Arbëri

Shkaku i fluksit të pacientëve zgjatet orari i punës në QKMF të Lipjanit

Komuna e Lipjanit, pikërisht drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka planifikuar që nga nesër të zgjatet orari i punës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare për një orë.

Kjo zgjatje e orarit është planifikuar për shkak të fluksit të madh të mërgimtarëve të cilët kanë nisur të kthehen për pushime në vendlindje.

Sipas zyrtarëve komunal gjatë ditës qindra pacient kërkojnë shërbime brenda QKMF-së dhe emergjencës në Lipjan.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Lipjanit Shkëlzen Hajdini, ka thënë për KOHËN se këto planifikime janë bërë muaj më parë, andaj kanë planifikuar edhe rritjen e shërbimeve profesionale.

“Muaj më parë kemi planifikuar të zgjatet orari i punës për një orë në QKMF për shkak të fluksit të mërgimtarëve dhe të rriten kapacitetet në emergjencë, andaj nga kjo javë nisë së zbatuari. Pra, jemi të përgatitur edhe me kuadro dhe me rritjen e kapaciteteve në mënyrë që ta përballojmë fluksin e madh të qytetarëve. Pra ende pa u ngritur si kërkesë në Kuvend ne e kemi planifikuar këtë çështje”, ka thënë Hajdini.

Ndërkohë edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit është debatuar mjaftë gjatë dhe është kërkuar nga Kuvendarët që të zgjatet orari i punës me qëllim të rritjes së shërbimeve për qytetarët.

Ganimete Qeriqi, kuvendare nga PDK-ja, njëherësh infermiere në emergjencën e QKMF-së, ka thënë se menaxhmenti duhet të përgatitet për ta përballuar fluksin e mërgimtarëve gjatë zezonës së verës.

“E kuptuam se është bërë një punë e mirë që është zgjatur orari i punës për shërbime në administratën Komunale, andaj është mirë që të zgjatet orari i punës edhe në QKMF për shkak të fluksit të madh të mërgimtarëve. Kjo nuk kërkon ndonjë pagesë shtesë por vetëm një menaxhim i mirë nga drejtuesit e këtyre institucioneve sepse gjatë ndërrimit të stafit prej orës 13:00 deri në ora 14:00 është e pa nevojshme të qëndrojnë dy ekipe në të njëjtën kohë, andaj në këtë mënyrë të zgjatet orari për një orë apo deri në ora 21:00”, ka thënë Qeriqi.