Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” ka kërkuar nga institucionet komunale t’i mbikëqyrin aparatet kundër zjarreve nëpër shkolla me arsyetim se në disa raste afati i qëndrueshmërisë së tyre ka kaluar. Sipas kësaj OJQ-je, të gjitha objektet shkollore në bazë të ligjeve të MASHT-it, duhet të kenë shkallë emergjente dhe aparate kundër zjarreve.
Kenan Gashi, drejtor i OJQ-së “Avonet” ka thënë se duhet të krijohet siguri më e madhe për nxënësit nëpër shkolla, madje aparatet kundër zjarreve në disa objekte duhet të ndërrohen pasi që ato kanë një afat të qëndrueshmërisë.
“Ne si OJQ, kemi pranuar shqetësime nga prindërit se në disa objekte shkollore prej kohësh nuk janë ndërruar aparatet kundër zjarreve, andaj kjo paraqet rrezik për nxënësit në rast të ndonjë zjarri. Ne e dimë se komuna e ka të kontraktuar një kompani për mirëmbajtjen e këtyre aparateve, andaj i bëjmë kërkesë drejtorisë për arsim që t’i mbikëqyr apo t’i monitoroi të gjitha shkollat lidhur me këtë çështje”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, Komuna është kompetente të kontaktojë me secilin drejtor të shkollave për të parë se a janë servisuar të gjitha aparatet kundër zjarreve.
“Në shumicën e shkollave, aparatet kundër zjarreve nuk po vendosen sipas standardeve evropiane. Në shumë raste ato mbesin në tokë gjë që nuk është e preferuar, prandaj ne e sugjerojmë komunën që ta obligoi kompaninë që përveç ndërrimit të gjitha aparateve që ka nevojë të vendosen edhe në vendet adekuate afër hyrjes së shkollave dhe të vendosen nëpër korniza disa centimetra nga distanca e tokës”, ka thënë Gashi.
Granit Gashi banor nga Ferizaj, ka thënë se siguria nëpër shkolla duhet të rritet.
“Ne si qytetarë nuk mundemi t’i inspektojmë apo t’i kontrollojmë të gjitha shkollat rreth çështjes së aparateve kundër zjarrit, mirëpo ne kërkojmë që kjo punë të bëhet nga organet kompetente, pra nga Komuna. Për neve është me rëndësi që nxënësit të kenë siguri nëpër shkolla”, ka thënë ai.
Në anën tjetër drejtori i Arsimit në komunën e Ferizajt Afrim Llabjani, ka thënë se komuna e ka të kontraktuar një kompani private e cila e ka për obligim për mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve.
“Komuna gjithmonë kontrakton kompani për mirëmbajtjen dhe ndërrimin e aparateve kundër zjarrit për të gjitha institucionet publike përfshirë edhe objektet shkollore. Pastaj kompania e ka për obligim që t’i ndërroi ato çdo gjashtë muaj dhe mbikëqyrjen e tyre e bën edhe menaxheri i kontratës dhe drejtorët e shkollave. Sido që të jetë më kanë kontaktuar edhe mua drejtorët e shkollave për këtë punë, por ne do të angazhohemi për ta shikuar këtë çështje nëpërmjet drejtorëve të shkollave”, ka thënë Llabjani.
Ndërkohë KOHA ka kontaktuar me drejtorin e shkollës “Gjon Serreçi” Nazmi Heda i cili ka thënë se në objektin e tyre qëndrojnë mirë me këtë çështje.
“Ne vazhdimisht kërkojmë nga kompania që ta bën servisimin e aparateve kundër zjarrit dhe së fundi kjo ka ndodhur disa muaj më parë pas kërkesës sonë”, ka thënë Heda. Ai ka sugjeruar edhe drejtorët e shkollave të tjera për t’i bërë kërkesa të vazhdueshme kompanisë dhe komunës në mënyrë që aparatet kundër zjarrit të servisohen apo të ndërrohen çdo gjashtë muaj sipas afatit të qëndrueshmërisë.