Arbëri

Shtetësia e pakompletuar

Megjithëse tani përjashtohet mundësia e diskutimeve për ndryshim kufijsh, të cilat ishin pjesë e diskursit gjatë vitit 2018-2019, rrezik po konsiderohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin Kosova ka dhënë një zotim me marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013

Pa elementet që e kompletojnë shtetësinë, Kosova shënon 14-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në planin e jashtëm, sfidë mbetet fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar dhe shmangia e rrezikut nga krijimi i një mekanizmi që do ta cenonte rendin kushtetues të vendit.

Edhe pas 14 vjetësh vazhdojnë të rëndojnë problemet e njëjta, për të cilat Kosova rangohet në mesin e vendeve me nivel të lartë krimi e korrupsioni, mungesë të zhvillimit ekonomik e mirëqenies sociale. Për pasojë, nuk janë zvogëluar as radhët e gjata të qytetarëve që presin para ambasadave për marrjen e një vize drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Kontestimi

Shpallja e Pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë dialogu. Por propozimi i presidentit Martti Ahtisaari nuk kishte marrë mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Edhe pse u kundërshtua nga Serbia e Rusia, Kosova deklaroi njëanshëm Pavarësinë, akt ky që mori mbështetje nga shtete të rëndësishme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por akti i shpalljes së Pavarësisë nuk i dha fund dialogut që kohë pas kohe rrëshqiti edhe në diskutime për ndryshim kufijsh. Negociatat me Serbinë, të ndërmjetësuara herë nga Bashkimi Evropian e herë nga Shtetet e Bashkuara, kanë përbërë çështjen kryesore të politikës së jashtme, në përpjekjen për t’i dhënë fund sfidimit që Serbia ia bën shtetësisë së Kosovës.

E lëshimet në emër të këtij kompromisi kanë qenë të mëdha, të cilat kulmuan me ujdinë që Serbia e konsideron vegël për ushtrimin e kontrollit mbi një pjesë të territorit.

Megjithëse tani përjashtohet mundësia e diskutimeve për ndryshim kufijsh, të cilat ishin pjesë e diskursit gjatë vitit 2018-2019, rrezik po konsiderohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin Kosova ka dhënë një zotim me marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013. Përveç Serbisë që insiston në këtë pikë, edhe ndërmjetësuesit e dialogut e kanë lëshuar topin në anën e palës kosovare, duka ia kërkuar modalitetet e Asociacionit. Qeveria që tani udhëhiqet nga partia që kishte kundërshtuar edhe me protesta këtë mekanizëm, nuk ka dhënë sinjale se mund të ndryshojë qëndrimin.

E, dialogu i rinisur u shoqërua me tensione në terren. Serbia aktivizoi edhe ushtrinë përreth kufirit me Kosovën, fundvitin e kaluar. Ndërkaq serbët me mjete të rënda dhe trupat e tyre për disa ditë bllokuan pikat kufitare drejt Jarinjës dhe Bërnjakut. Shkas u bë aplikimi i reciprocitetit në targa, që provokoi negociata të shpejta në Bruksel për të ardhur tek një zgjidhje e përkohshme.

Përparimi i Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe anëtarësimi në mekanizma ndërkombëtarë është i kushtëzuar me epilogun e negociatave.

Asnjë sinjal nuk ka dhënë qeveria nëse ka strategji për fazën pas 4 shtatorit të vitit të kaluar, kur skadoi moratoriumi për lobim në njohje dhe aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në anën tjetër, zyrtarë të Beogradit kanë paralajmëruar që t’i rikthehen betejës për anulimin e njohjeve të Kosovës dhe pengesave në mësymjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kjo fushatë e Serbisë kishte marrë hov gjatë vitit 2018, ku sipas zyrtarëve serbë numri i shteteve që kanë tërhequr njohjet për Kosovën ka shkuar në 15. Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kosovën e kanë njohur 117 shtete, por në mesin e tyre figurojnë edhe ato për të cilat ka pretendime se i kanë rënë pishman. Këtë shifër Qeveria nuk e ka shoqëruar me prezantimin e notave verbale, megjithëse ndër vite është kërkuar publikimi i tyre.

Gjatë 14 vjetëve nuk kanë munguar as disfatat diplomatike.

Kosova pati dështuar të anëtarësohej në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) dhe në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

Kosova deri më tani ka përfunduar me sukses mbikëqyrjen e Pavarësisë, është bërë anëtare e Bankës Botërore, e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por ende mungon anëtarësimi në organizatat kryesore, si: OSBE, NATO e Këshill të Evropës. Një nga sukseset e pakta në arenën ndërkombëtare i shënuan federatat sportive dhe sportistët individualë, duke arritur që t’i sjellin edhe medaljet e para për Kosovën.

Krimi e korrupsioni në nivele shqetësuese

Raporte të shumta vendore e ndërkombëtare vazhdojnë ta rendisin Kosovën në mesin e vendeve me shkallë të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Problemi më i madh mbetet vullneti për të parandaluar rritjen e mëtutjeshme të nivelit të korrupsionit dhe për ta forcuar pavarësinë e gjyqësorit.

Përgjegjësi për luftimin e korrupsionit kanë pasur edhe ndërkombëtarët.

