Mbi 7 mijë euro është shuma që ka shpenzuar ministrja e Punëve të Jashtme bashkë me stafin e saj në takimet zyrtare jashtë vendit, për periudhën 22 mars deri më 15 korrik. Mbështetur në listën që MPJ-ja ia ka përcjellë “Kohës” e që përmban gabime në përllogaritje, del se shefi i stafit ka realizuar mëditje më shumë se eprorja e tij
Shefi i stafit të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ia ka kaluar eprores me mëditje në pesëmujorin e parë të qeverisjes.
Mbështetur në listën e shpenzimeve të kabinetit, të cilën MPJ e ka vënë në dispozicion mbi bazën e kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, Sharr Jakupi ka marrë mëditje për udhëtimet jashtë vendit 1 mijë e 42 euro, derisa Gërvalla nga kjo kategori ka shpenzuar 748.92 euro.
Jakupi ia kalon ministres edhe në shpenzimet e udhëtimit me 1 mijë e 201 euro krahasuar me Gërvallën që ka shpenzuar 964.83 euro.
Por MPJ ka llogaritur gabimisht totalin e shpenzimeve, duke ofruar shifra më të ulëta. Ministres në total ia ka faturuar vetëm 1 mijë e 368 euro.
Por nëse kalkulohen të gjitha kategoritë e shpenzimeve del se ato janë 2 mijë e 333 euro.
Shefit të Stafit i janë përshkruar 1 mijë e 446 euro, por mbështetur në shpenzimet e të gjitha linjave ai ka shpenzuar 2 mijë e 647 euro.
KOHA ka kërkuar sqarime nga kabineti për vendet ku janë realizuar vizitat dhe arsyet pse shefi i stafit ka shpenzuar më shumë se ministrja. Në përgjigjen e MPJ-së thuhet se në disa forume ndërkombëtare ku ka marrë pjesë ministrja Gërvalla, shpenzimet janë mbuluar nga nikoqirët. Por, sipas tyre një gjë e tillë nuk është bërë në të gjitha rastet për stafin mbështetës të cilëve u janë mbuluar shpenzimet nga ministria. Vizitat sipas tyre janë realizuar në shtatë shtete.
“Në disa forume ndërkombëtare ku ka pasur pjesëmarrje ministrja Gërvalla, shpenzimet janë mbuluar nga nikoqirët dhe një gjë e tillë nuk është bërë në të gjitha rastet për stafin mbështetës të cilëve u janë mbuluar shpenzimet nga MPJD-ja Sa i përket shpenzimeve të udhëtimit dhe mëditjeve për shefin e kabinetit të ministres, ato janë realizuar bazuar në vendimin e Qeverisë për shpenzimet e udhëtimit zyrtar jashtë vendit, me rastin e vizitave zyrtare në shtatë (7) shtete”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Shpenzime për periudhën 22 mars-15 korrik kanë realizuar edhe anëtarët e tjerë të kabinetit.
Këshilltari politik Lendrit Iljazi ka shpenzuar 1 mijë e 324 euro, kurse asistenti Haki Huruglica 846 euro.
Totali i shpenzimeve të të gjithë kabinetit është 7 mijë e 151 euro.
Sipas tarifave të përcaktuara nga Ministria e Financave, zyrtarët e institucioneve gjatë udhëtimeve jashtë vendit marrin mëditje të cilat ndryshojnë varësisht prej shtetit ku udhëtojnë.