Një ditë para vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, në Ballkan, një dokument i brendshëm është shpërndarë mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i cili ka shkaktuar diskutime mbi mundësinë e pezullimit të regjimit të udhëtimeve pa viza për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për vendet ish-sovjetike.
Tri vendet e BE-së, Gjermania, Franca dhe Italia, kanë paraqitur një kërkesë që mban datën 27 shtator duke e argumentuar me numrin e lartë të kërkesave për azil apo qëndrimin përtej 90 ditëve të lejuara. Një gjë e tillë ndodh, kur Shqipëria aktualisht pret një përgjigje pozitive për sa i përket hapjes së negociatave me BE-në.
Dokumenti i shpërndarë mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian vjen pak ditë para takimit të nivelit të lartë mbi vendet e Ballkanit Perëndimor e mbi Ukrainën, që priten të mbahen në muajin tetor nën Presidencën sllovene të KE-së. Në këtë dokument, që është publikuar nga “Euobserver”, vlerësohet se udhëtimi pa viza mes Bashkimit Evropian e vendeve të Ballkanit Perëndimor është një arritje e rëndësishme e po ashtu dhe me vendet ish-sovjetike nën nismën e partneritetit lindor. Por duket se jo të gjitha vendet anëtare janë të kënaqura, pasi dyshohet mbi një abuzim të këtyre vendeve me këtë të drejtë udhëtimi 90-ditor pa viza në territorin e BE-së. Në veçanti, Gjermania rendit Shqipërinë e Serbinë mes 10 vendeve me numrin më të lartë të emigrantëve të parregullt e kërkesave për azil, me gjithë uljen që u shënua një vit më parë nga pandemia globale.
Gjermania ka regjistruar një rritje emigracioni të parregullt e banim të paautorizuar në territorin e tyre nga vendet, si Shqipëria, Serbia, Moldavia e Ukraina. Në dokument delegacioni gjerman nënvizon se nëse nuk do të ketë ngadalësim apo përmirësim nga vendet e treta ndaj këtij fenomeni, pezullimi i udhëtimeve pa viza do të jetë një opsion real.
Të njëjtat pakënaqësi ndaj Shqipërisë, Serbisë e Gjeorgjisë mbi këtë fenomen ka shprehur edhe Franca.
Italia, nga ana e saj, shprehet se e konsideron angazhimin e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushat e drejtësisë, sigurisë dhe lirive themelore si të kënaqshme dhe mbështet zbatimin e reformave në këta sektorë.
“Për këtë qëllim, Ministria e Brendshme italiane është e angazhuar në projektin ‘Kundërvënia ndaj krimit të rëndë në Ballkanin Perëndimor’, e që ka për qëllim nxitjen e standardeve të funksionimit të institucioneve gjyqësore dhe policore në këto pesë vende drejt aderimit të ardhshëm në Bashkimin Evropian. Sipas kësaj nisme, oficerët e policisë italiane janë vendosur në kryeqytetet e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur autoritetet lokale në luftën kundër krimit të organizuar dhe duke kontribuar në forcimin e mekanizmave të ndarjes së informacionit”, thuhet në qëndrimin e Italisë.
Mbi problematikën me sistemin e udhëtimeve pa viza me këto vende, Italia shprehet e shqetësuar me Moldavinë, duke nënvizuar se rrjeti i trafikut të paligjshëm njerëzor po abuzon me këtë sistem. Qeveria e Romës ka hedhur idenë e pezullimit të udhëtimeve pa viza për Moldavinë në rast të thellimit të këtij fenomeni.
Që nga janari i vitit 2008 deri më korrik 2021 janë rreth 234 mijë shqiptarë që kanë kërkuar gjithsej azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian (BE), sipas statistikave të publikuara nga EUROSTAT-i. Gjermania është vendi kryesor ku janë drejtuar ata që ikin në kërkim të një jete më të mirë. Sipas EUROSTAT-it, kërkesat gjithsej për azil në Gjermani për periudhën në fjalë ishin rreth 95 mijë, ose rreth 40% e totalit. Shteti i dytë më i preferuar është Franca, me rreth 63 mijë kërkesa gjithsej për azil, ose 26% e totalit. Më pas renditet Mbretëria e Bashkuar, me 21 mijë kërkesa gjithsej (rreth 9%). Për Mbretërinë e Bashkuar të dhënat janë raportuar deri në fund të vitit 2020. E katërta është Greqia, me 16.5 mijë kërkesa (7%), e ndjekur nga Suedia, me 4.5% të totalit. EUROSTAT bëri të ditur se këtë vit dy shtetet më të preferuara nga azilantët janë Franca, që ka parë një rritje të fortë në korrik, me 650 kërkesa, nga 270 muajin e mëparshëm. Ndërsa në qershor, pas Francës renditej Greqia, me 165 kërkesa (ky shtet nuk ka raportuar ende për korrikun).
Valët e migrimit dhe azilkërkuesit nga Shqipëria, por edhe ato nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe ish-republikat sovjetike kanë dëmtuar edhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ish-deputeti i PD-së, Genc Pollo, ka shpërndarë para 10 ditësh në “Twitter” një postim nga Gerald Knaus i Nismës Evropiane të Stabilitetit, ku sqaron se po dëgjon se mosdhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën lidhet me valët e migrimit dhe azilkërkuesit nga Shqipëria. Knaus konfirmon se numri i shumtë i azilantëve nga Shqipëria në Francë etj. ka bërë qe Franca e disa shtete të BE-së të jenë të rezervuara për të përkrahur liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Nuk janë marrë 10 mijë aplikime për azil nga asnjë vend (pa viza) i Amerikës së Jugut në 2019, sa janë marrë nga Shqipëria”, shkruan Knaus.
Ish-deputeti i PD-së, Genc Pollo, thotë se këtë arsyetim e dëgjon për herë të parë dhe kjo është një dështim i Qeverisë Rama. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e shikon largimin e qytetarëve nga vendi si një fenomen joshqiptar. Rama thotë se largimi për një jetë më të mirë dhe më shpejt, është i shtrirë në të gjithë Evropën ish-komuniste dhe disa vende të BE-së. Sipas tij, nuk ka formula magjike apo receta çudibërëse për të ulur këta numra, por do të bëhet më e mira. Kreu i qeverisë ka marrë si shembull Portugalinë, ku, sipas tij, ka regjistruar në vitet e fundit një numër largimesh që, sipas tij, është i konsiderueshëm.
Në vitin 2019, Qeveria holandeze, pas kërkesës së bërë nga Parlamenti i vendit më 16 prill të po atij viti, i dërgoi një kërkesë Komisionit Evropian ku i kërkohej të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Holanda lidhur me rikthimin e vizave për Shqipërinë. Arsyeja kryesore se përse Holanda kërkoi rikthimin e vizave me Shqipërinë ishte si pasojë e rritjes së aktivitetit të rrjeteve kriminale shqiptare në Mbretëri. Komisioni Evropian nuk e aprovoi kërkesën e Qeverisë së Holandës.
Prej dhjetorit të vitit 2009 është lejuar udhëtimi pa viza drejt BE-së nga vendet, si Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kjo u pasua në vitin 2010 me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, Moldavinë në vitin 2014 dhe Gjeorgjinë dhe Ukrainën në vitin 2017.