Arbëri

LIVE: Zgjedhjet në Shqipëri

Shqiperi - zgjedhjet

Shqipëria po voton këtë të diel Parlamentin e ardhshëm.

5,225 Qendra Votimi në të gjithë vendin janë të hapura për qytetarët nga ora 07:00 deri në orën 19:00.

3,713,761 shtetas shqiptarë brenda dhe jashtë vendit votojnë për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm.
Në këto zgjedhje parlamentare, do të garojnë 2046 kandidatë për deputetë, që përfaqësojnë 11 parti dhe koalicione zgjedhore.
Kësaj radhe, në asnjë qark të vendit, nuk konkurron asnjë kandidat i pavarur.
Vetëm në njësinë 10 në Tiranë dhe në bashkinë Vorë, do të votohet dhe numërohet në formë elektronike.
Për herë të parë në këto zgjedhje votojnë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Diaspora ka votuar dhe përmes postës votat kanë mbërritur në vendin tonë dhe do të numërohen nga KQZ pas mbylljes së procesit të votimit në vend.
Në nismë janë raportuar disa probleme në qendra të votimit, që ka vonuar hapjen e tyre.
Subjektet politike:

Në garë për sa më shumë vende në Kuvend janë 11 subjekte zgjedhore:

1. -Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore
2. Partia Lëvizja Bashkë
3. Lëvizja Atdheu
4. Koalicioni Euroatlantik
5. Partia Socialiste
6. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet
7. Aleanca Kombëtare Shqiptare
8. Aleanca Demokracia e Re
9. Koalicioni Djathtas për Zhvillim
10. Partia Mundësia
11. Partia Social Demokrate

Si ndahen mandatet sipas qarqeve:

Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin prej 12 qarqeve të vendit prodhohen mandate, bazuar në popullsinë e secilit qark. Sipas listës së miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbi ndarjen e mandateve në 12 qarqet e vendit, 140 karriget në Kuvend ndahen si më poshtë:

1-Qarku Berat 7 mandate
2-Qarku Dibër 5 mandate
3-Qarku Durrës 14 mandate
4-Qarku Elbasan 14 mandate
5-Qarku Fier 16 mandate
6-Qarku Gjirokastër 4 mandate
7-Qarku Korçë 10 mandate
8-Qarku Kukës 3 mandate
9-Qarku Lezhë 7 mandate
10-Qarku Shkodër 11 mandate
11-Qarku Tiranë 37 mandate
12-Qarku Vlorë 12 mandate
 

Nis publikimi i rezultateve preliminare

4 o. më parë / 11 maj 2025 22:44
Rezultatet preliminare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka nisur publikimin e rezultateve zgjedhore në platformën online.

Janë publikuar rastet e para të një qendre votimi, ku Partia Socialiste i ka marrë 130 vota.

Partia Demokratike i ka marrë 52 vota, derisa kjo është vetëm një nga 5.225 qendrat e votimit.

Rezultatet po përditësohen vazhdimisht.

KQZ-ja publikon pjesëmarrjen e votimit në zgjedhje, qarqet që kryesojnë

4 o. më parë / 11 maj 2025 21:56
Zgjedhjet

Procesi i votimit për zgjedhjet e 11 majit është mbyllur në mënyrë zyrtare në orën 19:00. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të ardhura nga 3010 qendra votimi nga gjithsej 5225, pjesëmarrja në rang kombëtar është regjistruar në 42.16%.

Qarku me pjesëmarrjen më të lartë është Dibra, me 50.10% të votuesve që kanë marrë pjesë në proces.

Pas saj vjen Tirana me një përqindje prej 48.73%, që gjithashtu përfaqëson edhe numrin më të madh absolut të votuesve, 279,104 zgjedhës. Kukësi renditet i treti me një përqindje të lartë pjesëmarrjeje prej 46.15%.

Në anën tjetër të renditjes është Vlora, ku pjesëmarrja rezulton më e ulëta në vend, me 31.49%, ose 62399 votues, e ndjekur nga Shkodra me 36.78%, ose 68410.

Ja si paraqiten pjesëmarrjet në qarqet e tjera:

Berat: 39,955 votues – 39.55%

Durrës: 83,740 votues – 40.53%

Elbasan: 59,305 votues – 42.13%

Fier: 120,433 votues – 42.02%

Gjirokastër: 19,744 votues – 39.23%

Korçë: 61,088 votues – 40.91%

Lezhë: 28,966 votues – 41.56%

KQZ pritet të vijojë përditësimin e të dhënave edhe nga qendrat e tjera në vijim të procesit të numërimit./euronews

PS-ja fton për qetësi: Rezultati është në kuti

5 o. më parë / 11 maj 2025 21:26
Elena Kace

Partia Socialiste iu ka bërë thirrje simpatizantëve të saj që të ruajnë qetësinë, derisa po zhvillohet procesi i numërimit të votave.

