanca e ardhshme është caktuar për të dielën me fillim prej orës 11:00. Në 11 përpjekjet e fundit seanca dështoi te pika e njëjtë – propozimi i kryesuesit Avni Dehari, që nga votimi i hapur të kalohet në atë të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Çitaku: Kosova po mbahet peng nga kryeneçësia e Albin Kurtit
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, pas dështimit të 20-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë dhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për bllokadën e krijuar në Kuvend.
Ajo ka theksuar se pengesat politike po e mbajnë vendin në ngërç dhe ka kërkuar reflektim nga liderët për të çuar përpara proceset demokratike në interes të qytetarëve.
“103 ditë të humbura për Kosovën, 103 ditë pa i adresuar hallet e qytetarëve të Kosovës. PDK-ja vazhdon të jetë konstruktive. Ne jemi të gatshëm çdo moment që të hapim rrugë, kemi ofruar alternativat tona. Mirëpo, Kosova po mbahet peng e kryeneçësisë së Albin Kurtit. Bëjmë ftesë për reflektim që të ecim tutje”, është shprehur Çitaku./ EO
Gërvalla kërkon reagim “racional” të deputetëve
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka kërkuar reagim “racional” nga deputetët e partive të tjera në Kuvend për votimin e kandidates për kryetare të Kuvendit.
Ajo ka thënë se beteja politike bëhet për qeverinë dhe jo tani.
“Kjo situatë është e papranueshme, që kërkon zgjidhje të menjëhershme por për të gjetur zgjidhje të menjëhershme kërkon reagim racional nga deputetët e opozitës që bllokojnë kuvendin dhe duke e bllokuar, bllokojnë edhe mundësinë e tyre për të shtruar kontrollin e Kuvendit mbi institucionet e pavarura të Kosovës. Bëj thirrje që kjo qasje bllokuese të ndalet sepse beteja politike bëhet për zgjedhjen e qeverisë,. Nuk bëhet për një temë që është e vetëkuptueshme”, ka thënë Gërvalla pas seancës që përfundoi me dështimin e përpjekjes së 20-të për konstituim.
S’ka konstituim as në tentimin e 20-të
Ka dështuar për të 20-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Edhe të premten nuk pati kuorum për të votuar komisionin për votim të fshehtë. Pro votuan vetëm 53 deputetë. Seanca e ardhshme është caktuar për të dielën me fillim prej orës 11:00.
Në 11 përpjekjet e fundit seanca dështoi te pika e njëjtë – propozimi i kryesuesit Avni Dehari, që nga votimi i hapur të kalohet në atë të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Të mërkurën, PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe dhe AAK-ja nuk propozuan anëtarë për komisionin për votim të fshehtë e as nuk morën pjesë në votim.
Haradinaj: Kemi shpresë që LVV-ja propozon kandidat unifikues
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë ripërsëritur që partia e tij do të mund të votonte ndonjë kandidat tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentar.
Ka permendur deputetet Shqipe Selimin e Saranda Bogujevcin, si dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Po mbajmë shpresë që do të propozohet një kandidat unifikues, ose një kandidate ... Do të japim votën për një kandidate që është unifikuese”, ka deklaruar Haradinaj, para nisjes së vazhdimit të 20-të të seancës konstituive.
Ai ka thënë se nuk e kanë diskutuar nëse do ta votonim kryetarin e Nismës Socialdemokrate Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit.
I pyetur për deklaratat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, se AAK-ja s’do ta kalonte pragun pa Nismën, Haradinaj ka thënë se as LVV-ja s’do ta kalonte pragun pa Alternativën e Listën Guxo.
“Sikurse e dini këto koalicionet janë për përfitime, mendoj që edhe Vetëvendosje, pa Listën Guxo dhe Alternativën nuk do ta kalonte pragun, pra kjo është e njëjtë”, është shprehur Haradinaj.
PDK-ja me qëndrim të njëjtë, Hasani: As Limajn nuk e votoj për kryeparlamentar
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka thënë se edhe për të 20-ën herë votimi do të jetë i njëjtë sa i përket kandidates së Vetëvendosjes për kryeparlamentare.
I pyetur se si e sheh fundin e krizën institucionale, ai është përgjigjur: “Le të vazhdojë seriali”.
“Do të votojmë njëjtë si herën e kaluar”, ka thënë ai.
Ndërsa, për diskutimet që rolin e kryeparlamentarit ta marrë kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, Hasani ka thënë se as atë nuk mund ta votojë për kryetar të Kuvendit.
Lushaku-Sadriu: LVV-ja s’ka lënë hapësirë për partneritet, preferojmë qeveri kalimtare me Abdixhikun kryeministër
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka lënë hapësirë për partneritet.
“Sot kemi përpjekjen e 20-të me radhë për ta konstituuar Kuvendin dhe kjo ka shfaqur një paaftësi të partisë fituese për ta siguruar shumicën në Kuvend. Dhe kjo tregon që partia fituese nuk ka lënë aspak vend për partneritet, partneritet përmbajtjesorë që do t’i siguronte Kosovës të mira”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu para nisjes së vazhdimit të 20-të të seancës konstituive.
Ajo ka theksuar se LDK-ja ka bërë propozimet për të dalë nga situata e krijuar. Sipas saj zgjidhja është nje qeveri kalimtare deri në zgjedhje.
Lushaku-Sadriu ka thënë se për qeveri kalimtare preferojnë që kryeministër të jetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Kemi garuar me program të qartë dhe në çfarëdo Qeverie synojmë që t’i realizojmë projektet tona”, ka theksuar Lushaku- Sadriu.