Arbëri

Shkollat e Prishtinës denoncuan 99 nxënës në Polici për një vit

Dhuna në shkollë

Gjatë vitit 2025, shkollat në Prishtinë kanë denoncuar 99 nxënës në Polici. Shumica e denoncimeve kanë të bëjnë me ofendime, kërcënime apo mbajtje armësh të ftohta. Ekspertët e arsimit paralajmërojnë se pa mbështetje të mjaftueshme nga psikologë, pedagogë dhe shërbime sociale, shkollat nuk mund të përballojnë situatat me nxënës problematikë

Gjatë vitit 2025, në Stacionin Policor në Prishtinë janë regjistruar 99 raste kur shkollat kanë paraqitur nxënësit e tyre, ndërsa vetëm në janar janë evidentuar 7 raste të reja.

Shumica e denoncimeve kanë të bëjnë me ofendime, kërcënime apo mbajtje armësh të ftohta.

E rasti i fundit ka të bëjë me një nxënës të klasës së nëntë që u përfshi në një përleshje fizike me mësimdhënësin në shkollën “Pavarësia”.

Video tregojnë se mësimdhënësi goditi disa herë nxënësin, përpara se ai ta godasë me këmbë. Por, psikologu dhe personeli i shkollës u vunë në mbrojtje të mësimdhënësit, pasi thanë se nxënësi është i dhunshëm.

Prokuroria Themelore në Prishtinë të mërkurën ka iniciuar rast për veprën penale “Sulm” dhe në kuadër të hetimeve ka siguruar edhe xhirime të kamerave të sigurisë, që tregojnë se i njëjti nxënës u godit të njëjtën ditë edhe nga drejtori i shkollës. Prokuroria inicioi rast edhe ndaj drejtorit.

Hulumtuesi në Institutin Pedagogjik, Selim Mehmeti, thotë se problemi nuk qëndron vetëm te sjellja e nxënësve, por te mosfunksionimi i mekanizmave mbështetës.

“Ajo me çka jemi duke u ballafaquar është sfida me mekanizmat funksionalë. Ajo çka është e shkruar ka diskrepancë mes asaj që po bëhet. Nëse flasim që duhet shkolla jonë me pasë mekanizma mbështetës për fëmijë, për punën me fëmijë përfshirë psikolog, pedagog, përfshirë mësimdhënës të cilët merren me aktivitete të veçanta me grupe të fëmijëve dhe ato sot na mungojnë”, ka thënë Mehmeti. “Kjo bën që një grup i fëmijëve të cilët kanë energji të caktuara të mos orientohen, drejtohen drejt dhe për pasojë ajo mund të eskalojë me situatë dhe sjellje të pamenaxhueshme”.

Mehmeti theksoi se sistemit arsimor i mungojnë shërbimet mbështetëse përtej asaj që mund të ofrojë vetë shkolla.

“Në një situatë ku një shkollë ka dy-tre nxënës, ata janë fëmijë të cilët janë të pamonitoruar, të pakthyer në sjelljen e pritur, i duhen mekanizma më mbështetës, qendra për punë sociale, shërbime sociale, që për një kohë të caktuar në mënyrë interaktive në kohëzgjatjen e nevojshme merren me atë grup fëmijësh, sepse shkolla jonë në mënyrën se si po funksionon sot e ka të vështirë të merret me këto raste kur nuk ka shërbim brenda ose e ka një shërbim të pjesshëm. Një pedagog shkon në 3-4 shkolla, një psikolog shkon në 3-4 shkolla”, ka thënë ai.

Për të marrë një qëndrim nga Qendra për Punë Sociale, Komuna e Prishtinës nuk ka lejuar intervistimin e zyrtarëve, duke arsyetuar se janë të ngarkuar.

E, njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, thekson se me situatat e dhunës në shkolla kanë dështuar të përballen të gjitha institucionet, jo vetëm ato arsimore.

“E para, mësimi nuk zhvillohet si duhet. E dyta, mësimdhënësi nuk ka përkrahje të duhura nga psikologët dhe punëtorët socialë brenda shkollës. E treta, në komuna nuk janë aktive që të ndihmojnë fëmijët në shkollë, ata merren me fëmijët jashtë shkolle, por jo në shkollë. E katërta, rendi dhe ligji nuk janë sa duhet aktivë”, ka thënë Rexhaj.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, të mërkurën  ka iniciuar rast për veprën penale “Sulmi” ndaj nxënësit të shkollës “Pavarësia”. E mësimdhënësi i arrestuar nën dyshimin për sulm është liruar dhe ndaj tij është propozuar masa e paraqitjes në stacion policor