Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shumë projekte zvarriten, shkaku i vonesës së vendimmarrjes në OSHP

OSHP

Foto: Driton Paçarada

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka afat ligjor që për një ankesë në tender të vendosë brenda 34 ditësh. Por, vitin e kaluar, i janë dashur mesatarisht 50 ditë për ta nxjerrë verdiktin në një lëndë. Ekspertë të prokurimit numërojnë shkaktarët që prodhojnë zvarritjen, e edhe pasojat që ndiejnë qytetarët e institucionet nga vendimet që vonohen

Projektet kapitale, furnizimi me barna dhe investime të tjera shpesh mbesin peng i ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke u zvarritur për muaj të tërë.

Ky institucion që njihet si “Gjykata e Tenderëve”, ka afat ligjor prej 34 ditësh që të trajtojë dhe të vendosë për ankesat në tenderë publikë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por, sipas njohësve të fushës së prokurimit, afatet rrallëherë respektohen në praktikë.

Ardit Dragusha, i cili është hulumtues në “Demokraci Plus” dhe monitoron aktivitetet e prokurimit. Ai thotë se vendimmarrja në OSHP zgjat dukshëm më shumë se që parashohin afatet.

“Në praktikë ky rregullim nuk respektohet. Vitin e kaluar OSHP-ja mesatarisht për gjatë tërë vitit 2025, mesatarisht ka nxjerrë vendime brenda 50 ditësh, i cili ka qenë një përmirësim nga viti i kaluar, pra nga viti 2024, ku mesatarja për nxjerrjen e një vendimi ishte 56 ditë”, ka thënë Dragusha. “Megjithatë, është prapë larg dispozitës që ligji e parasheh, pra 34 ditë”.

Edhe eksperti i prokurimit, Qendrim Arifi, e thotë këtë.

“Praktikisht, pothuajse nuk mund të gjejmë rast ku OSHP vendos lidhur me një ankesë brenda këtyre afateve të përcaktuara”, ka thënë Arifi.

Çdo ankesë, pasi pranohet, shqyrtohet fillimisht nga një ekspert shqyrtues, e më pas kalon te paneli vendimmarrës, i cili mund të përbëhet nga një, tre apo pesë anëtarë të bordit.

Në OSHP nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS lidhur me vonesat në vendimmarrje, ndërsa sipas njohësve, këtu ndikojnë disa faktorë.

Dragusha thotë se një nga arsyet është moskompletimi i bordit. E vonesat në këtë institucion, sipas tij, kanë pasoja të drejtpërdrejta në realizimin e projekteve publike.

“Çdo ankesë e cila deponohet në OSHP, është një ankesë për një tender të caktuar dhe çdo tender është një projekt, dhe në momentin që deponohet ankesa në OSHP, atëherë ai tender suspendohet, pra ky projekt nuk mund të hyjë, nuk mund të fillojë zbatimi i tij. Pra kjo paraqet, është një zinxhir i vonesave të cilat përcillen në projekte publike”, ka thënë Dragusha.

E Arifi veçon mbingarkesën me lëndë të anëtarëve të panelit, që e ngadalëson procesin.

“Brenda një viti të njëjtëve iu duhet të vendosin për më shumë se 1 mijë e 200 ankesa. Pjesa tjetër, faktori tjetër, pra sa herë që një ankesë ka të bëjë lidhur me një aktivitet të prokurimit, i cili ka vlerën më shumë se 300 mijë euro, atëherë vendimmarrja patjetër duhet të jetë nga 3 anëtarë të OSHP-së e që i bie se këta anëtarë ngarkohen edhe më tej me punë, kështu që ngarkesa e OSHP-së përbënë ndër faktorët kyç se pse nuk kemi vendime brenda afateve optimale”, ka thënë Arifi.

Njohësit e procesit të prokurimit bënë thirrje që Qeveria të emërojë anëtarin e munguar të Bordit të OSHP-së dhe të krijohen kushte ligjore për shtimin e bashkëpunëtorëve profesionalë, në mënyrë që vendimmarrja të përshpejtohet.

Vonesat në vendimmarrje nga OSHP-ja, janë evidentuar edhe në raportet vjetore të publikuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit.