Arbëri

Shoku i protestave, Bujar Dugolli beson se Kurti do të sjellë ndryshime pozitive

Albin Kurti e Bujar Dugolli, shoqërinë e tyre e filluan gjatë vitit 1997, në organizatën Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Në rezistencë kundër Milosheviqit në gusht të po atij viti, Albin Kurti u përfshi në këtë organizatë, si anëtar i kryesisë, e më vonë si zyrtar për marrëdhënie ndërkombëtare, raporton KTV.

Kjo lëvizje Studentore e 1997-s, e drejtuar nga Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi dhe Albin Kurti, e përkrahur dhe nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.

23 vjet pas, tashmë dekani i Fakultetit të Filozofikut, në Universitet të Prishtinës, Bujar Dugolli, kujton atë kohë.

Dugolli, shokun e tij e kujton si student të shkëlqyeshëm e një njeri që i bëri ballë çdo vështirësie.

Për fund, ai ka edhe një mesazh drejtuar Albin Kurtit. (ndiqeni në video)

Albin Kurti ishte edhe njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore më 1 tetor 1997, e cila u shtyp brutalisht nga policia e Milosheviqit.

Pas arrestimit të tij nga forcat serbe, Kurti, më 13 mars 2000 në Nish, u dënua me 15 vjet burgim, por si rezultat i presionit ndërkombëtar, u lirua më 7 dhjetor 2001.

Më 23 prill 2003, Kurti diplomoi në Fakultetin e shkencave kompjuterike dhe telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës dhe vazhdoi të jetë aktivist i të drejtave të njeriut dhe atyre civile. Më 2004, u themelua edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila që nga 2010-a, u shndërrua në parti politike.