Pensionistët përballen me detyrimin për lajmërim çdo gjashtë muaj pranë Zyrave Pensionale për të dëshmuar se janë gjallë edhe mbi një muaj pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme që ka shfuqizuar pjesë të udhëzimit administrativ. Ligji në fuqi i obligon në lajmërim dy kategori pensionistësh teksa Supremja e ka larguar këtë detyrim për të gjithë përfituesit e tjerë të pensioneve. Por, megjithëkëtë, të gjithë pensionistët po detyrohen që për t’i marrë pensionet, t’ia dëshmojnë shtetit se janë gjallë
Janë bërë më shumë se një muaj qëkur Gjykata Supreme i ka liruar personat që marrin pension kontributpagues të moshës, atë invalidor, të paaftësisë së përhershme, si dhe atë familjar nga obligimi për t’u lajmëruar çdo gjashtë muaj në Departamentin e Pensioneve për të dëshmuar se janë gjallë.
Pas rrëzimit nga Supremja të disa neneve të udhëzimit administrativ, i cili i përfshinte të gjitha kategoritë, obligimi për paraqitje, sipas Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, u mbetet veç atyre që marrin pension bazik të moshës dhe atë të parakohshëm.
Por, në terren ndryshimi nuk vërehet. Të gjithë pensionistët ende lajmërohen në zyra të Departamentit Pensional dhe aty u caktohen edhe terminët e radhës për paraqitje.
Këtë e kanë konfirmuar disa prej pensionistëve që gjatë javës janë lajmëruar në këto zyra.
“Po po, ma cekën, po. Pas gjashtë muajsh në qershor”, ka thënë pensionistja Nurije Berisha-Prekaj.
E Fadil Ramadani ka thënë se është lajmëruar pasi një fqinj e ka informuar se duhet që ta bëjë këtë.
“Ai është lajmëruar dhe i kanë thënë se ende nuk u ka ardhur me shkresë ky ligji që s’ka nevojë më të lajmërohet. E tash se sa do të zgjatë, e a do të aprovohet ajo apo si, meqë po thonë se gjykata e ka pranuar atë, tash se si do të bëjnë këta nuk e di unë. Ma merr mendja se diçka duhet të ndryshojë, por është neglizhencë e madhe këtu. Këtu i mjeri ai që vjen”, është shprehur ai.
Pensionisti Halil Doda është shprehur i pakënaqur për këtë situatë.
“Po, po punojnë normalisht si më herët. Kur të vdesë pacienti, një kopje e raportit të mjekut u shkon financave dhe ai shlyhet automatikisht, por në qoftë se është puna që të punësohen dy veta, ai është tjetër problem. E në fakt, fare nuk është e nevojshme kjo...”, ka theksuar ai.
Vërejtje për këtë situatë ka shprehur edhe sekretari i Shoqatës së Pensionistëve të Prishtinës, Osman Vitia.
“Dihet aktgjykimi i gjykatës, por nuk është duke u zbatuar. Referenca e këtyre në zyra të pensioneve, na thonë që duhet të lajmëroheni derisa të na vijë vendimi. Ende thonë se nuk kemi vendim, prandaj na duhet të lajmërohemi”, ka thënë Vitia.
Në Institucionin e Avokatit të Popullit kanë thënë se nuk kanë informata se si është duke u zbatuar aktgjykimi i Supremes, teksa kanë bërë thirrje që Ministria e Financave të dalë me një sqarim. Në këtë institucion që prej vitit 2016 i kanë bërë vërejtje shtetit lidhur me këtë.
“Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar raport me rekomandime, ku është konstatuar se detyrimi për paraqitje çdo gjashtë muaj e cenon dinjitetin e pensionistëve. Në këtë raport, Avokati i Popullit i kishte rekomanduar atëherë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që të ndryshojë dispozitat e Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, që obligojnë paraqitjen e pensionistëve çdo gjashtë muaj dhe të funksionalizojë burimet e saj verifikuese në raport me statusin e pensionistëve”, është thënë në përgjigjen e Avokatit të Popullit për KOHËN.
