Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) ka paralajmëruar protestë më 6 gusht dhe radikalizim të veprimeve sindikale si reagim ndaj mungesës së alokimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit.
Sipas SPERTK-së, deri më sot, më 29 korrik, institucionet përkatëse ende nuk kanë siguruar fondet e nevojshme për funksionimin e RTK-së, çka, sipas tyre, e ka vënë në rrezik serioz vazhdimësinë e transmetuesit publik dhe të drejtën për informim të qytetarëve.
“Institucionet kanë vazhduar me heshtje dhe neglizhencë, duke lënë punëtorët pa siguri dhe RTK-në në prag të kolapsit total”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
Protesta do të nisë më 6 gusht dhe do të shënojë fillimin e një serie veprimesh të organizuara për të mbrojtur, siç thuhet, të drejtat e punëtorëve dhe ekzistencën e RTK-së si medium publik dhe shtetëror. Në ditën e protestës pritet të publikohen edhe pikat konkrete të planit të veprimit.
SPERTK ka paralajmëruar gjithashtu bojkot të mbulimit të ngjarjeve politike, në rast se mungesa e mbështetjes financiare ndaj RTK-së vazhdon.
“Për aq kohë sa transmetuesi publik injorohet dhe lihet pa mjete për funksionim, mbulimi i ngjarjeve politike do të bojkotohet”, thekson Sindikata.
Sindikata gjithashtu ka bërë të ditur se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër akterëve institucionalë që kanë ndikuar në krijimin e kësaj gjendjeje, për shkelje të ligjit dhe cenim të së drejtës për pagë dhe punë.
Në fund, SPERTK u ka bërë thirrje organizatave sindikale, shoqërisë civile dhe të gjithë punëtorëve të RTK-së që të bashkohen dhe të përkrahin protestën.
“Vetëm të bashkuar mund të mbrojmë të drejtat tona dhe të sigurojmë të ardhmen e transmetuesit tonë publik”, përfundon reagimi i Sindikatës së RTK-së.