Elena Kace, përfaqësuese e kësaj partie, tha para mediave se “rezultati është në kuti dhe mos keni dyshim që askush do e ndryshojë atë”..

Ajo ftoi për shmangie të provokimeve.

Kace tha se mospublikimi i rezultateve të Vorës dhe Njësisë 10 nga KQZ-ja është vendim arbitrar që bie ndesh me logjikën e votimit elektronik.

Berisha: Kemi rritje të votës, bandat e Ramës po ndikojnë në rezultat

5 o. më parë / 11 maj 2025 20:58
Sali Berisha

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se sovrani foli të dielën nëpërmjet votës, duke iu bërë thirrje komisionerëve për numërim pa presion.

Ai akuzoi kreun i Partisë Socialiste, Edi Rama, se i ka “vërshuar” bandat në qytetin e Durrësit dhe në disa qytete tjera.

“Sovrani foli, vota është në duar të komisionerëve, me përgjegjësinë më të madhe, në Durrës, bandat e pojës dhe troplinit kanë vërshuar drejt KZAK-së, me urdhrin nga Edi Rama se mund të ndikojnë në rezultat. Kjo s’është vetëm në Durrës, por ata janë më aktivë. Janë denoncuar, qoftë nga mediat apo nga PD-ja. Edhe në zonat e tjera, Edi Rama ka zgjedhur një lloj presioni ndaj KZAK-ve”, ka thënë Berisha para mediave.

Ai kërkoi që komisionerët dhe numëruesit e votave të zbatojnë vetëm ligjin, teksa shtoi se “asnjë votë s’mund dhe s’duhet të numërohet nën presion”.

Berisha shtoi se në zonat tradicionale të PD-së ka rritje të ndieshme të elektoratit.

Berisha për procesin e votimit: Kemi gëzim në të gjitha anët

7 o. më parë / 11 maj 2025 19:21
Sali Berisha

Pasi kreu procesin e votimit paraditen e sotme, dhe pas mbylljes së orarit zyrtar të votimit, Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është drejtuar në selinë e PD-së nga ku ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat.

“Sot kam një përshëndetje të përzemërt për të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen e tyre në procesin e votimit dhe për ata që erdhën nga toka, deti dhe ajri, dhe firmosën sot ndryshimin”, tha ai.

Më tej, Berisha ka shprehur mirënjohjen ndaj punës së komisionerëve, për të cilën ai thekson se është bërë një punë e drejtë sipas ligjit.

I pyetur se si i duket procesi i deri tanishëm, kreu i PD-së shprehet mjaft i kënaqur.

“Kam një mirënjohje për komisionerët tanë, engjëj të vërtetë të votës së qytetarëve. Kanë bërë një punë shembullore, të guximshme duke evidentuar çdo shkelës të ligjit. Thirrja ime është të zbatojnë ligjin. Nga informacionet deri më tani, kemi gëzim në të gjitha anët”, përfundon Berisha./Euronews

Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit në Shqipëri

7 o. më parë / 11 maj 2025 19:04
KQZ

Ka përfunduar zyrtarisht orari i votimit për zgjedhjet parlamentare 2025 në Shqipëri.

Qytetarët të cilët nuk kanë mundur të votojnë, nuk do të kenë më mundësinë pas orës 19:00, përveç atyre që deri në ato momente ndodheshin në qendrat e votimit.

Tashmë kutitë do të çohen nga KQZ-ja për numërimin e votave dhe më vonë do të dalë dhe përgjigja e tyre./TCH

KQZ publikon shifrat, ja sa ishte pjesëmarrja deri në orën 18:00

7 o. më parë / 11 maj 2025 18:59
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat për pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 18.

Që prej momentit kur u hapën qendrat në të gjithë vendin, raportohet se pjesëmarrja ka qenë 40.91% nga 2423 qendra votimi që kanë çuar informacionin në KQZ.

Krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, ka një rritje me rreth 4.6% më shumë, ndërkohë që në zgjedhjet e përgjithshme të para katër viteve, pjesëmarrja deri në orën 18 ka qenë 45.48%./TCH

Kjo është dalja e votuesve deri në orën 16:00

10 o. më parë / 11 maj 2025 16:20
Zgjedhjet

Photo: KOHA

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka publikuar të dhënat e fundit mbi pjesëmarrjen në votime për zgjedhjet parlamentare në 12 qarqe.

Dibra udhëheq me 38.90 për qind, pasuar nga Kukësi me 37.42 për qind. Në Tiranë deri më tash të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 157 mijë e 403 qytetarë nga 423 mijë e 942 të regjistruar ose 37.17 për qind.

Fieri, një nga qarqet më të mëdha, ka raportuar një pjesëmarrje prej 33.79 për qind, ndërsa në Berat kanë votuar 19 mijë e 608 qytetarë nga 611 mijë e 642 ose 31.81 për qind.

Elbasani ka shënuar një pjesëmarrje prej 33.71 për qind, me 44 mijë e 43 votues nga 130 mijë e 643 të regjistruar.

Në Fier kanë votuar 52 mijë e 109 persona nga 154 mijë e 198 në qendrat e raportuara ose 33.79 për qind.

Gjirokastra ka një pjesëmarrje prej 31.03 për qind, me 15 mijë e 719 votues nga 50 mijë e 658 të regjistruar në qendrat e raportuara.

Në Korçë kanë votuar 50 mijë e 867 qytetarë nga 155 mijë e 902 ose 32.63 për qind.

Në Lezhë kanë votuar 15 mijë e 461 persona nga 48 mijë e 343 ose 31.98 për qind, ndërsa Durrësi shënon 30.50 për qind, raporton KosovaPress.

Vlora ka aktualisht përqindjen më të ulët 23.91 për qind, ose 31 mijë e 215 qytetarët me të drejtë vote nga 130 mijë e 528 sa janë të regjistruar.

KQZ-ja revokon akreditimin e vëzhguesve në Vorë

10 o. më parë / 11 maj 2025 16:34
KQZ

Pas konfliktit midis Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe një qytetari, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka marrë një vendim.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka revokuar akreditimin e komisionerëve në Vorë.

Revokimi i akreditimit është bërë për vëzhguesit e KZAZ-ve, KQV-ve dhe VNV-ve.

Përjashtohen vetëm vëzhguesit ndërkombëtarë dhhe ata të mediave./TCH

Deri në orën 15:00 votuan rreth 33 për qind të votuesve

11 o. më parë / 11 maj 2025 15:45
Ilirjan Celibashi

Foto: Euronews Albania

Në Shqipëri po vazhdon procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, ku qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate, raporton "Anadolu". 

Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pjesëmarrja deri në orën 15:00 është 33,01 për qind, shifër që i referohet të dhënave nga 2.387 qendra votimi, nga 5.225 në total.

Procesi i votimit në Shqipëri filloi në orën 07:00 dhe do të përfundojë zyrtarisht në orën 19:00.

Të drejtën e votës e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë.

Risia kryesore e zgjedhjeve është votimi nga jashtë Shqipërisë, pasi për herë të parë votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Procesi i votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit filloi më 15 prill 2025 në rrugë postare.

Zgjedhjet vëzhgohen nga një mision i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Delegacione vëzhguese gjithashtu ka edhe nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe një delegacion nga Parlamenti Evropian, si dhe nga organizata të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

 

KQZ publikon shifrat, ja sa ishte pjesëmarrja deri në orën 14:00

12 o. më parë / 11 maj 2025 14:53
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat për pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 14.

Që prej momentit kur u hapën qendrat në të gjithë vendin, raportohet se pjesëmarrja ka qenë 29.53% nga 2276 qendra votimi që kanë çuar informacionin në KQZ.

Krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, ka një rritje me rreth 2.2% më shumë, ndërkohë që në zgjedhjet e përgjithshme të para katër vjetëve, pjesëmarrja deri në orën 14 ka qenë 35.62%./TCH

Rrihen në banesë bashkëshortja dhe djali i një komisioneri në Pogradec, pas një konflikti të nisur në qendër votimi

12 o. më parë / 11 maj 2025 13:59
Pogradec

Në një qendër të votimit në Pogradec erdhi te një konflikt fizik, ku një komisioner i Partisë Socialiste, E.G. (52) u sulmua fizikisht nga 63-vjeçari L.T. 

L.T., babai i kryetares së asaj qendre votimi, dyshohet se goditi E.G. për shkak të një debati që patën për votimin e personave me asistencë. 

