Kuvendarët e Podujevës e kanë ndryshuar për të dytën herë me radhë Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave brenda pak muajve. Ndryshimet dhe plotësimi në të dy herët është i njëjtë: afati i kushtëzimit të qytetarëve për nxjerrjen e dokumenteve me pagesën e faturave të bërllokut.
Megjithëse, pas miratimit në muajin tetor të vitit të kaluar ishte paraparë që kjo çështje të fillojë së zbatuari më 1 janar, kjo ishte shtyrë për 1 qershor 2020. Por, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, kjo pjesë e Rregullores është ndryshuar përsëri, për ta shtyrë afatin e implementimit të tij më 1 qershor 2021.
Drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, ka thënë se arsyeja e shtyrjes së afatit po bëhet për shkak të pandemisë, ku komuna ka liruar edhe nga taksat e qiraja komunale bizneset dhe se për ta marrë përsipër Komuna shpërndarjen e faturave dhe çështjen e inkasimit të mjeteve, duhet një buxhet fillestar prej 200 mijë eurove, të cilat tash për tash mungojnë.
Muçiqi gjithashtu ka thënë se sivjet mund të mos ketë rishikim të buxhetit për të ndarë këtë shumë të mjeteve dhe po ashtu se nuk kanë arritur të trajnojnë as stafin. Megjithatë, drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, në mbledhje kishte kërkuar që kjo pikë e rregullores të fillojë së zbatuari më 1 prill 2021. Por, drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Handi Jaha, ka thënë se afati duhet të shtyhet për 1 vit (më 1 qershor 2021. Propozimi për shtyrje të afatit është përkrahur, përveç nga partia në pushtet (LDK), edhe nga partitë opozitare LVV e PDK, gjë që është miratuar njëzëri.
Me Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave parashihet që zyrtarët komunalë të mos lëshojnë asnjë dokument (përjashto ato të gjendjes civile) për ata që nuk i paguajnë faturat e mbeturinave dhe po ashtu që pagesa të bëhet në komunë e jo kompanive siç është tash . Në nenin 6 ku flet për të drejtat dhe detyrat e gjeneruesve të mbeturinave, thuhet se çdo gjenerues i mbeturinave është i obliguar të përfshihet në sistemin e menaxhimit të mbeturinave, ka të drejtë ankese për shërbimin e ofruar, duhet të respektojë rregullat dhe orarin e shkarkimit të shportave dhe kontejnerëve të përcaktuar sipas planit lokal të menaxhimit të mbeturinave, të bëjë përpjekje për zvogëlimin e sasisë së mbeturinave përmes kompostimit shtëpiak dhe formave tjera të lejueshme, të paraqes ndryshimin e të dhënave (si p.sh. shitja e pronës, trashëgimia, dëshmitë dhe dokumentet tjera të përditësuara).
“Gjeneruesit e mbeturinave detyrohen që mbeturinat t’i ndajnë dhe t’i vendosin sipas sistemit të përcaktuar nga Komuna. Ndërmarrjet prodhuese, ndërtuese dhe tjera të cilat gjenerojnë mbeturina, obligohen që Komunës së Podujevës t’ia dorëzojnë planin e menaxhimit të mbeturinave, të cilat i gjenerojnë gjatë ushtrimit të veprimtarisë”, thuhet në këtë Rregullore.
Sipas të njëjtit dokument, mbeturinat do të faturohen çdo muaj ose çdo tre muaj.
“7.1.Taksa për mbeturinat, faturohet dhe inkasohet nga Komuna; 7.2 Faturimi për mbeturina bëhet bazuar në sistemin e të dhënave, kurse fatura i dorëzohet gjeneruesit çdo tremujor; 7.3 Gjeneruesi i mbeturinave obligohet që të paguajë faturën e taksës së mbeturinave për çdo muaj të vitit ose me këste si më poshtë: Kësti i parë janar-mars; Kësti i dytë prill-qershor; Kësti i tretë korrik-shtator; Kësti i katërt tetor-dhjetor”, thuhet në nenin 7.
