Policia ka bërë të ditur se 58 persona kanë humbur jetën në periudhën janar-korrik sivjet në aksidentet e trafikut nëpër rrugët e Kosovës. Bazuar në një tabelë të ofruar nga ky institucion, numri total i aksidenteve në nivel vendi (13235) është rritur për 728 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (12507).
Sipas tabelës, 58 personat vdiqën në 51 aksidente. E vitin e kaluar në periudhën e njëjtë kishin vdekur 52 persona në 48 aksidente fatale.
Rritje ka edhe në numrin e aksidenteve me lëndime. Sivjet kanë qenë 4855 aksidente me lëndime, ndërsa një vit më herët ishin 4552. Edhe numri i të lënduarve është rritur në këtë periudhë kohore. Sivjet në periudhën janar-korrik janë lënduar 9286 persona, apo 740 më shumë se që ishin lënduar vitin e shkuar.
Ndërkaq aksidentet me dëme materiale janë shtuar për 5.34 për qind. Vitin e shkuar ishin 7907 aksidente me dëme, ndërsa sivjet 8329.
Në të njëjtën periudhë kohore është rritur dukshëm edhe numri i tiketave të shqiptuara nga Policia e Kosovës. Sivjet janë shqiptuar 37 mijë gjoba më shumë se një vit më herët. Numri total i gjobave ka mbërritur në gati 450 mijë.
“Për të ofruar siguri dhe kontroll më efikas në trafik, Policia e Kosovës ka hartuar dhe janë duke u zbatuar disa Urdhrat Operativ si ‘Siguria në Trafikun Rrugor’ dhe ‘Sezoni Veror 2025’, dhe plane të tjera që kanë të bëjnë me mjete me dy rrota. Po ashtu janë realizuar fushata të ndryshme, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve. Kanë vazhduar patrullimet me veturave me pajisje inteligjente ‘Smart Patrol’ dhe radarë mobil me që rast aktivitetet policore kanë qenë të shtuara më shumë se 9% krahasuar me periudhën krahasuese 2024”, ka thënë Policia për KOHËN.