L.T. u arrestua, por aty nuk përfundoi çështja. Policia e Shqipërisë ka raportuar se rreth orës 13:00 nipërit e të arrestuarit, R.T., E.M. dhe D.M. shkuan në banesën e komisionerit të PS-së, E.G. dhe i sulmuan fizikisht bashkëshorten dhe djalin e tij. Djali po merr trajtim mjekësor në spital dhe është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa bashkëshortja ka dorëzuar kallëzim penal ndaj sulmuesve. 

“Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe kapjen dhe shoqërimin e këtyre  shtetasve”, thuhet nga Policia. 
 

 

Policia në Shqipëri njofton për disa raste të fotografimit të votës

13 o. më parë / 11 maj 2025 13:48
Policia

Policia e Shqipërisë ka njoftuar për pesë raste të fotografimit të votës deri më tash. Katër persona janë arrestuar në Tiranë e një në Elbasan. 

Në Tiranë në një rast janë arrestuar dy persona, H.D. (57) dhe R.L. (28) për fotografim të votës, e në një rast tjetër është arrestuar 56-vjeçarja A.H. për fotografim të votës. U arrestua në Tiranë edhe 34-vjeçari R.F. për fotografim vote, pasi e kishte publikuar fletëvotimin në rrjete sociale, ka njoftuar Policia e Shqipërisë. 

Po ashtu u arrestua nën dyshimin për fotografim të votës edhe një 56-vjeçare në Elbasan.

Po ashtu mediumet në Shqipëri raportuan për një rast në Librazhd.

KQZ: Deri në 12:00 votuan mbi 21 për qind e votuesve

13 o. më parë / 11 maj 2025 13:37
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka publikuar shifrat për daljen në zgjedhje deri në orën 12.

Që prej momentit kur u hapën qendrat në të gjithë vendin, raportohet se pjesëmarrja ka qenë 21.61% nga 3134 qendra votimi që kanë çuar informacionin në KQZ.

Krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, ka një rritje me rreth 3% më shumë, ndërkohë që në zgjedhjet e përgjithshme të para katër viteve, pjesëmarrja deri në orën 12 ka qenë 27.24%./TCH

Voton Berisha: Do të kemi një ditë të dytë vere

14 o. më parë / 11 maj 2025 12:14
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka votuar në shkollën “Kosova” në Tiranë.
Berisha ka votuar i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, djali i tyre dhe bashkëshortja e tij.

Pas votimit ai apeloi qytetarët në Shqipëri që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, derisa u shpreh se “do të kemi një ditë të dytë vere”.

“Së pari, një thirrje zemre për çdo qytetar shqiptar, sot të votojnë të votojnë për veten e tyre, për fëmijët, pensionet dhe rrogat e tyre, punën, punësimin, biznesin, fermën e tyre, të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre në këtë vend. Unë takova njerëz të gëzuar, të sigurt në votën e tyre... Do të kemi një ditë të dytë vere, thirrja ime votoni, votoni”, tha Berisha./KP

KQZ: Deri në orën 11 votuan mbi 16% të qytetarëve

14 o. më parë / 11 maj 2025 12:07
KQZ-Shqipëri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka publikuar shifrat për pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 11:00.

Që prej momentit kur u hapën qendrat e votimit në të gjithë vendin, raportohet se pjesëmarrja ka qenë 16.76% nga 2559 qendra votimi që kanë çuar informacionin në KQZ.

Krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të dy vjetëve më parë, ka një rritje me rreth 2% më shumë, ndërkohë që në zgjedhjet e përgjithshme të para katër vjetëve, pjesëmarrja deri në orën 11 ka qenë 20.81%.

Raportohet për përplasje fizike mes komisionerëve në Lushnjë

14 o. më parë / 11 maj 2025 12:10
Perplasje fizike ne Lushnjë

Është raportuar për përplasje fizike mes komisionerëve të PD-së dhe PS-së në një qendër votimi në Lushnjë. 

Sipas komisionerëve të pranishëm, komisionerët e PD janë ankuar se ata të PS kanë filmuar votat e qytetarëve.

“Në mëngjes kanë ardhur anëtarët bashkë me sekretarin dhe kryetarin, anëtari i PD ka kërkuar të mbyllen kamerat, në atë moment ka ndodhur përplasja e parë. Më pas u mbyllën kamerat. Ka pasur pretendime nga anëtari i PD se ai i PS po bënte foto”, ka thënë njëri prej komisionerëve, shkruan “TCh”. 

Pas këtij incidenti, votimi është pezulluar përkohësisht. 

