Nënkryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, do të paraqitet para gjykatës në shtator si i akuzuar për rastin e sulmit ndaj gazetarëve që ka ndodhur në Leposaviq në 2023-tën. Ai akuzohet se i nxiti protestuesit që t’i sulmonin gazetarët shqiptarë, që po raportonin për protestat në veri
Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka konfirmuar kohën kur do të organizohet seanca në procesin gjyqësor ndaj deputetit Sllavko Simiq, i cili akuzohet për rolin e tij në sulmin ndaj gazetarëve, që është kryer në Leposaviq më 16 qershor të 2023-tës.
Sulmi ka ndodhur gjatë kundërshtimit të vizitës së ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqit, në objektin e Komunës.
“Në lidhje me kërkesën tuaj për informacione mbi caktimin e seancës fillestare në lëndën ku të pandehur janë S. S. dhe U. V., ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar është caktuar për datën 18.09.2025, në orën 09:00”, thuhet në përgjigjen e Themelores.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, më 16 qershor 2023, gjatë protestës kundër vizitës së ministrit Krasniqi, Simiq i ka dhënë urdhër turmës që t’i sulmojë mediat dhe më pas ekipet e mediave janë sulmuar me shok-bomba, grushte, shqelma e mjete të forta.
Ai akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Krahas tij, i akuzuar është edhe Urosh Vukashinoviqi, të cilin Prokuroria e ngarkon edhe me akuzën për sulm.
Deputeti Simiq aktualisht e ka edhe statusin e të dyshuarit për veprime antikushtetuese.
Prokuroria Speciale këtë javë e ka konfirmuar për KOHËN se krahas deputetëve Zlatan Elek e Igor Simiq, ai është intervistuar për rastin e barrikadave të vëna në veri në 2022-tën. Simiq dyshohet për veprat penale: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkim për veprimtari kundërkushtetuese.
Sipas statistikave të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, janë mbi 30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve që kanë ndodhur për tri javë gjatë protestave të serbëve në 2023-tën.
Për to vetëm një person është dënuar. Në shkurt të 2025-tës, Gjykata Themelore në Mitrovicë e dënoi me 12 mijë euro gjobë Dalibor Spasiqin, i cili e pranoi fajësinë për sulm ndaj gazetarit Burim Zariqi.