Luftimi i kësaj dukurie ishte top-prioritet i misionit më të madh evropian për sundim të ligjit - EULEX, të cilin Kosova e mirëpriti pas shpalljes së Pavarësisë më 2008. Por, ajo që lanë pas të gjithë udhëheqësit e këtij misioni ishte shprehja se para drejtësisë do të vihen “peshqit e mëdhenj”. Ky mision nuk i ka paketuar valixhet as pas 14 vjetësh prezencë në Kosovë. Tani i ruan kompetencat në disa fusha që kryesoret ndërlidhen me mandatin e Gjykatës Speciale.

Në të përfunduan edhe protagonistët e luftës dhe shpalljes së Pavarësisë.

Ish-kryeministri Hashim Thaçi, që e kishte lexuar Deklaratën e Pavarësisë, dhe Jakup Krasniqi, asokohe kryetar i Kuvendit, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Pjesë e së njëjtës aktakuzë që kualifikohet si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” janë edhe Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Mungesa e zhvillimit ekonomik

Papunësia, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe investimeve mbesin probleme të pazgjidhura.

Situata u rëndua pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, ku Kosova përjetoi dy ekstreme sa i përket ekonomisë. Vitin 2021 e nisi me rënie prej minus 3.9 për qind, ndërsa e përmbylli me shifër dyshifrore të rritjes.

Kjo rritje e entuziazmoi kryeministrin Albin Kurti, sipas të cilit brenda një dekade Kosova do t’i afrohet Kroacisë.

“Lajmi kryesor që i frikësohen është rritja dyshifrore ekonomike. A e dini çfarë do të thotë nëse ne vazhdojmë për rritjen 10 për qind, do t’i afrohemi Kroacisë”, kishte thënë Kurti.

Por rritje të shpejtë e të pakontrollueshme pësuan edhe çmimet e konsumit duke e rënduar xhepin e qytetarëve. Ndërkaq pagat mbetën të njëjtat.

Edhe pse vitet e fundit pati rritje të investimeve të huaja direkte, ato po konsiderohen pa efekte të mëdha në ekonomi, pasi shumica e tyre kanë shkuar në sektorin e patundshmërisë.

Me gjithë rritjen Kosova renditet e fundit në rajon për vlerën e investimeve.

Shkaku i varfërisë e papunësisë eksod masiv të qytetarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian pati në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015. Dhjetëra autobusë të mbushur me qytetarë niseshin çdo ditë, të cilët nëpërmjet Serbisë destinacion final kishin njërin prej vendeve të Bashkimit Evropian. Largimi po vazhdon ende, por në forma të tjera.

Për një vizë pune vetëm në Ambasadën e Gjermanisë gjatë muajit janar kanë aplikuar afro 50 mijë persona.

Për pasojë, sektorë të ndryshëm në Kosovë kanë nisur të ankohen për mungesë të punëtorëve.

Izolimi

Kosovarët vazhdojnë të jenë të vetmit në rajon që nuk mund të lëvizin pa viza brenda zonës Schengen. Pavarësisht konstatimit të Komisionit Evropian që nga viti 2018 se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret që dalin nga udhërrëfyesi, vendimmarrja ka ngecur në Këshillin e Ministrave të BE-së. Disa vende kanë shprehur shqetësim se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioni Evropian kishte nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar të vitit 2012. Prej atëherë pushtetarët kanë manipuluar me data se kur mund të hiqen vizat.

Ish-kryeministri Hashim Thaçi në vitin 2011 kishte premtuar se një vit më vonë do të ndodhë liberalizimi i vizave. Njëjtë sikurse paraardhësi i tij, me premtime kishte vazhduar edhe kryeministri Isa Mustafa, duke thënë se liberalizimi do të ndodhë në fillimin e vitit 2015. Për tre vjet procesi u bllokua për shkak të demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshje e cila kishte prodhuar edhe protestat më të dhunshme që prej shpalljes së Pavarësisë. Marrëveshjen e njëjtë e votoi kundërshtari më i zëshëm, ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Nuk kanë qenë të pakta konferenca e intervistat në të cilat Haradinaj uronte për liberalizimin e vizave, që ende nuk është bërë.

Kosova ka shprehur synimin e paalternativë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai konfirmohet nëpërmjet marrëdhënies kontraktuale Kosovë-BE, e njohur si Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA). Kur Qeveria Mustafa kishte firmosur Marrëveshjen në vitin 2015, pati mbretëruar entuziazmi se me punën që do të bëhet Kosova së shpejti do të mund të aplikonte për statusin e vendit kandidat. Por, shtatë vjet më vonë, Kosova ende nuk ka aplikuar për statusin e vendit kandidat, derisa është ende larg përmbushjes së kritereve që dalin nga MSA-ja.

Aspirata për anëtarësim në NATO

Image

10 vjet pas Pavarësisë, Kosova i kishte dhënë start tranzicionit për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura. Pas refuzimit të serbëve, pa votat e të cilëve nuk mund të ndryshohet Kushtetuta, transzicioni u bë vetëm me ndryshime ligjore. Veprimin e kundërshtoi NATO-ja që ende nuk ia njeh mandatin e ndryshuar FSK-së. Kundër ishte dhe Bashkimi Evropian. Por mbështetje krijimit të ushtrisë i dhanë Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Britania e Madhe.

Megjithëkëtë, 14 vjet pas Pavarësisë dhe 21 vjet pas përfundimit të luftës, NATO-ja mbetet prania më e besueshme ndërkombëtare në Kosovë dhe nuk kontestohet as nga shqiptarët, as nga serbët.