Klinika e Gjinekologjisë në QKUK nuk i plotëson kushtet për t’u zbatuar një ligj i miratuar qysh më 2007 e që ua mundëson shtatzënave të kenë një person pranë vetes para, gjatë dhe pas procesit të lindjes. Disa nga shtatzënat shprehen se nuk janë në dijeni të kësaj të drejte, e në Klinikën e Gjinekologjisë thonë se për përcjellës nuk ka kushte infrastrukturore
Tridhjetë minuta është maksimumi që i lejohet brenda ditës një familjari për ta vizituar një shtatzënë në Klinikën e Gjinekologjisë, ndonëse ligjërisht gruaja ka të drejtë të kërkojë që ta ketë afër një person të moshës madhore para, gjatë dhe pas procesit të lindjes.
Një gjë e tillë mundësohet prej 2007-s, kur u miratua Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e banorëve në sistemin shëndetësor, por se në QKUK nuk zbatohet ky dokument.
Për këtë të drejtë pacientet, që gjatë javës ishin në Klinikën e Gjinekologjisë, nuk ishin as të informuara.
“Jo, nuk kam qenë në dijeni, por ashtu-kështu nuk do të kisha dashur”, ka thënë një paciente në kushte anonimiteti.
“Mirë do të ishte me pasë edhe dikë prej familjes, por ne edhe kështu jemi të kënaqura. Po vijnë kohë pas kohe, na sjellin çkado që kemi nevojë”, ka thënë një tjetër paciente.
Shefja e sallave të lindjes në Klinikën e Gjinekologjisë, Shpresa Musolli-Krasniqi, ka thënë se mbingarkesa dhe kushtet jo të përshtatshme infrastrukturore nuk lejojnë që shtatzënat të shoqërohen nga familjarët, me ndonjë përjashtim të rrallë.
“Nuk ofrohen kushte të duhura që të ndihet mirë edhe shtatzëna e cila është në lindje, nuk ndihet mirë edhe personi përcjellës që e përcjell atë shtatzënë, atë familjare, qoftë ajo grua, motër apo raport tjetër familjar, për arsye të hapësirës të cilën e kemi, e cila është e pamjaftueshme, arsye tjetër mund të them që privatësia nuk është në nivelin e duhur për arsye se në qoftë se do të kish qenë në lindje në përcjellje të një anëtari të familjes do të ishte dashtë me pasë kushte të tjera, të jetë një dhomë e veçantë, ku do të kishte vetëm ajo që të ketë një banjë ku do të kishte qasje vetëm ajo edhe privatësia e saj edhe e pjesëmarrësit tjetër... d.m.th. mungon hapësira, mungon privatësia, mungon ushtrimi i detyrës sonë si profesionistë në kushte maksimale, po qe se do të kishim pasë te çdo grua, te çdo shtatzënë, që vjen këtu në lindje, një përcjellës”, ka thënë Musolli-Krasniqi.
Ajo është shprehur se prania e një familjari do të ndihmonte edhe stafin shëndetësor, porse kjo është e pamundur tash për tash.
“Në momentin kur të na ofrohet mundësia që të jetë një përcjellës me shtatzënën, e cila është tash në lindje, do të na kishte ndihmuar edhe neve punën, se do ta kishte atë pjesën, një përqindje të përkrahjes së vetë pacientit do të na e kishte larguar përcjellësi, do të na kishte ndihmu me fjalë të tjera, d.m.th. do të ishte ndoshta mirë edhe për atë pacientët e cila lind te ne, do të ishte një përqindje më e mirë pozitive për të”, ka thënë Musolli-Krasniqi.
Por, ajo ka paralajmëruar përmirësim të kushteve brenda periudhës dy-tri vjeçare me ndërtimin e një materniteti të ri.
“Do të jetë një maternitet me të gjitha kushtet që i përkasin kohës, në të cilën po jetojmë, standardeve në të cilat duhet me qenë në këtë kohë, edhe atëherë besoj se mundësia do të jetë te çdo shtatzënë, e cila vjen në klinikën tonë, ta ketë një përcjellës gjithmonë me dëshirën e saj”, ka theksuar ajo.
E krejt ndryshe është në spitalet private, ku shtatzënave u lejohet shoqërimi nga ndonjë familjar.
Lidhur me përmirësimin e kushteve në Klinikën e Gjinekologjisë dhe zgjerimin e hapësirave, KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë, por nuk ka marrë përgjigje tash e disa ditë.