Arbëri

Shtetet e rajonit në garë për investime në ushtri

ushtar FSK

Si kundërpërgjigje ndaj Kosovës për blerjen e raketave amerikane antitank, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar se shteti që përfaqëson menjëherë do të nisë blerjen e armatimit dhe deri në fundvit do të kontraktojë armë e pajisje ushtarake në vlerë 740 milionë euro. Këtë deklarim të Vuçiqit, njohësit e sigurisë e shohin si mesazh që nuk i shërben paqes në rajon. E krahas Kosovës dhe Serbisë, investime në ushtri janë duke bërë edhe shtete të rajonit që janë pjesë e NATO-s

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar se shteti që përfaqëson do të shpenzojë 740 milionë euro vetëm këtë vit për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe armatim, si kundërpërgjigje ndaj blerjes së antitankeve amerikane nga Kosova.

Në një deklaratë të cilën e bëri nga Agjencia e Sigurisë Ushtarake në Beograd, Vuçiqi tha se menjëherë do të blihet armatim i markës Nora nga një prodhues vendor.

“Serbia aktualisht ka 186 milionë euro në dispozicion, të cilat do t’i shpenzojmë menjëherë për blerjen e mjeteve dhe armëve nga fabrikat vendase të industrisë së dedikuar”, ka thënë presidenti i shtetit përgjegjës për luftërat e përgjakshme në rajon, që ndodhën gjatë viteve të ’90-a. “Do të jenë tetë ‘Nora’, e blerja më e lirë është kur e realizojmë nga inteligjenca jonë e brendshme, dhe prandaj do të shihni se sa mund të blini për relativisht pak para dhe sa më shumë vlejnë se 246 ‘Javelinët’, që janë armë jashtëzakonisht të fuqishme antitank dhe antiblinda, por i njëjti lloj i armës nuk përdoret për t’iu përgjigjur të njëjtës armë”.

Vuçiq ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do të jenë gati edhe dy pako me nga 150 dhe 400 milionë euro për pajisje shtesë dhe armatim të Forcave të Armatosura të Serbisë. Ato para janë ndarë përveç 360 milionë eurove të listuara në buxhetin e Serbisë për armatim shtesë, ka thënë Vuçiq.

“Kur t'i bashkoni të gjitha këto, do të shihni se ky do të jetë viti në të cilin ne do të pajisemi më së miri, më shpejt dhe më fuqishëm”, ka thënë ai.

Dy ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka pranuar një shitje të mundshme të 246 raketave “Javelin” në Kosovë, e vlera e tyre pritet të jetë rreth 75 milionë dollarë.

“FGM-148 Javelin” është një sistem antitank portativ i prodhuar nga ushtria amerikane. Raketa u bë e njohur në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Ukraina i ka përdorur gjerësisht për shkatërrimin e automjeteve të blinduara dhe tankeve ruse.

Ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Rrallë huqin objektivin dhe veprojnë në një distancë nga 65 deri në 4000 metra.

Pentagoni ka njoftuar në uebfaqen e vet se kontraktorët kryesorë të marrëveshjes me Kosovën janë Javelin Joint Veture nëpërmjet Lockheed Martin dhe Raytheon Missiles and Defense. Kjo do t’i dërgohet Kongresit Amerikan që pritet të çojë tutje kërkesën e institucioneve të Kosovës.

Sipas deklaratës zyrtare, shitja e armëve në Kosovë “mbështet qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, që është forcë e rëndësishme për stabilitet politik e ekonomik në Evropë”.

Autoritetet e Kosovës thanë se presin që Kongresi ta miratojë shitjen.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i tha KOHËS se është duke planifikuar të blejë edhe sisteme antiajrore. Sipas tij, kjo do të bëhet publike së shpejti.

“Jemi të fokusuar sidomos në vendet që kanë partneritet më të afërt. Prijnë Shtetet e Bashkuara, që kanë qenë mbështetëset tona kryesore të zhvillimit të kapaciteteve tona, por kemi bashkëpunim edhe me vende të tjera të NATO-s, si Turqia, Gjermania, Britania, Italia, Kroacia edhe vende tjera”, ka thënë ministri Maqedonci.

