Banorët dhe bizneset e lagjes “Shqipëria” në Lipjan prej dy ditësh po përballen me mungesë të ujit si pasojë e punimeve rrugore të cilat po realizohen pranë objektit të Komunës.
Në kuadër të këtij projekti është duke u vendosur edhe gypi kryesor i ujit që furnizon disa lagje të qytetit. Banorët kanë kërkuar që punimet të realizohen sipas dinamikës së paraparë.
“Mbi dy ditë nuk kemi ujë të pijshëm si pasojë e disa punimeve në rrugë. Sido qoftë duhet të shpejtohen punimet ose të gjendet alternativa në mënyrë që qytetarët mos të mbesim pa ujë”, është ankuar njëri nga banorët e lagjes i cili nuk deshi t’i publikohej identiteti.
Ndërkaq, Arieta Mjeku, zëdhënëse e Kompanisë së Ujësjellësit “Prishtina” ka thënë për KOHËN se punimet në gypin e ujësjellësit pritet të përfundojnë gjatë ditës.
“Disa banorë të cilët ishin të lidhur me gypin kryesor të Asbestit përgjatë kësaj rruge kanë mbetur pa ujë sepse po bëhen 2 ditë që ekipet janë duke e vendosur një gyp të ri, derisa në këtë lagje po ndërtohet edhe një segment i ri i rrugës. Sidoqoftë, gjatë ditës do të finalizohen punimet dhe qytetarët do të kenë furnizim me ujë”, ka thënë ajo.