Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka pranuar se stoku i materialit shpenzues për dializë është zero. E ka bërë këtë në dosjen e tenderit emergjent për furnizim me materiale. Me kontratën e lidhur, SHSKUK-ja ka shkurtuar afatin e furnizimit dhe ka rritur vlerën me të cilën blihen medikamentet.
Të premten, të gjithë pacientët që u nënshtrohen seancave të hemodializës në Spitalin e Pejës kanë marrë trajtimin e rregullt, megjithatë, disa prej tyre kanë shprehur drojë nëse shërbimi do të mund të ofrohet edhe gjatë javës së ardhshme.
Një familjare e një pacienti që po qëndron në Kosovë për pushime, tha se pasiguria për mungesë të materialeve mjekësore iu është konfirmuar edhe nga stafi shëndetësor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Qe dy javë e bëjmë këtu dializën, në rregull u kanë deri sot, unë qetash niva se ka mungesë ama edhe për sot ka. Për mandej nuk e di..... Një motër e pyeta, edhe ajo tha ka mungesë po prej kuhit nuk e dijmë, ama edhe sot ne e krymë.....veç ujin e përmenden”, ka thënë Ganimete Selmanaj, familjare e pacientit në dializë.
Se stoku i materialit shpenzues për dializë ka arritur në fund gjatë kësaj jave, u konfirmua edhe në dosjen e tenderit emergjent për furnizim të hapur dy ditë më parë.
“Bazuar në njoftimin e njësisë së kërkesës Barnatore Qendrore, stoku i materialit shpenzues për dializë është zero”, thuhet në dosjen e tenderit emergjent.
Për të arritur finalizimin sa më të shpejtë të kontratës dhe furnizimin me material shpenzues për dializë, ShSKUK-ja në këtë tender ka bërë disa ndryshime, duke përfshirë rritjen e vlerës totale dhe shkurtimin e afatit të furnizimit.
Kësaj radhe është shkurtuar për katër ditë afati i liferimit të materialit, pasi ai do të jetë 1 ditë kalendarike nga marrja e porosisë.
Tenderi paraprak emergjent pati dështuar, pasi të dy ofertat e dorëzuara kanë qenë me çmime më të larta se vlera e parashikuar e kontratës. Por në tenderin e ri, ShSKUK-ja rriti vlerën për afro 100 mijë euro, duke bërë të mundur përzgjedhjen e ofertës fituese.
Kësisoj, për të tri lotet, SHSKUK-ja i dha kontratë kompanisë “Medicom”, në vlerë prej 479 mijë e 532 euro, ofertë kjo për gati 4 mijë euro më e lirë sesa në tenderin paraprak.
Kjo kontratë është gjashtëmujore dhe parashihet të ndërpritet automatikisht në momentin e lidhjes së kontratave të rregullta.
Tenderi i rregullt, me vlerë 5 milionë euro dhe i ndarë në nëntë lote, është i pezulluar që nga muaji qershor pas ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Që nga fillimi i javës, KOHA ka raportuar se spitalet rajonale dhe QKUK-ja janë duke u përballur me furnizim jo të qëndrueshëm me materiale për hemodializë dhe në disa ditë edhe me mungesa të plota.