E presidenti serb, Vuçiq, është ankuar të shtunën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se ato qëndrojnë prapa fuqizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Ne e dimë që me krejt këto po udhëheq Amerika. Këtë po e bëjnë ekspertët e mëdhenj të cilët si mendërisht, ashtu edhe fizikisht janë tepër të gatshëm. Amerikanët dhe NATO-ja këtë po e bëjnë në mënyrë jashtëzakonisht serioze dhe të përgjegjshme. Ata do të formojnë forca jashtëzakonisht të forta”, ka thënë Vuçiq

E gatishmërinë e Uashingtonit për t’ia shitur raketat antitank Kosovës, njohësit e sigurisë e shohin si mesazh për ndryshim të qasjes ndaj Serbisë.

Nuredin Ibishi thotë se konfirmimi për shitjen e 247 raketave “Javelinëve” për 75 milionë euro, tregon edhe për mbështetje politike të SHBA-së ndaj Kosovës.

“Kosovës po i kushtohet kujdes në kuptim të armatosjes dhe pajisjeve të duhura, me qëllim që, edhe në aspektin funksional, të ngrihen kapacitetet e FSK-së, por njëkohësisht edhe kundërvënies në rast eventual të ndonjë agresioni”, i ka thënë KOHËS Ibishi.

Ky ekspert i sigurisë ka theksuar se faktori ndërkombëtar duhet t’i marrë parasysh veprimet e Serbisë që janë kundër paqes në rajon e kundër aspiratave euroatlantike.

“Ajo çdoherë me ekstremin e vet po luan rolin e një të padëgjueshmi në politikat edhe të integrimeve evropiane, por njëkohësisht edhe të neutralitetit për aspirata të përkatësisë në NATO”, ka theksuar Ibishi.

Investime në ushtri janë duke bërë edhe shtete të rajonit, që janë anëtare të NATO-s.

Dy helikopterë amerikanë Black Hawk i janë shtuar të shtunën arsenalit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, e ka quajtur këtë si një investim të madh dhe një hap të rëndësishëm “që do të na japë fuqinë dhe përkushtimin e nevojshëm për të përmbushur misionet taktike dhe operacionet e emergjencave me më shumë efikasitet dhe siguri”.

Ai ka theksuar se, në bashkëpunim me partnerin dhe aleatin strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria po investon në forcën dhe sigurinë e vet, duke e bërë shtetin një vend më të sigurt dhe të përgatitur për sfidat e ardhshme.

Krahas Shqipërisë, nga rajoni pjesë e NATO-s është edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Serbia nuk synon të anëtarësohet në këtë aleancë, ndërkaq Kosova prej kohësh ka bërë thirrje që të nisë procesi i anëtarësimit, por pengesë mbetet mosnjohja nga katër prej shteteve anëtarëve të NATO-s, e të cilat nuk ia kanë njohur Kosovës pavarësinë.

Megjithëkëtë, FSK-ja ruan bashkëpunim me NATO-n dhe merr pjesë në ushtrime të saj.

Procesi i transformimit të FSK-së në forcë me kapacitete ushtarake ka hyrë në vitin e gjashtë, të planit dhjetëvjeçar të dakorduar me NATO-n.

Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, detajet e të cilit nuk janë publike, disa nga përgjegjësitë e reja të FSK-së do të përfshinin ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial, ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare.

Në fazën e tretë dhe të fundit të transformimit të FSK-së – që nis nga viti 2025 e përfundon më 2028 –planifikohet ngritja e kapaciteteve ajrore, siç është blerja e helikopterëve dhe mjeteve të tjera ajrore.

FSK-ja, aktualisht, ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.

Vetëvendosja që është në pushtet, pati premtuar se do ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak, nisur nga fakti që Kosova ka në kufi Serbinë, e cila ka pretendime territoriale mbi shtetin.

Por, vitin e shkuar Qeveria ka finalizuar draftin e një udhëzimi administrativ për edukimin, vetëdijesimin dhe ngritjen e potencialit të qytetarëve për shërbim në fushën e mbrojtjes. Ajo ka paraparë ngritjen e ekipeve mobile nëpër komuna, në të cilat zyrtarë civilë dhe ushtarakë do të ligjërojnë dhe demonstrojnë edhe në praktikë aftësitë për mbrojtjen e shtetit. Aty do të synohet edhe “nxitja e vetëdijes qytetare dhe patriotike të të rinjve për shërbim në FSK”.

E këtë javë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë i ka dhënë start nismës për rikthimin e detyrimit për të shërbyer për katër muaj në ushtri.