Shkaku i disa kontesteve pronësore në rrugën “Osman Mehmeti” në fshatin Pojatë të Ferizajt, dhjetëra familje kanë mbetur pa asfaltim të rrugës.
Në këtë rrugë publike rreth 50 vjet më parë ishin ndërtuar shtëpi, mure të oborreve dhe stalla për bagëti. Ndërkohë banorët e kësaj lagje kanë mbledhur 72 nënshkrime dhe kanë dorëzuar peticionin në komunë për t’i rrënuar ato me qëllim që rruga të asfaltohej sipas planifikimeve të komunës.
Shkaku i këtyre telasheve banorët muaj më parë janë përplasur me disa nga uzurpatorët, por edhe me zyrtarët komunal derisa kanë penguar edhe punimet në asfaltim të rrugës. Përveç, peticionit banorët kanë deponuar edhe disa kërkesa në komunë për zgjerimin e rrugës dhe asfaltimin e saj.
Në një kërkesë të cilën e ka siguruar KOHA, midis të tjerash thuhet se, “Banorët e fshatit Pojatë më konkretisht banorët e rrugës “Osman Mehmeti”, kërkojmë nga kryetari që të merren me zgjerimin dhe lirimin e rrugës publike nga një pronar i cili ka bërë ndërtime në pronë publike”, thuhet në një nga shkresat e banorëve duke sqaruar se këtë e kanë konstatuar gjeodetët. “Vendosja e pikave brenda ndërtimit paraqet pengesë për asfaltimin e rrugës dhe si rrjedhojë banorët prej dy vitesh janë në pritje për lirimin e rrugës”, thuhet midis të tjerash në kërkesën e banorëve.
Në mesin e banorëve të nënshkruar në peticion, KOHA ka kontaktuar me banorin Islam Sahiti, i cili ka shpjeguar se pengesat më të mëdha për asfaltimin e rrugës po i paraqet një objekt banimi.
“Ne si lagje kemi kërkuar edhe me peticion me 72 nënshkrime ë mënyrë që Komuna ta bën një zgjidhje dhe t’i rrënon muret që po e pengojnë zgjerimin e rrugës. Ne kemi kërkuar që rruga të asfaltohet sipas standardeve dhe jo të mbesim pa asfalt shkaku i uzurpatorëve të pronës publike. Këto shqetësime i kemi e gjithë lagjja jonë”, është ankuar Sahiti.
Në anën tjetër Sabri Murseli, drejtor për Pronë, Kadastër e Gjeodezi në Komunën e Ferizajt ka thënë se janë në dijeni për rastin e uzurpimeve në fshatin Pojatë, andaj komuna është duke bërë përpjekje që të bën zgjidhje edhe në lagjen “Osman Mehmeti”.
Sipas tij, telashet më të mëdha janë paraqitur në një lokacion derisa një banor kishte ndërtuar një pjesë të shtëpisë në pronë publike duke e ngushtuar rrugën, ndërkohë banorët kanë penguar punimet në rrugë duke kërkuar që të bëhen disa rrënime.
“Sa i përket këtij banori që kishte bërë uzurpime rreth 50 apo 60 vjet më parë ai në pjesën tjetër të rrugës e ka liruar pronën e vet për zgjerimin e asfaltit, mirëpo banorët po paraqesin sërish pengesa të tjera shkaku i inateve personale ndërmjet vete. Ne nuk kemi hyrë në rrënime sepse po të fillojmë me këtë veprim atëherë duhet t’i rrënojmë gjysmën e objekteve përgjatë rrugëve në fshatin Pojatë. Sa i përket rrugës në këtë lagje po besoj se shumë shpejt do ta bëjmë një zgjidhje dhe banorët do ta kenë rrugën e asfaltuar sipas standardeve dhe nuk do të ketë hapësirë për shqetësime”, ka sqaruar Murseli.
{gallery}