Arbëri

Shuma që të pafajshmit kërkojnë dëmshpërblim nga Gjykatat arrin në miliona

Shumë akuza të hedhura poshtë nga ana e gjykatave kanë bërë që ndër vite të rritet numri i qytetarëve, të cilët, përmes padive të bëra, kërkojnë dëmshpërblim nga shteti për kohën e kaluar në paraburgim apo burg.

Mbi 2 milionë euro është shifra që qytetarët e Kosovës kanë kërkuar deri më tani, si dëmshpërblim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, raporton KTV.

Por, shumë qytetarë vështirë se do të realizojnë të drejtën e tyre për kompensim.

Kjo pasi shuma që shteti ndan për t’i kompensuar qytetarët e pafajshëm është tejet e ulët.

Vetëm për këtë vit, KGJK-së i janë ndarë 500 mijë euro buxhet.

“Shuma e këtyre padive e kap vlerën e përafërt 2,470.639.71 €, të cilat janë kërkesa të paditësve në gjykata dhe janë në proces gjyqësor. Gjatë dy muajve të viti 2019 kemi pranuar 15 padi. Deri më tani nuk kemi miratime, sepse nuk kemi vendime të formës së prerë, për arsye se kemi lëndë të cilat janë atakuar me ankesë. Ndërsa buxheti i ndarë për personat e privuar nga liria për vitin 2019, është 500.000 €”, ka thënë Aishe Qorraj-Berisha, zëdhënëse e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, thotë se prokurorët duhet ta rrisin vigjilencën dhe kujdesin gjatë ngritjes të akuzave.

Sipas tij, dështimi i vërtetimit të shumë aktakuzave, bën që qytetarët t’i drejtohen gjykatës për dëmshpërblim.

Avokati i Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari, thotë se përkundër rritjes së kërkesave për kompensim të dëmit, shteti vazhdon t’i shkelë të drejtat e qytetarëve, fillimisht me zvarritjet e proceseve gjyqësore e më pas edhe me mosofrimin e kompensimit të kërkuar.

Por, shumë qytetarë tashmë të drejtën e tyre kanë nisur ta kërkojnë përmes padive civile.

E fundit që ka kërkuar dëmshpërblim nga shteti është familja Sopa, e cila, përmes një padie bërë KGJK-së, ka kërkuar një kompensim prej 25 milionë eurosh.