Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sivjet synohet të tejkalohet mbulueshmëria mbi 87% me vaksinën HPV për të mbrojtur fëmijët

vaksina hpv

Sivjet, me vaksinën kundër HPV-së, synohet të tejkalohet mbulueshmëria mbi 87%, duke ofruar mbrojtje të rëndësishme për fëmijët dhe duke kontribuar në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Rreth 22 mijë nxënës të klasave të gjashta, të grupmoshave 11–12 vjeç, do të imunizohen me vaksinën kundër Human Papilloma Virusit.

Rreth 22 mijë nxënës të klasave të gjashta, të grupmoshave 11–12 vjeç, planifikohet të imunizohen sivjet me vaksinën kundër kancerit të qafës së mitrës.

E mbi 300 nga ata, nga 9 paralele të klasës së gjashtë të shkollës fillore “Ismail Qemali” në kryeqytet, e përfunduan këtë proces gjatë kësaj jave, ku ka nisur vaksinimi për këtë vit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shefja e Njësisë së Vaksinimit në QKMF në Prishtinë, Xhevrije Canolli, theksoi rëndësinë e imunizimit me këtë vaksinë si një hap kyç për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

“Është kjo gjenerata e tretë që e marrin vaksinën kundër human papiloma virusit, një vaksinë shumë e rëndësishme, e cila të mbron nga human papiloma virusi, i cili mbi 95 për qind të rasteve është shkaktar i kancerit të mitrës. D.m.th. nga kjo rrjedhë rëndësia e madhe e kësaj vaksine. D.m.th. kjo është gjeneratë me fat, është gjenerata e tretë që vaksinohen me këtë vaksinë”, tha Canolli.

Vaksina kundër infeksionit me Human Papilloma Virus është përfshirë në kalendarin e rregullt të vaksinimit në fund të vitit 2023 dhe ka nisur të administrohet në vitin 2024.

Që nga viti i kaluar, përveç vajzave, këtë vaksinë e marrin edhe djemtë.

Canolli tha se për dallim nga vitet e para, tash prindërit janë më të informuar dhe nuk ngurrojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre.

“Sigurisht tash është rritë edhe vetëdija e prindërve, është bërë sensibilizimi i mjaftueshëm...Rastet e hezitimit të prindërve nuk janë raste të shpeshta. Në këto raste ne i ftojmë në Qendrën e Mjekësisë Familjare edhe ju japim informacione të sakta në lidhje me vaksinimin, në qoftë se ata kanë dyshime dhe mandej zakonisht të gjithë prindërit ndahen të kënaqur se nuk  mungojnë informacionet e sakta nga burime të sigurta”, shtoi Canolli.

E drejtoresha e Shkollës “Ismail Qemali”, Mimoza Krasniqi, tregoi se prindërit janë informuar paraprakisht rreth vaksinës.

“Informatorët qysh i ka dërguar Drejtoria e Shëndetësisë, komplet udhëzimin se çka parasheh vaksina, se cilat janë procedurat e vaksinimit, edhe vaksinimin edhe për ciklin e ulët, për klasat e para edhe për klasat e gjashta, janë informuar prindërit....Për dallim prej  vitit të kaluar këtë vit nuk kam asnjë shqetësim që prindërit kanë hezitu mos me e marrë......nuk kemi pas raste që nuk kanë pranu”, tha Krasniqi.

Përfaqësuesja e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, e cila vizitoi shkollën gjatë këtij procesi, theksoi rëndësinë e vaksinës për mbrojtjen e shëndetit.

“Kanceri në qafën e mitrës është një nga sëmundjet shumë të rrezikshme. Është sëmundja e katërt e cila merr jetë në të gjithë botën, por normal që kjo mund të parandalohet dhe kjo mund të parandalohet pikërisht me vaksinën e HPV-së, të cilën ju do ta merrni sot”, deklaroi Vashchenko.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik thanë se prindërit po i përgjigjen pozitivisht thirrjes për vaksinim dhe se sivjet synohet tejkalimi i përqindjes së vaksinimit nga viti i kaluar, e cila ka qenë 87%.

Sipas një raporti të IKSHPK-së, gjatë vitit 2024 kanceri i qafës së mitrës ishte forma e dytë më e shpeshtë e tumoreve te gratë, me 364 raste të raportuara, pas kancerit të gjirit.