Personalitetet politike që u përfshinë në përleshje në Kuvend, mund të përballen me pasoja në procese që zhvillohen në procedurë penale dhe civile, kanë paralajmëruar juristët. Kjo, për shkakun se ata nuk gëzojnë imunitet, për veprat që u panë në seancën e së enjtes.
Deputetët dhe anëtarët e Qeverisë nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale dhe nga përballja me padi civile për situatat sikur rrahja masive e së enjtes, kanë theksuar njohës të drejtësisë.
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë se me sjelljet sikur janë parë një ditë më parë, ata dalin jashtë veprimtarisë së përcaktuar me ligj.
“Të gjitha sjelljet, veprimet që i kemi parë dje gjatë seancës plenare, së paku në bazë të Kodit Penal, së paku në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, mund të hyjnë në kuadër të konsumimit të veprave penale”, ka deklaruar ai.
Në Kuvend nuk kanë kthyer përgjigje nëse deputetëve të përfshirë në përleshjen fizike u është shqiptuar apo do t’u shqiptohet ndonjë masë apo vërejtje.
Rregullorja e Kuvendit parasheh 5 lloje të masave që mund të ndërmerren ndaj deputetëve si; tërheqja e fjalës, ndërprerja e fjalës, vërejtja, vërejtje me paralajmërim për largim nga seanca plenare dhe largim nga seanca plenare që shoqërohet me sanksion financiar të barabartë me kompensimin për një seancë plenare.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se sjelljet e së enjtes të deputetëve e anëtarëve të Qeverisë do t’i kushtojnë Kosovës në aspektin ndërkombëtar.
“Nuk ishte e mirë as për imazhin e Kosovës dhe as për partnerët tanë ndërkombëtarë. Ishin hapa mbrapa në zhvillimin e demokracisë parlamentare për një shtet të ri si Kosova e cila po synon të dëshmojë që është një shtet serioz në arenën ndërkombëtare. Pa dyshim që pamjet dje ishin hapa mbrapa në këtë drejtim”, është shprehur ajo.
Përleshja në seancë plenari nisi kur kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim dhe deputeti Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të tij e të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Më pas, Bislimi e ka gjuajtur Lushtakun me shishe, veprim pas të cilit deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.