Arbëri

Smakiqi për vdekjen e 27-vjeçarit në Lipjan: Policët kryen vrasje

Xhevdet Smakiqi

Avokati Xhevdet Smakiqi e ka cilësuar vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, si vrasje të kryer nga zyrtarë policorë dhe jo si rast të “vrasjes nga pakujdesia”, siç është kualifikuar nga organet hetuese deri më tani.

“Ky nuk është rast i izoluar. Ka raste të tjera që nuk raportohen. Në vitin 2025 po shohim një degradim sistematik të profesionalizmit në Policinë e Kosovës – mungesë e aftësive, trajnimit dhe respektit për jetën e qytetarit”, deklaroi Smakiqi në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai ka thënë se pamjet që janë publikuar në media janë të qarta dhe, sipas tij, tregojnë se kemi të bëjmë me vepër penale të vrasjes, duke e krahasuar rastin me atë të George Floyd në SHBA.

“Policët shihen në mënyrë të koordinuar duke vendosur gjunjët dhe të gjithë trupin, mbi një trup të vetëm dhe nuk ka fuqi proporcionale t’i zmbrapsë pesë policë. Nuk kishte nevojë për tërë atë intensitet të forcës për ta arrestuar”, u shpreh Smakiqi.

Ai kritikoi ashpër edhe komunikatën e sotme të Policisë së Kosovës, duke e quajtur “manipulative” dhe të ndërtuar për të hequr përgjegjësinë nga vetja.

“Sipas Policisë, përdorimi i sprejit ka ndodhur kur viktima ishte ende në këmbë, por ne e dimë se pas përdorimit të sprejit ka vijuar edhe dhuna gjatë arrestimit. Policia po tenton të mbrojë vetveten, duke e mohuar rolin në vdekjen e 27-vjeçarit”, ka thënë ai, duke shtuar se një reagim zyrtar i drejtë do të duhej të vinte nga vetë Policia ose ministri i Brendshëm.

Sipas tij, rasti tregon arrogancë institucionale dhe mungesë përgjegjësie.

“Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, do duhej të kërkonte llogari nga zinxhiri komandues, të kishte dorëheqje dhe shkarkime. Të kërkonte që hetimi të jetë i pavarur dhe i shpejtë, dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar”, ka theksuar Smakiqi.

Agon Zejnullahu vdiq në orët e para të së hënës pak pas arrestimit nga Policia e Kosovës në Lipjan, me dyshimin se po sulmonte kalimtarë dhe automjete. Familjarët e tij thonë se ai humbi jetën si pasojë e dhunës policore gjatë arrestimit. Pesë zyrtarëve policorë është bërë kërkesë t’u caktohet masa e paraburgimit dhe po hetohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.