Avokati Muhamet Mujaj, i cili e ka fituar padinë në Supreme për udhëzimin administrativ, ka theksuar se zyrtarë në Departamentin e Pensioneve, që vepron në kuadër të Ministrisë së Financave, ende nuk janë vetëdijesuar mjaftueshëm për zbatimin e aktgjykimit.
“Ka raste që janë vetëdijesuar e nuk po e praktikojnë t’i thërrasin në obligime të lajmërimit. Nëse vazhdohet me moszbatim, moszbatimi i vendimeve gjyqësore është vepër penale”, ka thënë ai.
Në Ministrinë e Financave nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me çështjen.
E, megjithëqë pensionistët kanë deklaruan se zyrtarë të Ministrisë u kanë thënë që nuk e kanë pranuar vendimin nga Supremja, të kundërtën e kanë pretenduar në këtë gjykatë.
Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu, ka thënë se përveçqë vendimi u është dorëzuar palëve, ai është publikuar tashmë edhe në Gazetën Zyrtare.
Përfituesit i humbasin mjetet nëse s’lajmërohen brenda 9 muajsh
Pensionisti Bajram Maloku i humbi 2 mijë euro gjatë vitit 2025, pasi që, për shkak të problemeve shëndetësore, nuk mundi të paraqitej me kohë në zyrat e pensioneve.
E kur u paraqit më vonë për të dëshmuar se është gjallë, ai e kuptoi se këto mjete as nuk do t’i kthehen.
“Ka ndodhur që nuk jemi lajmëruar me kohë, kemi qenë edhe të sëmurë, dhe nuk na ka shkuar ndërmend me u lajmëru. Kur kemi shkuar me u lajmëru, na kanë thënë: Jo, nuk jeni lajmëruar gjashtë muaj dhe u ndalohen ato mjete për periudhën që nuk jeni lajmëruar. Tash merre me mend, në Parlament nuk shkojnë gjashtë muaj për me u lajmëru dhe marrin rroga, e pensionistëve ua marrin mjetet, i sanksionojnë”, ka thënë Maloku.
Maloku thotë se veçse ka bërë ankesë në Zyrën e Pensioneve, ndërsa paralajmëroi që, në rast se çështja nuk zgjidhet, do ta çojë rastin në Gjykatë.
“Tash kam bërë ankesë aty në Ent, e nëse jo, duhet në Gjykatë me e çu lëndën. Nuk e di tash a është Gjykata Supreme më vendimmarrëse sesa këta... Ka shkuar një person është ankuar në Gjykatë dhe Gjykata ka marrë vendim se është i paligjshëm ai vendim për me ua sanksionu mjetet”, ka thënë tutje ai.
Me probleme të ngjashme janë përballur edhe pensionistë të tjerë që nuk janë paraqitur me kohë, për arsye të ndryshme. Sherif Kastrati, sekretar në Lidhjen e Pensionistëve, thotë se kjo praktikë e ndjekur nga institucionet përbën papërgjegjësi shtetërore.
“Ka shumë shembuj që kanë shkuar burrë e grua jashtë te fëmijët e tyre dhe kur kanë shkuar atje janë vonuar ose është sëmurë fëmija, ose janë sëmurë vetë dhe ka tejkaluar mbi tre muaj, ato pare janë mbetë, shteti nuk ua ka kthy kurrë. Nuk ka përgjegjësi pse ka ndodhë ajo, duhet të japë dikush llogari. Fatkeqësi e madhe shtetërore është që me i marrë të mjerit ato pensione”, ka thënë Kastrati.
Institucioni i Avokatit të Popullit thekson se Ligji për Skemat Pensionale nuk e konsideron mosparaqitjen si shkak për ndërprerjen e pensionit, por vetëm për suspendimin e përkohshëm të tij.
“Sipas Ligjit, mosparaqitja çdo gjashtë muaj nuk përbën shkak për ndërprerjen e pensionit, por vetëm shkak për suspendimin e përkohshëm të pagesës. Në aspektin juridik, ndërprerja e pensionit, si masë përfundimtare e paraparë me ligj, nuk është e njëjtë me suspendim të përkohshëm, i cili ka karakter kalimtar dhe nuk e shuan të drejtën e fituar”, ka thënë Petrit Çollaku, zyrtar për komunikim në institucionin e Avokatit të Popullit.
