Shqipëria numëron 162.4 të burgosur për 100 mijë banorë, shifër kjo më e larta në rajon. Sipas statistikave të Këshilli i Evropës që flasin për 49 vende, Shqipëria është ndër të parat në rajon edhe për përqindjen e femrave të burgosura, por është vendi i dytë në Evropë me përqindjen më të ulët të femrave të dënuara. Një statistikë tjetër tregon se shqiptarët janë grupi më i madh i të huajve në burgjet angleze, çfarë ka bërë që Mbretëria e Bashkuar të shprehë gatishmëri që ta ndërtojë një burg në Shqipëri, me qëllim transferimin e tyre
Shqipëria është ndër vendet e para në Evropë dhe e para në rajon për numrin më të lartë të të burgosurve në raport me popullsinë, tregojnë statistikat e publikuara nga Këshilli i Evropës (KiE).
Mesatarja evropiane për këtë tregues është 116.1 të burgosur për 100 mijë banorë, e Shqipëria numëron 162.4 të burgosur për 100 mijë banorë. Pas këtij shteti, në nivel rajoni renditet Serbia me 153.4 të burgosur për 100 mijë banorë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoStatistikat e Këshillit të Evropës flasin për 49 vende të Evropës. Raporti jep të dhëna krahasimore mes vendeve sa u përket karakteristikave të popullsisë në burgje dhe ato u referohen periudhës deri më 31 janar të vitit 2021.
Shqipëria është ndër të parat në rajon edhe për përqindjen e femrave të burgosura, por është vendi i dytë në Evropë me përqindjen më të ulët të femrave të dënuara. Femrat zënë 1.3 për qind të të burgosurve në këtë shtet.
Një tregues tjetër është dhe përqindja e totalit të të burgosurve mbi moshën 65 vjeç. Të dhënat e analizuara tregojnë se Shqipëria renditet mes vendeve të cilat kanë përqindjen më të lartë të këtij treguesi, duke u pozicionuar e 9-ta mes 49 vendeve, me 4 për qind të të burgosurve mbi 65 vjeç.
Shteti shqiptar është vendi i katërt në Evropë me përqindjen më të lartë të të burgosurve të cilët nuk marrin një vendim përfundimtar. Kjo shifër është e fiksuar në 50.3 për qind.
E sa i përket kohëzgjatjes mesatare të dënimit në Shqipëri, sipas Këshillit të Evropës, kjo kohë është 15.4 vjet, e cila e rendit këtë vend sërish ndër të parat në kontinent. Ndërkaq në Bashkimin Evropian mesatarja e dënimit është e fiksuar në 12.4 vjet.
Por shqiptarët konsiderohen si grupi më i madh i të huajve në burgjet angleze, si pasojë e marrjes nën kontroll të trafikut të drogës. Këto statistika tregojnë se 12 shqiptarë dënohen çdo muaj në 6 vjetët e fundit në Britani, për krime nga më të lehtat e deri tek ato të rënda, siç janë trafiqet, vrasjet, grabitjet me pasoja, e të tjera. Shifrat që përfshijnë periudhën maj 2015 – shkurt 2020 tregojnë se asnjë nacionalitet tjetër në rang global nuk ka më shumë të dënuar se shqiptarët në burgjet britanike – plot 1.833 për këtë periudhë. Pas shqiptarëve janë rumunët.
E 12 vjet më parë, shifra e të dënuarve nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar ishte vetëm 166. Sipas Ministrisë së Drejtësisë këto të dhëna tregojnë se shqiptarët në burgjet e Anglisë dhe Uellsit përbëjnë numrin më të madh të shtetasve të huaj. Sipas mediave britanike, shtimi i madh i të burgosurve nga Shqipëria në Britani ndodh pas krijimit të bandave të organizuara dhe të pamëshirshme shqiptare që janë futur në tregun e drogës në këtë shtet. Sipas raportimeve, ata jo vetëm që kontrollojnë tregtinë e drogës në rrugë, por edhe importin e dërgesave nga e gjithë bota.
Viteve të fundit është vënë re një shtim i theksuar i të dënuarve si të përfshirë në rritjen e kanabisit artificialisht nëpër shtëpi. Në raportin e NCA-së është mbërritur në përfundimin se “grupet kriminale shqiptare kanë krijuar tashmë një profil e influencë të lartë në krimin e organizuar në Mbretërinë e Bashkuar”.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në dhjetor të vitit të kaluar dy projektligje në funksion të bashkëpunimit për raste të tilla penale – me njërin nga to është ratifikuar marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar mbi transferimin e personave të dënuar, e tjetri për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes.
Në këto ligje shprehet si qëllim zhvillimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e së drejtës penale ndërmjet këtyre dy vendeve, si dhe çuarja më tej e qëllimeve të drejtësisë e rehabilitimit shoqëror të personave të dënuar. Pas ratifikimit të kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Shqipërisë u jepet mundësia shtetasve shqiptarë që janë të burgosur në Mbretërinë e Bashkuar që të mund të transferohen dhe dënimin ta vuajnë në Shqipëri afër njerëzve të tyre. Kjo marrëveshje rregullon aspektet procedurale që kanë qenë pezull dhe nxit bashkëpunimin e dy shteteve për personat e dënuar.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar harxhon për të burgosurit shqiptarë shpenzime të mëdha. Kostoja e një të burgosuri në Britani është 44.600 paundë për person në vit, ndërsa strehimi i shqiptarëve në burgje u kushton britanikëve rreth 80 milionë paundë çdo vit. Britania e Madhe është treguar e gatshme të ndërtojë një burg të ri ose të rinovojë një ekzistues në Shqipëri për të transferuar aty shqiptarët e dënuar nga gjykatat britanike.