Arbëri

Shkollat e Ferizajt shpërfillin kërkesat për regjistrim të nxënësve të suspenduar nga komunat tjera

Shkolla Ferizaj

Prindërit e nxënësve në shkollat e Komunës së Shtimes kanë kritikuar institucionet komunale të Ferizajt me arsyetime se nxënësit e tyre, të cilët herë pas here suspendohen përkohësisht nga mësimi, nuk po pranohen në shkollat e qytetit të Ferizajt.

Për pranimin e nxënësve nga një komunë në komunën tjetër është e specifikuar edhe në udhëzimet administrative dhe ligjet në fuqi të Ministrisë së Arsimit.

Së fundi së paku gjashtë prindër nga qyteti i Shtimes janë ankuar në Komunën e Ferizajt se disa shkolla të tyre nuk po i pranojnë nxënësit e suspenduar nga Komuna e Shtimes.

Ndërkaq, rreth kësaj çështje, ka pasur reagime edhe nga drejtuesit e shkollave të Shtimes.

Zejnepe Hysenaj, drejtoreshë e shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Shtime, ka thënë se njëra nga shkollat e Ferizajt ka shkelur ligjet dhe udhëzimet administrative të MASHT-it, derisa nuk i ka pranuar gjashtë nxënës të suspenduar.

Sipas saj, secila shkollë e ka për obligim t’i pranojë nxënësit e tjerë të cilët suspendohen për arsye të ndryshme.

“Gjatë së fundi gjashtë nxënës janë refuzuar të pranohen në një shkollë në Ferizaj pasi që ne i kemi suspenduar ata më 8 dhjetor të këtij viti. Është marrë vendimi për këta nxënës që të pezullohen nga mësimi bazuar në Udhëzimin Adminisitrativ nr 06/2014 i cili është fuqizuar nga data 13 dhjetor 2022. Drejtori i asaj shkolle ka bërë shkelje të Ligjit për arsimin parauniversitar, neni 3 pika 1, 2 dhe 3 të këtij ligji. Dhe të UA nr 06/2014 Nenit 12 Mësimi alternativ (i cili është i rregulluar mes DKA-ve të komunave brenda një regjioni)”, ka thënë midis të tjerash Hysenaj.

Ndërkaq, Xh A, nga Shtimja është njëri nga prindërit i cili ka kërkuar në shkollat e Ferizajt që t’ia pranojnë djalin, pas suspendimit nga Shtimja, mirëpo një gjë e tillë i është mohuar.

Ai nuk ka pranuar t’i publikohej emri, por identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë.

“Kam provuar nëpër shkolla të Ferizajt për ta regjistruar djalin pas suspendimit nga Shtimja, mirëpo mu ka mohuar e drejta. Ndërkohë, drejtori i një shkolle në Ferizaj fillimisht ka pasur një sjellje jo të mirë pastaj më ka thënë se këtu nuk ka vend për ta regjistruar djalin. Jam ankuar në Komunë dhe kam pasur në plan të inicioj edhe padi, por ndërkohë djali u rikthye sërish në shkollën e vet nga e cila ishte suspenduar”, ka thënë ai.

Po ashtu edhe një prind tjetër A.R, ka thënë se shkollat në Ferizaj nuk ua kanë pranuar fëmijën për regjistrim.

“Kemi pasur telashe sepse shkolla ‘Naim Frashëri’ në Shtime i suspendoi 6 nxënës (shokë të një klase) kinse kanë pirë cigare në shkollë, ndërkohë shkollat tjera nuk i pranonin me arsyetime se nuk kanë vende të lira. Jemi ankuar çdo kund dhe po ashtu kemi kërkuar edhe nga drejtori i Gjimnazit ‘Kuvendi i Arbërit’ t’i pranojë nxënësit në shkollë, mirëpo një kërkesë e tillë nuk është realizuar. Prandaj jemi rikthyer në shkollën ‘Naim Frashëri’ dhe kemi kërkuar që të merrej një vendim tjetër për t’i rikthyer nxënësit në shkollë sepse ata po mbesin pa mësim. Pra për këtë çështje disa ditë me radhë nxënësit kanë humbur mësim dhe askush nuk jep përgjegjësi pse nuk janë pranuar në shkolla të Ferizajt.”, ka bërë me dije ai.

Visar Islami, Kryetar i Këshillit të Prindërve për Regjionin e Ferizajt, ka sqaruar se është takuar me disa prindër dhe me drejtuesit e disa shkollave në Shtime e Ferizaj, me qëllim që kjo çështje të vendoset në baza të marrëveshjeve të mirëkuptimit pasi që një gjë e tillë është e specifikuar edhe me ligje.

“Do të mbajmë takime edhe në të ardhmen derisa shkollat të kenë marrëveshje mirëkuptimi për t’i pranuar nxënësit e tjerë pas suspendimeve të përkohshme. Ne si Këshill i Prindërve për Regjionin e Ferizajt do ta ngrehim shqetësim edhe në Komunën e Ferizajt sepse kemi pranuar disa ankesa nga prindërit e Shtimes pasi që shkollat e kësaj komune kanë bërë shkelje ligjore dhe shkelje të udhëzimeve administrative të ministrisë së Arsimit”, ka bërë me dje Islami.

Në anën tjetër Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se kjo çështje kryesisht bëhet mes shkollave dhe varësisht hapësirave që kanë, ndërkaq në rastin konkret nga prindërit e Shtimes nuk ka pasur hapësirë.

“Shkollat e kanë të drejtën të bëjnë pranimin ose mos pranimin e nxënësve të suspenduar nga komunat prej nga vijnë. Andaj për këtë çështje varet nga shkollat dhe varësisht prej hapësirave që kanë për të pranuar nxënës të rinj”,ka thënë shkurt Llabjani.