Arbëri

Shkeljet në licencimin e hidrocentraleve, Ministria hesht ndaj gjetjeve të grupit që e themeloi

Ka një muaj e gjysmë që ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka pranuar raportin prej 76 faqesh të Grupit punues për çështjen e hidrocentraleve. Por, përkundër shkeljeve që janë evidentuar në këtë raport, ende nuk ka asnjë vendim nga ana e tij për adresimin e tyre.

Grupi ka konstatuar se shkeljet në lejimin e ndërtimit të hidrocentraleve janë bërë që në lëshimin e lejeve ujore, pasi siç thuhet me ligj është e rregulluar që shfrytëzimi i ujit për qëllime afariste duhet të bëhet me koncesion.

KOHA që nga e enjtja ka kërkuar një përgjigje nga kjo Ministri lidhur me atë se kur pritet të merren veprime për gjetjet e raportit, por përkundër premtimit ajo nuk është përgjigjur.

Nga grupi i qytetarëve për mbrojtjen e Mjedisit presin nga Ministria që të marrë me seriozitet gjetjet e raportit si dhe të marrë vendim në këtë drejtim.

“Ne presim që Qeveria të marrë hapa që janë konform gjetjeve të raportit dhe presim që ato shkelje ligjore që janë bërë me vite të tëra të ndërpriten dhe të merren hapa që do të mbulojnë këto pjesë ligjore që kanë lejuar që të bëhen”, thotë Ardian Ndrecaj, nga Grupi për Mbrojtjen e Mjedisit.

Në raportin e dorëzuar ministrit Aliu, Grupi punues ka konstatuar se ndërtimi i Hidrocentraleve në ujërrjedhje të lumenjve është në kundërshtim me Ligjin për Ujërat, që ndalon ndërtimin në distancë më të vogël se 30 metra prej vijave të plota.

Ndaj raportit ka reaguar Shoqata për Energji të Ripërtëritshme, duke thënë se të gjitha HEC-et kanë kompletuar dokumentacionin dhe kanë aplikuar për leje mjedisore brenda afateve.

Por, sipas saj, ka pasur vonesa të paarsyeshme nuk janë shqyrtuar dhe lëshuar brenda afateve ligjore.

Ka paralajmëruar se raportin e Grupit Punues të MMPH-së do ta dërgojë në Prokurorinë e Shtetit dhe se do t’i drejtohen Arbitrazhit të Londrës duke pretenduar se i janë shkelur të drejtat e njeriut.

Por, Ndrecaj thotë se Qeveria nuk duhet të zmbrapset nga kërcënimet e tilla dhe të marrë vendime krahas gjetjeve.

“Ata mund ta dërgojnë ku të dojnë, por kur ka shkelje të tilla nuk ke pse të frikësohesh edhe kur shkon në arbitrazh. Por unë mendojë që Qeveria është mirë që të hap kanale informimi edhe me investitorët që kanë investuar, por me kërcënime nuk besoj që është rruga e duhur”, thotë Ndrecaj.

Raporti i Grupit të themeluar nga Ministria, thekson se janë lëshuar leje ujore pa u plotësuar kushtet e përcaktuara.

Nga rreth 20 hidrocentrale që veprojnë në vend, 17 prej tyre nuk posedojnë leje mjedisore.

Shkeljet në licencimin e hidrocentraleve, Ministria hesht ndaj gjetjeve të grupit që e themeloi.