Në procesin e racionalizimit të agjencive të pavarura është përfshirë përsëri Akademia e Drejtësisë, përkundër që BE-ja edhe më parë e ka kundërshtuar një gjë të tillë. Shoqëria civile e sheh si cenim të pavarësisë së sistemit të drejtësisë
Shkrirja e Akademisë së Drejtësisë nga institucion i pavarur në drejtori në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës është vënë përsëri në agjendën e Qeverisë. Vendimi i një jave më parë për racionalizim të kësaj akademie nuk i është bërë i ditur vetë Akademisë së Drejtësisë.
“Akademia e Drejtësisë është njoftuar përmes mediave për vendimin dhe propozimet në draft-projektligj. Në takimin e radhës së Këshillit Drejtues do të trajtohet kjo çështje dhe më pas do të dalim me prononcim”, kanë thënë nga kjo akademi për KOHËN.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMirëpo, Ministria e Punëve të Brendshme, që është përgjegjëse për projektligjin për reformë në administratën publike, nuk ka dhënë detaje se pse Akademia e Drejtësisë është futur në pakon e ndryshimeve edhe pas kundërshtimit nga ana e Bashkimit Evropian e shoqërisë civile. Këta të fundit insistojnë që një racionalizim i tillë e cenon pavarësinë e gjyqësorit.
“Në kuadër të çfarëdo reforme, do të ishte gabim që të preket qëllimi i vetë Akademisë së Drejtësisë e të kalohet nën ombrellën, qoftë të këshillave apo të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo do të ishte një cenim i drejtpërdrejtë i sistemit të drejtësisë”, ka deklaruar Yll Zekaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Tutje, Zekaj shton se Strategjia për Sundimin e Ligjit e përcakton qartë se duhet të ruhet pavarësia e Akademisë së Drejtësisë.
“Strategjia për Sundimin e Ligjit e përcakton që Akademisë së Drejtësisë duhet t’i forcohet mandati i saj, të jetë sa më e pavarur dhe të ofrojë ato që ka për mandat të ofrojë, që janë trajnimet dhe ngritjet personale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përkatësisht krijimin e kuadrove të reja të sistemit të drejtësisë”, ka thënë Zekaj.
Nga Ministria e Drejtësisë thonë që përgjegjëse për reformë është MPB-ja, derisa shtojnë se gjatë trajtimit të projektligjit do të rregullohet statusi i Akademisë së Drejtësisë.
“Gjatë fazës së trajtimit të këtij Projektligji në Kuvend, por edhe në përputhje me të gjeturat nga Koncept-Dokumenti për punën e Akademisë së Drejtësisë, do të ndërmarrë veprime konkrete që sa më mirë të rregullohet statusi ligjor i këtij institucioni duke garantuar në tërësi pavarësinë e gjyqësorit dhe sistemit prokurorial në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Akademia e Drejtësisë është pjesë e fazës së parë të racionalizimit të agjencive të pavarura, që me insistim të BE-së nuk do të duhej të ndodhte. Pavarësisht kësaj, në gusht të vitit 2020 është hartuar një projektligj që ndryshon statusin e Akademisë. Sipas këtij dokumenti, Akademia e Drejtësisë merr emrin Drejtori e Përgjithshme për Trajnime, e cila harton programet e trajnimit dhe organizon trajnimet për gjyqtarë dhe prokurorë të shtetit dhe trajnime të tjera në koordinim me KGjK-në dhe KPK-në.
Faza e parë e racionalizimit të agjencive të pavarura dhe rregullatorëve ka filluar në vitin 2018 dhe do të duhej të përfundonte brenda po atij viti. Me planin e veprimit, 7 agjenci të pavarura do të shuheshin apo të kalonin në kuadër të institucioneve përkatëse. I gjithë ky proces, i ndarë në katër faza do të duhet të përfundonte në vitin 2022. Procesi i Reformës së Administratës Publike rrjedh prej Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, të nënshkruar më 2015 e pastaj edhe me Agjendën për Reforma Evropiane të iniciuar nga Bashkimi Evropian.