Në sistemin e shërbimit do të futen edhe banorët jorezidentë. Për ata që bëjnë shpenzime të energjisë elektrike deri në tre muaj brenda vitit, ngarkohen me tarifë 14.10 euro në vit, të dëshmuar me gjendjen për vitin përkatës. Po ashtu, familjet që kanë shpenzime të energjisë elektrike deri në tre muaj brenda vitit, fatura elektrike e cila është në shumën maksimale 15 euro, ngarkohen me tarifë 13.50 euro në vit, të dëshmuar me gjendjen për vitin përkatës.
“7.6 Çdo gjenerues që banon me qira është i obliguar të bëjë pagesën për mbeturina në emër të vet dhe në emër të pronarit të ligjshëm (në bazë të kontratës për qiradhënie). 7.7 Nëse gjeneruesi i mbeturinave nuk e paguan këstin e fundit, nuk do të merr shërbime komunale administrative në: Drejtorinë për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, Drejtorinë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtorinë për Zhvilim Ekonomik, Drejtorinë për Buxhet dhe Financa, Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, si dhe drejtoritë tjera, me përjashtim të sektorit të regjistrimit civil”.
Në këtë dokument taksa mujore për mbeturina kategorizohet në Konsumatorët e amvisërive: Rezident; Jorezident; Të shërbyer përmes kontejnerëve të përbashkët; Të shërbyer me shërbimin derë më derë. Pastaj, konsumatorët komercial/industrial: Dyqanet e vogla zejtare dhe shërbyese; Subjekte të mesme deri të mëdha komerciale me kosto të ulët të shërbimit; Subjekte të mesme deri të mëdha komerciale me kosto të lartë të shërbimit me kontratë të veçantë. Dhe në fund institucionet: Gjeneruesit e vegjël institucionalë; Gjeneruesit e mesëm dhe të mëdhenj institucionalë; dhe Gjeneruesit e mëdhenj institucionalë të shërbyer me kontratë.
“Shkalla e taksës do të rishikohet sipas nevojës nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, miratohet nga Kuvendi Komunal duke marrë parasysh koston e shërbimit. 7.13. Nëse Kuvendi komunal aprovon shkallën tjetër të arkëtimit të propozuar për vitin në vijim, qytetarët njoftohen para vitit të ardhshëm fiskal”.
Me këtë rregullore ndalohet hedhje e mbeturinave ndërtimore në rrugë, trotuare, sheshe, apo mjedise publike, hedhja e mbeturinave të llojeve të tjera në kontejnerë ose në pikat mbledhëse të mbeturinave, të cilat nuk ndahen ashtu siç është paraparë me këtë rregullore.
“Hedhja e mbeturinave në hapësirat e përbashkëta brenda dhe jashtë objekteve të banimit kolektiv (ballkonet, korridoret, terracat e banesave, etj.; përzierja dhe hedhja e mbeturinave jashtë kontejnerëve të destinuar për ndarjen e mbeturinave të riciklueshme; hedhja e mbeturinave në rrugë nga automjetet në lëvizje; hedhja dhe deponimi i mbeturinave në hapësirat publike (në rrugë, parqe dhe në vende të tjera publike)...”.
Në këtë dokument janë paraparë edhe përgjegjësitë e Komunës mbi menaxhimin e mbeturinave, detyrat dhe përgjegjësit e operatorëve të kontraktuar për shërbimin e mbeturinave dhe dispozitat ndëshkuese.
“10.1 Ndaj gjeneruesit të mbeturinave i cili nuk e bën pagesën e taksës për mbeturina dhe i cili nuk i përmbahet rregullave të shkarkimit, të përcaktuara sipas planit të menaxhimit të mbeturinave do të inicohet procedurë sipas ligjeve në fuqi; 10.2 Për shkelësit e dispozitave të kësaj rregulloreje, për veprimet e ndaluara, Neni 9, (par. 1-35) inspektori komunal, zyrtari policor, shqipton gjobë mandatore sipas Udhëzimit Administrativ 14/2015, apo gjobat tjera të përcaktuara sipas Ligjit për mbeturina (Nenet 70-75)”, thuhet në nenin 10 të këtij dokumenti.