Shefi i dikurshëm i BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, ka thënë se politikani opozitar, Nikola Sanduloviq, është arrestuar bazuar në urdhrin që ai e ka dhënë sa ishte në detyrë. Por avokati i Sanduloviqit, Çedomir Stojkoviq, pretendon se urdhri u dha nga presidenti serb dhe se me marrjen e përgjegjësisë, Vulini po mundohet ta mbulojë Aleksandar Vuçiqin
Ish-drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë, Aleksandar Vulin, e ka marrë përgjegjësinë për arrestimin e politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, i cili u rrah brutalisht brenda objektit të BIA-s.
Vulin tha se arrestimi i Sanduloviqit është bërë me urdhrin që ai e ka dhënë në kohën sa ishte në krye të kësaj agjencie.
Në një prononcim për median serbe “Novosti”, ai e konfirmoi pretendimin e familjes së Sanduloviqit, se politikani është arrestuar dhe rrahur, pasi që në rrjete sociale kërkoi falje për krimet e Serbisë të kryera në Kosovë dhe e publikoi një video nga homazhet që i bëri në kompleksin e Jasharëve në Prekaz.
“Sanduloviq është ndaluar sipas urdhrit tim, i cili ka mbetur në fuqi edhe pas dorëheqjes sime. Nëse Sanduloviqi do të kishte vendosur kurorë në varrin e Hitlerit, Mossadi do ta kishte vrarë. Nëse do të kishte vendosur kurorë në varrin e Osama bin Ladenit, CIA do t’ia kishte gjetur kokën”, ka thënë Vulin. “Duke vendosur një kurorë në varrin e vrasësit të serbëve, Adem Jashari, Sanduloviq është ndaluar me urdhër timin dhe të prokurorit. I kërkoj falje Serbisë që nuk mund të bëj më shumë. Nuk e di a janë aktive urdhërarrestet e mia për tradhtarët e tjerë, por shpresoj që po, që t’i çoj ata para prokurorëve kompetentë”.
Por atë e përgënjeshtroi avokati i Sanduloviqit, Çedomir Stojkoviq. Ai tha se Vulini nuk ka mundur ta kërkonte arrestimin e tij pasi ishte shkarkuar dy muaj më parë, teksa shtoi që urdhri u dha nga regjimi i presidentit, Aleksandar Vuçiq.
“Nuk ka agjenci inteligjence në këtë planet, ku urdhrat e ndalimit të drejtorit ekzekutohen dy muaj ose dy vjet apo dy dekada pas përfundimit të detyrës. Në BIA nuk ka urdhër me shkrim të drejtorit në të cilin shkruan ‘arresto dikë’, as ‘arresto dikë për dy muaj’. BIA nuk ka kompetencë të ‘arrestojë persona me urdhër’”, ka thënë avokati Stojkoviq.
Sipas tij, Vulini po mundohet të marrë përgjegjësinë mbi vete për ta mbuluar Vuçiqin.
“Kjo është një deklaratë e dakorduar mes Aleksandar Vuçiqit dhe Aleksandar Vulinit, sepse karriera politike e Vulinit në Serbi ka përfunduar në marrëveshje me Vuçiqin, dhe tani ai mundet që (në mënyrë të rreme) të marrë përgjegjësinë për gjithçka që i shkakton dëm ndërkombëtar regjimit të Aleksandar Vuçiqit”, ka thënë Stojkoviq.
Avokati Stojkoviq i bëri thirrje prokurores Jelena Radivojeviq që ta lirojë Sanduloviqin, tek pretendoi që nëse ai vdes në burg, regjimi do t’ia ngarkojë asaj përgjegjësinë, siç po bën tani me rastin e Vulinit.
Bashkësia ndërkombëtare ka heshtur lidhur me sulmin që i është bërë në Serbi opozitarit Nikola Sanduloviq.
Të pyetur nga KOHA për rrahjen e kryetarit të Partisë Republikane të Serbisë brenda objektit të Agjencisë së Inteligjencës serbe dy ditë më parë, nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë përgjigje. Reagime nuk pati as nga liderët në Serbi.
Por sulmi u dënua nga autoritetet në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti e krahasoi rastin me veprimet e presidentit rus, Vladimir Putin, ndaj atyre që refuzojnë të mohojnë gjenocidin.
E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për veprime frenuese ndaj brutalitetit të shtetit serb.
Kërkesë të ngjashme adresoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që theksoi se Serbia tentoi ta eliminonte opozitarin shkaku që ai e pranoi të vërtetën e Kosovës.
E deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se me veprimin e fundit, Serbia i kalon kufijtë e autokracisë dhe shndërrohet në shtet policor.