Sipas këtij institucioni, pensionistët duhet ta marrin pensionin e pezulluar sapo të kalojnë arsyet e suspendimit, dhe pagesa duhet të bëhet në mënyrë retroaktive.
“Avokati i Popullit vlerëson se suspendimi nga pagesa e pensionit për shkak të mosparaqitjes duhet të paguhet në tërësi dhe në mënyrë retroaktive, nga momenti i suspendimit, sapo të pushojnë arsyet që kanë çuar në suspendimin e pagesës. Në anën tjetër, Ligji për Skemat Pensionale e obligon Ministrinë që të ndërmarrë veprime aktive për monitorimin e burimeve ekzistuese të informatave, me qëllim të identifikimit të pensionistëve që kanë vdekur dhe se Avokati i Popullit vlerëson se kjo barrë nuk do të duhej të bartej në mënyrë disproporcionale mbi vetë pensionistët", ka theksuar tutje ai.
E avokati Zahir Hamza thotë se me konfiskimin e pensioneve, Ministria e Financave bën shkelje drastike të të drejtave sociale, të garantuara me ligj e Kushtetutë. Për këtë ai thotë se ka iniciuar disa raste në Gjykatën Administrative.
“Çdo pensionist, nëse i mohohet kjo e drejtë, fillimisht mund të parashtrojë ankesë administrative në Ministrinë përkatëse lidhur me ndërprerjen apo mohimin e kësaj të drejte, po ashtu është konflikti administrativ në Gjykatën Themelore në qoftë se vjen puna deri aty dhe kompensim të dëmit, pjesa e cila nuk i është kompensuar një pensionisti. Këto mjete janë të destinuara ekskluzivisht për pensionistët, jo t’i mohohet një e drejtë, ku për gjashtë muaj p.sh. këto mjete ku derdhen, ku janë”, ka thënë Hamza.
Sipas Hamzës, ka raste kur pensionistët fituan raste, porse edhe pas vendimit gjyqësor, Ministria nuk ua ktheu mjetet.
“Kemi raste në praktikë që e kanë fituar dhe i ka obliguar në këtë rast Ministrinë t’i kthejë mjetet për 6 muaj në mënyrë retroaktive, por Ministria nuk gjen një vullnet që të njëjta t’i kthehen një pensionit që është në moshë të shtyrë. Është problem që Ministria nuk i zbaton këto vendime në përputhje me legjislacionin që e parasheh, apo bazuar në ligjin mbi skema pensionale. Ministria heziton apo edhe madje nuk e zbaton vendimin e Gjykatës e në terminologjinë juridike është vepër penale moszbatimi i vendimeve gjyqësore....hapi i dytë është që të iniciohet një rast me kallëzim penal për moszbatimin e vendimeve gjyqësore dhe i vetmi hap i fundit është kjo, të iniciohet rasti për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ka thënë Hamza.
Në Ministrinë e Financave nuk kanë ofruar përgjigje se sa është numri i pensionistëve që ka pësuar si pasojë e moslajmërimit në zyrat e pensioneve brenda periudhës së caktuar, as se ku shkojnë mjetet e destinuara për to dhe se a parasheh ta rregullojë këtë çështje.
Udhëzimi administrativ i 2015-s për procedurat e lajmërimit dhe suspendimin nga pagesa, obligon shfrytëzuesit e pensioneve të lajmërohen çdo gjashtë muaj në departamentin e pensioneve. Nëse nuk lajmërohen brenda kësaj periudhe, ata suspendohen përkohësisht nga pagesa dhe kanë afat edhe tre muaj të tjerë për t’u lajmëruar në mënyrë që t’u kthehen mjetet.
Por në rast se pensionisti nuk lajmërohet në afat prej 3 muajsh, nga data e suspendimit, kërkesa e tij konsiderohet si riaplikim e pagesa nis të bëhet veç nga data e aplikimit.
Gjykata Supreme një muaj më parë ka liruar një kategori të pensionistëve për të mos u lajmëruar, por jo edhe qytetarët që marrin pension bazik apo të parakohshëm.
Në Kosovë llogaritet të jenë mbi 300 mijë pensionistë.
Pensioni kontributpagues është 318 euro, varësisht nivelit të arsimimit, kurse pensioni bazik apo i moshës është 150 euro.