Arbëri

Shënohet rritje e vazhdueshme e rasteve të dhunës në familje në komunat e regjionit të Ferizajt

Ilustrim

Ilustrim

Rastet e dhunës në familje kanë shënuar rritje të vazhdueshme në komunat e rajonit të Ferizajt gjatë viteve të fundit. Kjo ka nxitur Qendrën për Punë Sociale dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj që të mobilizohen për trajtimin sa më profesional të lëndëve

Komunat në rajonin e Ferizajt po shënojnë rritje të rasteve të dhunës në familje nga viti në vit.

Gjatë muajve janar-tetor të këtij viti numri më i madh i rasteve të këtilla është shënuar në qytetin e Ferizajt, me 128, pasuar nga Kaçaniku me 27 dhe Shtimja me 23 raste.

Kjo ka nxitur Qendrën për Punë Sociale dhe Policinë Rajonale në Ferizaj që të angazhohen për mobilizim më të madh, me anë të trajnimit të ekipeve profesionale dhe me lansimin e platformave komunikuese për lajmërime sa më të shpejta të rasteve të dhunës në familje.

Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e komunave të Ferizajt ka konfirmuar se rastet e dhunës në familje janë rritur nga viti në vit, teksa ka thënë se Policia po i vazhdon fushatat për nxitjen e qytetarëve që t’i raportojnë ato.

“Përgjatë periudhës janar-tetor të vitit 2022 janë paraqitur apo raportuar 218 raste të dhunës në familje apo për dallim nga viti paraprak i kësaj periudhe, që janë 171 raste apo rritje për 27 për qind. Kjo ka ardhur si rezultat që qytetarët tani po i besojnë Policisë së Kosovës, sepse të gjitha rastet po trajtohen në mënyrë profesionale në Drejtorinë Rajonale të Ferizajt”, ka thënë Veseli.

Veseli ka bërë të ditur se vetëm nga periudha 1 deri më 15 nëntor të këtij viti janë paraqitur 12 raste të dhunës në familje. Kjo shifër, sipas tij, përbën një rritje prej 71 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Përveç policëve primarë të dhunës në familje, kur kemi raste kyçen edhe hetuesit e dhunës në familje dhe koordinatori rajonal i dhunës në familje që i mbikëqyr të gjitha rastet. Këto bëhen në koordinim edhe me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe Qendrën për Punë Sociale si mbrojtëse të viktimave. Të gjitha këto raste koordinohen dhe menaxhohen nga policët që janë të trajnuar në mënyrë profesionale nga policët që janë trajnuar mirë për të gjitha rastet e dhunës në familje”, ka deklaruar ai.

Adelina Rexhepi-Braha, drejtoreshë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj dhe njëherësh psikologe, ka shprehur shqetësimin për rritjen e theksueshme të rasteve të dhunës në familje gjatë viteve të fundit.

“Njëra prej arsyeve është edhe gjendja ekonomike dhe koha pas pandemisë, derisa jemi ballafaquar me një situatë të panjohur. Po ashtu mendoj se është edhe arsyeja që jemi si shoqëri patriarkale, e cila mjetin e dhunës e ka përdorur edhe në kohët e mëhershme dhe tash mendohet se dhuna është si simbol i dashurisë. Ne jemi mësuar që edhe fëmijën ta trajtojmë duke e rrahur dhe mendojmë se mjet edukues është dhuna”, ka thënë ajo.

Në Policinë e Kosovës dhe në Qendrën për Punë Sociale kanë thënë se të gjithë të dyshuarit për ushtrimin e dhunës në familje dërgohen në paraburgim dhe procedohen më pas për në gjykatë.