Mungesa e drejtimeve të profilizuara në shkollat e Shtimes, Kaçanikut, Hanit të Elezit dhe Shtërpcës po i nxit nxënësit që të drejtohen kah shkollat profesionale në qytetin e Ferizajt. E kjo dukuri ka ndikuar që shkollat e kësaj komune të stërngarkohen me numër të madh të nxënësve nëpër klasa
Me qindra nxënës të shkollave të mesme nga Shtimja, Kaçaniku, Hani i Elezit e Shtërpca po i braktisin shkollat e tyre, me synimin që mësimet t’i ndjekin në drejtimet profesionale në Ferizaj.
Lëvizja më e madhe e nxënësve po shënohet nga qyteza e Shtimes, duke ndikuar që shkollat në Ferizajt të stërngarkohen me nxënës edhe prej qyteteve të tjera. Ndërkaq komunat e vogla përreth Ferizajt ende nuk kanë marrë hapa konkretë për t’i parandaluar lëvizjet e tilla të nxënësve.
Abdullah Imeri, drejtor i shkollës së agrobiznesit dhe teknologjisë “Zenel Hajdini” në Ferizaj, thotë se pjesa më e madhe e nxënësve e justifikon lëvizjen me drejtimet e profilizuara që i ka kjo shkollë.
“Shkollat që gjenden në komunat përreth kanë afërsisht disa drejtime por nuk i plotësojnë kërkesat e tregut. Kanë vetëm një drejtim që është i përgjysmuar, ndërsa nuk kanë drejtime të profilizime. Prandaj, kjo ka bërë që të kemi një interesim edhe prej komunave Shtime, Lipjan, Kaçanik, Hani i Elezit, Viti edhe pjesës së komunës së Shtërpcës”, ka thënë ai.
“Lëvizje ka. Vijnë prej fshatrave tjera, pastaj edhe shpërngulja e bën të veten që vinë në qytet, por edhe prej fshatrave nga të gjitha komunat vijnë në shkollën tonë”, ka thënë Hajrije Nebihi, drejtoreshe në gjimnazin “Shaban Hashani”, në Ferizaj.
Lulzim Sahiti, drejtor i Arsimit në Komunën e Shtimes, thotë se lëvizjet e nxënësve po ndodhin, ngase në Ferizaj ndodhet Shkolla Regjionale e Kompetencës, ajo e Muzikës dhe disa të tjera që nuk i kanë komunat e vogla.
“Ne për këtë arsyeje e kemi themeluar një paralele të shkollës së Mjekësisë ‘Elena Gjika’ dhe tash e tutje nxënësit tanë nuk udhëtojnë për Ferizaj, por, ndalën në shkollën e Mesme Profesionale në Shtime”, ka thënë ai.
Ndërkaq nga Komuna e Ferizajt theksojnë se nxënësit e komunave të tjera do t’i kenë dyert e hapura gjithmonë.
“Ne do të jemi ata të cilët do t’i mirëpresim dhe do të jemi krah hapur në këtë drejtim, duke ua ofruar mundësinë më të mirë të mësimit, të nxënies së njohurive dhe diturive të këtyre nxënësve ashtu siç marrin edhe nxënësit e tanë. Sepse konsiderojmë se ata janë nxënës të këtij vendi dhe janë nxënës të cilët në të ardhmen do t’i shërbejnë jo vetëm komunave tona, jo vetëm komunave fqinjë por edhe shtetit në përgjithësi”, ka thënë Afrim Llabjani, Drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt.
Mbi 21 mijë nxënës janë të regjistruar në 49 shkolla fillore dhe të mesme në Ferizaj. Prej tyre, gjashtë janë shkolla profesionale dhe dy gjimnaze.