Dështimi i votimit të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike nuk pengon zbatimin e disa masave për rimëkëmbje, të cilat nuk kërkojnë ndryshime të legjislacionit.
Sipas zëvendësministrit të Financave, Agim Krasniqi, dy prej masave, si ajo për mbështetje të arsimit dhe mbështetje të komunave, kanë filluar që të zbatohen.
“Ne kemi menduar që masa që nuk kërkojnë miratim të ligjit dhe që kanë të bëjnë me mbështetje të sektorëve të caktuar përmes ministrive të linjës besoj që shumë shpejt do të fillojnë të zbatohen aq sa ka mjete buxhetore. Masat e tjera që kanë të bëjnë me ndryshime të legjislacionit në administratën tatimore dhe Trust duhet të priten që këto ligje të kalojnë përmes Ligjit për rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë ai.
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike është përcjellë në Kuvend para se deputetët të shkojnë në pushime, por në mungesë të kuorumit ai nuk është votuar. Në votim është hedhur edhe në sesionin vjeshtor, por sërish ka dështuar.
Për t’i bindur partitë politike që të arrijnë një konsensus për miratimin e këtij projektligji, përfaqësuesit e bizneseve kanë filluar komunikimin me këto parti për harmonizim të qëndrimeve për rimëkëmbjen ekonomike.
Ato kanë dalë edhe me propozime konkrete për ndihmë të sektorit privat.
“Ideja është që të përkrahim kompanitë drejtpërdrejt që ta ruajnë sadopak likuiditetin, përkrahjen e eksportit, që të lëmë paratë në ekonominë tonë, kur po i përkrahim kompaninë. Ka edhe diskutime se si me rrit kërkesën agregate, një përkrahje apo shpërndarjen e mjeteve për qytetarë deri në fund të vitit, por që kjo është duke u diskutuar. Për dy të para kemi harmonizim”, ka thënë Berat Rukqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Sipas Odës Ekonomike, të dhënat tregojnë se janë rreth 1 miliard euro më pak qarkullim krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo reflekton tek bizneset, tek të hyrat e shtetit, si dhe në rritjen ekonomike. Nëse kjo situatë vazhdon, hendeku do të rritet dhe rikuperimi do të jetë më i ngadaltë.
Edhe nga Ministria e Financave e pranojnë se nëse nuk intervenojnë shpejt, humbjet ekonomike do të jenë të mëdha dhe do të ketë zvogëlim të të hyrave. Ajo nuk ka përjashtuar mundësinë që të shikojë shpenzimet edhe në sektorin publik.