Arbëri

SHSKUK-ja shpall fitues operatorin që u ankua për afat 10-ditor të shpërndarjes, që tash iu përgjysmua

Furnizimi me material për hemodializë i është besuar kompanisë “Medi Health”, në një tender emergjent me afat prej vetëm 5 ditësh për shpërndarje. Ky afat është përgjysmë më i shkurtër se i tenderit të bllokuar në OSHP, pikërisht për shkak që e parashihte afatin prej 10 ditësh

Kompania “Medi Health” është shpallur fituese e tenderit emergjent për furnizim të Qendrës Klinike e Universitare (QKUK) dhe të spitaleve rajonale me materiale për hemodializë.

Sipas dosjes së tenderit të shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), shpërndarjen e materialit duhet ta bëjë brenda pesë ditëve, afat ky që është përgjysmë më i shkurtër sesa që ka qenë i paraparë në tenderin e rregullt, i cili është bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Në tenderin tashmë të bllokuar ofertuese është po ashtu “Medi Health” dhe kompania “Trimi Med”.
Të dy këto kompani u patën ankuar për afat të shkurtër të shpërndarjes së materialit, i cili ka qenë vetëm dhjetë ditë. Janë ankuar po ashtu edhe për ndërrim të kushteve të tenderit lidhur me afatin e shpërndarjes – nga 45 në 10 ditë.

Teksa ankesa e “Medi Health” ka përfunduar vetëm në SHSKUK, ajo e “Trimi Med” ka shkuar deri në OSHP, për çka tenderi është bllokuar.

“Ndryshimi i dosjes së tenderit pa zgjatjen e afatit për dorëzimin e ofertave bie ndesh me ligjin. Afati i shkurtër për furnizim vetëm 10 ditë,  sipas kompanisë, është i pamundur për mbulimin e tërë territorit të Kosovës.  Përdorimi i emrave tregtarë në përshkrimin e produkteve kufizon konkurrencën dhe ofertimin e produkteve ekuivalente. Korrigjimi i kushteve të tenderit, pa njoftuar ofertuesit për mundësinë e ankesës. Kategorizimi i tenderit si “emergjent” pa bazë ligjore, duke e ngushtuar garën”, thuhet në ankesën e “Trimi Med” të deponuar në OSHP.

Në tenderin emergjent ka aplikuar “Medi Health” dhe një kompani tjetër.

KOHA ka kontaktuar me telefon këtë kompani më 17 korrik, në ditën e shpalljes si fituese, për të pyetur nëse do t’ia dalë që të bëjë shpërndarjen e materialit brenda afatit prej pesë ditësh, pasi që afatin 10-ditor të tenderit të rregullt e ka vlerësuar të pamjaftueshëm. Por në “Medi Health” nuk janë shprehur të gatshëm që të flasin lidhur me çështjen.

KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga SHSKUK-ja në lidhje me përzgjedhjen si fituese të kompanisë, e cila u pati ankuar për afat të shkurtër 10-ditor, teksa tash duhet ta bëjë shpërndarjen për vetëm pesë ditë. Por, nuk ka marrë përgjigje.

Ditë më parë KOHA ka raportuar se paralajmërimi për mungesë të mundshme të materialeve është konfirmuar nga Spitali i Gjilanit, sikur edhe nga spitalet e tjera rajonale në Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjakovë dhe Mitrovicë.

Në SHSKUK, i cili është institucioni përgjegjës për furnizimin e QKUK-së dhe të spitaleve rajonale, patën mohuar se ka krizë me materiale shpenzuese për hemodializë.

“Janë ndërmarrë të gjitha masat për furnizim të qëndrueshëm. Njësitë shkëmbejnë materiale sipas nevojës. Pacientët do ta vazhdojnë trajtimin pa ndërprerje”, është thënë në një përgjigje të mëhershme të SHSKUK-së.

Hemodializa është trajtim me anë të së cilit pacientëve që kanë probleme me veshka u pastrohet gjaku nga uji çdo tri ditë. Moskryerja e këtij procesi e rrezikon jetën e pacientëve.