Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Sezai Surroi” në Bellobrad të Dragashit i është drejtuar Policisë me një kërkesë zyrtare për ndërmarrjen e masave të menjëhershme të sigurisë, pas paraqitjes së arinjve në fshat.
Në kërkesën e bërë nga drejtoria e shkollës, është kërkuar largimi apo eliminimi i këtyre kafshëve të egra që sipas tyre, po paraqesin rrezik serioz për nxënësit, stafin arsimor dhe banorët e fshatit.
“Në emër të Shkollës ShFMU ‘SEZAI SURROI’ Bellobrad, ju drejtohemi me këtë kërkesë që të ndërmerrni masa të menjëhershme sigurie për eliminimin ose largimin e arinjve që janë shfaqur në territorin e fshatit tonë. Prania e këtyre kafshëve të egra po paraqet rrezik serioz për nxënësit e shkollës sonë, për stafin arsimor si dhe për të gjithë banorët e fshatit, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites kur nxënësit udhëtojnë drejt dhe nga shkolla”, thuhet në kërkesë.
Tutje është bërë thirrje që kërkesa të merret parasysh dhe të realizohet sa më shpejt.