Arbëri

Shumë zjarre në ditën kur u shënuan temperatura rekorde në disa komuna

Zjarri në Milefc të Prishtinës

Zjarri në Milefc të Prishtinës

Foto: Driton Paçarada

Temperaturë rekorde është shënuar në Han të Elezit të shtunën, kur është përmbyllur vala e të nxehtit që ka përjetuar Kosova këtë javë. E, në shumë komuna janë përhapur zjarre masive që kanë shkaktuar dëme materiale

Në disa komuna të Kosovës janë shënuar temperatura rekorde të shtunën, gjatë së cilës janë përhapur edhe shumë vatra zjarri.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik, temperatura më e lartë është regjistruar në komunën e Hanit të Elezit, ku ka arritur në 42 gradë Celsius.

Ndërkaq, në Komunën e Kamenicës është regjistruar temperatura 41.6 gradë Celsius, e në Leposaviq 41.3 gradë Celsius.

E, Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se shkaku i temperaturave të larta dhe erërave të forta, në disa zona të Kosovës janë përhapur zjarre.

“Situata e përcjellë nga Qendra Operative e Agjencisë, rezulton me gjithsej 29 vatra të zjarreve në 8 orët e fundit”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Nga to, 17 zjarre tashmë janë lokalizuar, ndërsa 12 janë raportuar të jenë aktive.

Për shuarjen e flakëve, në terren është angazhuar edhe Forca e Sigurisë e edhe KFOR-i me helikopterë.

Zjarret më të mëdha janë raportuar në Suharekë, Prizren e Podujevë.

“Kushdo që ka mundësi e që ka pajisje për shuarje zjarri le t’ndihmojë në hapësirën Dubravë-Sallagrazhdë-Mushtisht”, është apeli që gjatë ditës bëri kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, i cili më pas shpërndau në rrjete sociale edhe video të mobilizimit të shumë qytetarëve për t’i shuar flakët.

Në Ferizaj, një zjarrfikës pësoi lëndime gjatë përpjekjeve për ta shuar një nga shumë zjarret.

E, në Stubëll të Poshtme të Vitisë, zjarret dogjën një stallë duke shkaktuar mbytjen e 42 deleve dhe dëme të mëdha materiale, përfshirë djegie të shtëpive.

Zjarret që kanë përfshirë rajone të ndryshme kanë shkaktuar edhe dëmtime në rrjetin elektroenergjetik, duke lënë pa rrymë disa zona në Prizren, Mitrovicë dhe Gjakovë.

Ndërkaq, Agjencia e Menaxhimit Emergjent u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërojnë zjarrvëniet në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192.

Më herët, kjo agjenci ka bërë të ditur se shumica e zjarreve masive në Kosovë shkaktohen nga dora e njeriut.

Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar për temperatura të larta edhe të dielën, por të cilat parashihen të ulen nga java e ardhshme.

“Edhe nesër priten temperatura ekstreme mbi vendin tonë. Të shtunën dhe të dielën parashikohen vranësira, të cilat vende-vende do të sjellin reshje shiu. Zonat më të prekura parashihen në veriperëndim të vendit ku parashihen edhe erëra në formë stuhish. Pas këtyre reshjeve, moti do të freskohet, dhe java e ardhshme pritet të ketë temperatura afër vlerave mesatare për këtë periudhë në raport me vitet e kaluara”, thuhet në njoftimin e Institutit.