E një përplasje fizike është raportuar edhe në një qendër në Pogradec.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më parë, Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçë, arrestuan në flagrancë për veprën penale "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve ne zgjedhje" dhe "Goditjet për shkak të detyrës", parashikuar nga neni 329/2 dhe 237 K penal, ndaj shtetasin L. T, 63 vjeç, banues në Pogradec. Arrestimi i tij u bë, pasi më datën 11.05.2025, rreth orës 10.30, ky shtetas ka hyrë në QV Nr.3901 në Pogradec, dhe ka goditur duke i shkaktuar dëmtime fizike, shtetasit E.G 52 vjeç (me detyrë anëtar komisioni i forcës politike Partia Socialiste e Shqipërisë) në këtë qendër votimi. Ky shtetas e ka goditur për shkak se kryetarja e komisionit të kësaj qendre votimi, (e bija e shtetasit L.T)  ka pasur një debat me anëtarin e komisionit shtetasin E. G., në lidhje me votimin e personave me aftësi ndryshe, të moshuar etj, që të votojnë ose jo me shoqërues. Materiale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë. 

Rama voton në Surrel: Të presim çfarë do të thotë populli

15 o. më parë / 11 maj 2025 11:05
Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste njëherësh Kryeministri Edi Rama shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama kanë votuar në në shkollën “Ymer Lala” të Surrelit.

“Të presim çfarë do të thotë populli”, tha ai për mediat shqiptare.

Ndërkohë që dha edhe një prononcim për mediat e huaja, ku tha: Ta bëjmë Shqipërinë pjesë të BE.

Presidenti Begaj voton: Qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre pa presion

16 o. më parë / 11 maj 2025 10:10
Bajram Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj votoi në njësinë nr 3, “Kongresi i Lushnjës”, ku shoqërohej nga Zonja e Parë, Amanda Begaj.

Në një prononcim për mediat, ai u shpreh se qytetarët duhet të shprehin vullnetin e tyre pa presion.

“Është një proces i qetë, proceset zgjedhore janë të rëndësishme për vendin, kjo ditë e sotme ka një rëndësi të veçantë, kemi hapur negociatat për anëtarësimin në BE, për herë të parë voton diaspora, qytetarët duhet të shprehin vullnetin e tyre pa presion, po kështu duhet të jetë edhe procesi i administrimit dhe numërimit”, tha Begaj. /TCH
 

Lushnjë, dollapi i vjetër kthehet në dhomën e fshehtë të votimit

17 o. më parë / 11 maj 2025 09:49
Dollapi ne Zhane te Lushnjes u kthye ne kabine votimi

Një situatë e pazakontë po ndodh në fshatin Zhamë të Lushnjës.

Një dollap i vjetër në qendrën shëndetësore të fshatit Zhanë në këtë ditë zgjedhjesh është kthyer në dhomë votimi.

Qytetarët janë futur në dollapin e kthyer në dhomë votimi dhe kanë ushtruar të drejtën./TCH

“Kandidatët për deputetë tentuan të futen në QV”, Celibashi: Respektoni ligjin

17 o. më parë / 11 maj 2025 09:26
Ilirjan Celibashi

Foto: Euronews Albania

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë një thirrje  që kandidatët për deputetë t'i respektojnë ndalimet ligjore, duke reaguar ndaj raportimeve nga terreni se disa kandidatë për deputetë kanë tentuar të hyjnë në qendrat e votimit.

“KQZ ka marrë raportime nga terreni që kandidatë për deputetë kanë kërkuar të futen në qendrat e votimit. Bëjmë me dije se është qartësisht e ndaluar nga Kodi Zgjedhor prania e kandidatëve në qendrat e votimit. Kandidatët duhet ta respektojnë me rigorizitet këtë ndalim ligjor. Ata dhe përfaqësuesit e tjerë politikë, duhet të jenë të parët që duhet të kontribuojnë për integritetin e procesit zgjedhor”./Euronews Albania
 

Basha voton me vajzën e tij të madhe: Sot keni një të drejtë të çmuar, besoni tek Shqipëria

17 o. më parë / 11 maj 2025 09:11
Lulzim Basha

Kreu i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha ka votuar së bashku me vajzën e tij të madhe.

Vajza voton për herë të parë në këto zgjedhje.

“E kam këtë ftesë për brezin e ri, vajza ime e madhe voton për herë të parë, sot keni një të drejtë të çmuar, shkoni të votoni për vendin tuaj, besoni tek Shqipëria tek e ardhmja”, u shpreh Basha./TCH