Arbëri

Sindikata e Shërbimit të Jashtëm u kërkon partive t’i përfshijnë në program 10 kërkesat e tyre

Objekti i Ministrisë së Jashtme

Objekti i Ministrisë së Jashtme

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës u ka bërë thirrje subjekteve politike që të mbështesin dhe të përfshijnë në programet e tyre zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit “Deklaratën e Zotimeve”, një dokument që përmban masa dhe angazhime të cilat, sipas sindikatës, janë të domosdoshme për forcimin e diplomacisë kosovare.

Në një komunikatë për media, Shoqata thekson se hyrja e vendit në fazën zgjedhore është moment i përshtatshëm që çështjet e shërbimit të jashtëm – nga burimet njerëzore e deri te modernizimi ligjor – të marrin vëmendjen e duhur në agjendat e partive. Diplomacia dhe politika e jashtme, sipas tyre, kanë qenë gjithnjë prioritare për qeveritë e Kosovës, dhe ky orientim duhet të vazhdojë edhe në ciklin e ardhshëm qeverisës.

Sindikata ka hartuar një dokument të strukturuar me 10 pika kyçe, të cilat propozohet të përfshihen në programet qeverisëse 2026–2029.

Ata kërkojnë ndryshimin e legjislacionit të politikës së jashtme brenda gjashtë muajve të parë të mandatit, finalizimin e kuadrit ligjor të shërbimit të jashtëm gjatë vitit 2026, rritjen e koeficientit të pagave dhe përmirësimin e skemës së trajtimit financiar, zbatimin e pagesës afirmative dhe vendosja në pozita menaxheriale e kuadrove me profil diplomatik, ngritja në gradë dhe pajisja me gradë e të gjithë punonjësve që plotësojnë kriteret e të tjera.

Sindikata nënvizon se propozimet janë të natyrës institucionale dhe profesionale, pa adresuar kritika ndaj asnjë qeverie të kaluar apo aktuale.

Ajo u bën thirrje të gjitha partive politike që të marrin pjesë në diskutime të detajuara rreth “Deklaratës së Zotimeve”, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të shërbimit të jashtëm dhe modernizimin e diplomacisë kosovare.

10 pikat e Deklaratës së Zotimeve nga Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës, të propozuara për t’u përfshirë në programet qeverisëse të partive 2026–2029:

1. Brenda gjashtë muajve të parë të mandatit, plotësimi dhe ndryshimi i legjislacionit primar në fushën e politikës së jashtme dhe organizimit ministror;

2. Gjatë vitit 2026, harmonizimi dhe finalizimi i tërësisë së kuadrit ligjor të shërbimit të jashtëm.

3. Rritja e koeficientit të pagës për anëtarët e Shërbimit të Jashtëm dhe forcimi i skemës së trajtimit financiar.

4. Instalimi i parimit të pagesës afirmative, për të garantuar që anëtarët e Shërbimit të Jashtëm të gëzojnë trajtim të dinjitetshëm dhe meritor pavarësisht pozitës së brendshme zyrtare apo administrative në kuadër të procesit të sistemimit, proces ky i lidhur pashkëputshëm me rotacionin. Njëkohësisht afirmimi i praktikës që në pozitat menaxheriale të vendosen profilet me kapacitet diplomatik dhe menaxherial.

5. Krijimi i partneritetit me ofrues ndërkombëtar të sigurimeve shëndetësore dhe ndërtimi i një pakete të unifikuar shëndetësore ndërkombëtare – një praktikë standarde në shumicën e shërbimeve diplomatike të rajonit dhe më gjerë.

6. Pajisja me gradë e të gjithë atyre punonjësve që për vite kanë mbetur pa të, dhe sigurimi i ngritjeve në gradë për të gjithë ata që plotësojnë kriteret ligjore dhe të performancës.

7. Themelimi i pozicionit të Inspektorit Diplomatik, një mekanizëm i njohur në shërbime diplomatike me traditë (si “Inspector General” në SHBA apo modelet e inspektorateve diplomatike në BE), për garantimin e mbikëqyrjes së brendshme dhe respektimit të standardeve profesionale në kuadër të menaxhimit me burime njerëzore profesionale, dhe në përgjithësi.

8. Sigurimi i hapësirave të reja dhe adekuate të punës, përfshirë ridizajnimin modern të hapësirave të brendshme të MPJD-së, në përputhje me praktikat bashkohore të vendeve perëndimore, të cilat plotësojnë edhe karakterin estetik dhe atë protokollar.

9. Reformimi i skemës së emërimit të shefave të misioneve, nga raporti aktual 50%–50%, në një raport 30%–70%, në favor të diplomatëve të karrierës.

10. Afirmimi i skemave të ‘lifelong learning’, inovacionit, shkëputjes së përkohshme nga shërbimi me mundësi të garantuar ligjore rikthimi, inkurajimi i pjesëmarrjes në programe shkëmbimi, si dhe pjesëmarrja aktive në aktivitete të edukimit të hershëm me qëllim inkurajimin e të rinjve në fushën e ndjekjes së profesionit dhe artit të diplomacisë.