Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, gjatë së mërkurës ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me zv.ministrin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durimshi, për investime në disa projekte të reja infrastrukturore.
Aliu nëpërmjet një njoftimi tha se gjatë nënshkrimit të memorandumit ka marrë pjesë edhe drejtori për Urbanizëm, Grejtalb Emini.
“Qëllimi i këtij memorandumi është realizimi i tri projekteve të rëndësishme infrastrukturore në Shtime, me vlerë totale 1.064.534 euro. Unaza Vogël e Qytetit, në shumën 382.542 euro. Rruga "17 shkurti", në shumën 581.992 euro dhe Sheshi i Qytetit, në bashkëfinancim në shumën 100.000 euro", ka thënë Aliu.
Sipas tij, këto projekte përveç se do të kontribuojnë në lehtësimin dhe qarkullimin e lëvizjes, gjithashtu qytetit do t'i japin një pamje urbane moderne.
“Në mbështetje dhe koordinim të vazhdueshëm me nivelin qendror, bashkërisht do të angazhohemi në realizimin e secilit zotim nga programi ynë qeverisës", ka shtuar Aliu.