Qytetarët nga Medvegja, Bujanoci e Preshevë, që prej vitesh jetojnë në Kosovë, janë ankuar se u është pamundësuar pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës në Serbi, si pasojë e pasivizimit të adresave dhe marrjes së dokumentacionit. E kryesuesi i kuvendit komunal në Gjilan dhe kryetari i lëvizjes “Vatra”, Kushtrim Kadriu, shpreh vërejtjen që çështja e shqiptarëve të Luginës nuk është ngritur asnjëherë në dialogun e Brukselit
Shumë shqiptarëve të Medvegjës, Bujanocit e Preshevës, që jetojnë në Kosovë, do t’u pamundësohet votimi për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në zgjedhjet parlamentare në Serbi, që do të mbahen të dielën.
Disa nga këta qytetarë, që prej vitesh janë vendosur në Fushë-Kosovë, theksojnë se votimi në zgjedhje u është bërë i pamundur si pasojë e pasivizimit të adresave nga shteti serb.
Njëri prej tyre, Rahon Pajaziti, ka thënë se me gjithë që bashkë me familjen posedon tokë në Medvegjë, ai nuk figuron në listë të votuesve.
“Vëllai e ka kontrolluar. Nuk jemi atje hiç, kërkund hiç nuk jemi... Duhet me shku, si nuk duhet me shku, pasi jemi qytetarë të atjehit. Duhet me shku, po masi nuk kemi vendbanim, nuk kemi kurgjo, ne jemi të shlyer prej atjehit”, ka thënë Pajaziti.
E Halil Hiseni, i cili prej pesë dekadash punon në Gjermani, e ka ardhur për vizitë te familja në Fushë-Kosovë, thotë se megjithëse i është pasivizuar adresa e banimit në Medvegjë, ai të dielën do të shkojë për të votuar në zgjedhjet serbe.
“Kom ardhë tona herët që u dashtë me votu edhe jam i fshatit Topallë, komuna e Medvegjës. Është mjerim i madh që na kanë çlajmëru. Edhe ata vetë kanë thanë që kemi me pru në dy, që jemi kanë në 1981, 46 për qind shqiptarë janë kanë në Medvegje. E sot nuk janë as 2 për qind. Po shkojmë po votojmë, kur të vijë koha me shku me votu, si nesër që po mendojmë me shku.
Mbesim nëpër kufi derisa të kapërcen vakti atje, ka ndodhur, keni pa edhe vetë, s’kemi çka me thanë”, ka thënë Hiseni.
Kushtrim Kadriu, kryesues i kuvendit komunal në Gjilan dhe kryetar i lëvizjes “Vatra”, thotë se që nga viti 2005 ka alarmuar për pasivizimin e adresave dhe për marrjen e dokumenteve të shqiptarëve të Kosovës lindore. Ai shpreh vërejtjen se kjo çështje nuk është ngritur asnjëherë në dialogun e Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë.
“Serbia më vetëm e ka arritur zenitin me këtë punë. Mendoj që rreth 90 për qind e banorëve të shpërngulur nga Kosova Lindore që jetojnë në Republikë të Kosovës janë pasivizuar dhe dokumentet e tyre nuk janë valide, e në këtë rast edhe ata nuk mund se si të votojnë jo vetëm në zgjedhjet parlamentare, por edhe në ato lokale dhe kanë humbur të gjitha të drejtat... Nuk e kanë bërë një nga kushtet parësore të dialogut Kosovë-Serbi, e në këtë rast, kjo padrejtësi do t’u përmirësohej këtyre qytetarëve dhe në këtë rast ato do të mund t’i gëzonin të drejtat e tyre si qytetarë”, ka thënë Kadriu.
Edhe në një raport të publikuar javë më parë në Beograd nga Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut, është bërë e ditur se rreth 3 mijë e 500 shqiptarë të Luginës së Preshevës janë fshirë nga listat e votimit në Serbi. Aty u theksua se pasivizimi është përdorur si instrument politik për të ndryshuar strukturën demografike dhe etnike të jugut të Serbisë.