Komuna e Ferizajt, respektivisht drejtoria e Arsimit ka obliguar mësimdhënësit në dhjetëra shkolla që të mbajnë mësim plotësues me nxënësit të cilët kanë ngecur në arritje të rezultateve gjatë kohës së pandemisë. Mësimi plotësues më së shumti është planifikuar të mbahej për lëndët kryesore në shkollat fillore dhe të mesme të ulët.
Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se të gjitha shkollat janë të obliguara të mbajnë mësim plotësues në disa lëndë kryesore me qëllim që nxënësit mos të mbesin mbrapa në rezultate.
“Ngecja e nxënësve në arritje të rezultateve ka ndodhur gjatë kohës së pandemisë në të cilën po vazhdojmë ende, andaj më së shumti kanë ngecur nxënësit të cilët kanë pasur më pak prirje apo mundësi për t’iu qasur procesit mësimor. Ne kemi kontaktuar me të gjithë drejtorët e shkollave dhe pas një takimi të përbashkët kemi kërkuar që ata të fillojnë me mbajtjen e mësimit plotësues”, ka thënë Llabjani.
Sipas tij, kjo çështje nuk është e lehtë sidomos për shkollat që kanë një numër të madh të nxënësve derisa ata mësojnë në grupe dhe i’u humbet kohë e gjatë për mësimin plotësues.
“Megjithatë një pjesë e shkollave të Komunës së Ferizajt tashmë kanë përgatitur një orar të veçantë mësimor. Ne do ta njoftojmë edhe Ministrinë e Arsimit për mbarëvajtjen e mësimit plotësues sepse vazhdimisht si komunë jemi duke e monitoruar procesin në të gjitha shkollat. Do të gjendet hapësirë dhe kohë për të gjithë ata nxënës të cilët kanë ngecur në arritje të rezultateve”, ka thënë Llabjani.