Shoqata Sindikale e Punëtorëve të “Pastrimit” ka thënë se në takim që mbajtën të hënën me përfaqësues të Komunës së Prishtinës - ku nuk mori pjesë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama – nuk është arritur asnjë marrëveshje.
Ajo ka thënë se në takim u bisedua për trajtim të drejtë dhe të barabartë për ndërmarrjen “Pastrimi”.
“Kemi adresuar shqetësimet tona që të bëhet zgjidhje për pagesat të cilat ne kemi kryer shrëbim tash e 5 muaj dhe s’kemi pranuar asnjë pagesë nga Komuna dhe njëherët u është bërë thirrje qytetarëve për të cilat jemi dëmtuar financiarisht. Kemi adresuar çështjen që po paguhen kompani private për 65 euro për ton dhe më shumë ndërsa KRM Pastrimi është paguar vetëm 35 euro për ton. Nuk po barten 600 mijë euro, të cilat Komuna i ka marrë nga qytetarët, dhe nuk po barten te ‘Pastrimi’. Nuk kemi marrë asnjë zotim që do të na paguajnë lidhur me këto çështje që i kemi adresuar”, është thënë nga Sindikata “Punëtori”.


Po ashtu është thënë se nuk është ofruar asnjë zgjidhje për siguri për punë dhe paga të punëtorëve. Po ashtu Komuna ka refuzuar të diskutojë për barten e pagesave, është thënë nga Sindikata. E nuk është dhënë asnjë sqarim as lidhur me dy kamionët që qëndrojnë në oborrin e Komunës e që nuk i janë dhënë kompanisë për shfrytëzim.
“Krejt çka na është thënë është se jemi të gatshëm që nesër të nënshkruajmë kontratë për mbeturina sipërfaqësore”, thuhet nga Sindikata. E po ashtu është thënë se vetëm do të shihen mundësitë për furnizim me naftë.
“Sindikata ‘Punëtori’ nga ky takim i sotëm nuk kemi asnjë marrëveshje ashtu siç pretendohet apo ndonjë premtim konkret që ofron zgjidhje për të gjitha shqetësimet që janë ngritur në emër të të gjithë punjësve. Kërkesa ishte e thjeshtë dhe e qartë stabilitet për paga dhe në veçanti kërkuam mjete financiare për nevojat e operimit (naftë) në mënyrë që të dalim menkjëherë në terren. Asnjë nga kërkesat nuk janë marrë parasysh, përveç zotimit që mundemi të kemi një kontratë 1.5 milionë euro për hapësirat sipërfaqësore (parqe apo zona të cilat deri sot asnjëherë nuk janë mirëmbajtur)”, thuhet në sqarim.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, tha gjatë ditës se pas një takimi me përfaqësuesit e Sindikatës së Ndërmarrjes “Pastrimi” është i gatshëm për të arritur një marrëveshje për nënshkrimin e një kontrate të re në vlerë prej 1.5 milion euro.
“Jemi dakorduar që nga sot, me një person të autorizuar nga ndërmarrja ‘Pastrimi’, ta nënshkruajmë kontratën prej 1.5 milion euro për punën shtesë. Kontrata është duke e pritur në tavolinë prej 28 dhjetorit", deklaroi Brestovci pas takimit me grupin e sindikalistëve që janë zyrtar dhe grupin e dytë që janë përfaqësues të punëtorëve.