Arbëri

Shpërthimi i veturës së u.d. të drejtorit së QKUK-së, Kurti: Sa më parë të zbardhet rasti

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas shpërthimit të veturës së ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, duke thënë se “krimi i organizuar dhe aksionet me elemente terroriste s’i trembin drejtorët tanë”.

Kurti ka shkruar në Facebook se ka takuar Hajdarin, teksa tha se dënon ashpër sulmin ndaj tij, duke i bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që sa më parë të zbardhin rastin”.

“Se krimi i organizuar dhe aksionet me elemente terroriste nuk i trembin drejtorët tanë e dëshmon deklarata publike e djeshme e z. Osman Hajdari, U.D. i Drejtorit të QKUK-së. Bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia e takuam sot atë si dhe Drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizi. E dënoj ashpër sulmin ndaj drejtorit Hajdari dhe i bëj thirrje organeve të rendit e të drejtësisë që sa më parë të zbardhin rastin dhe kryesit e këtij akti kriminal të sillen para përgjegjësisë”, ka shkruar Kurti të enjten.

Ai ka shtuar se reformat e bëra nga qeverisja e tij “kanë prekur interesua të ngushta të klaneve të ndryshme të instaluara për më shumë se 20 vjet në çdo pore të institucioneve tona”.

“Por, akte të tilla jo vetëm që nuk na ndalin, por na bëjnë edhe më këmbëngulës në punët e mira që po bëjmë”.