Ndihmës-sekretarja e SHBA-së për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit, Kirsten D. Madison ka dorëzuar sot një donacion për Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, raporton “Koha Ditore”.
“Sot jam këtu për të shpallur donacionin tonë për Softuer për identifikim të automatizuar të shenjave të gishtërinjve, i njohur si AFIS”, tha në fillim të fjalës së saj zyrtarja amerikane. AFIS, sqaroi ajo, është një sistem i bazës së të dhënave penale që përpunon, modifikon, kontrollon, gjen dhe ruan gjurmët e gishtërinjve dhe të pëllëmbëve, për të përpunuar informatat nga skenat e krimit, për të ndihmuar qendrat e ndalimit dhe kalimet kufitare dhe për të koordinuar shkëmbimin e informacionit me organet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, si INTERPOL.
Ky donacion i SHBA - ve përfaqëson një investim prej miliona dollarësh në Kosovë, si partner i fuqishëm i zbatimit të ligjit që po forcon përkushtimin e vet për sundimin e ligjit.
INL ka asistuar AKF-në që nga hapja e saj në vitin 2003 me më shumë se 20 milionë dollarë në pajisje, softuer dhe trajnim. AKF ka marrë atë investim dhe e ka përdorur në shërbim të zbatimit të ligjit dhe sundimit të tij në Kosovë. Pesë nga laboratorët e saj tani janë të akredituar ndërkombëtarisht dhe dy të tjerë janë në proces të akreditimit.
Asistenca jonë për AKF-në është vetëm një pjesë e asistencës që kemi ofruar për sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë, ku janë përfshirë fonde për Policinë e Kosovës, Akademinë e Kosovës për Sigurinë Publike, Inspektoratin Policor të Kosovës, Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe ministritë e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme.
SHBA i bëjnë këto investime në Kosovë me shpresën që Kosova do të mbetet një partner për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin në rajon, shtoi ajo. Ne ofrojmë trajnime dhe pajisje për zbatimin e ligjit jo vetëm për popullin e Kosovës, por edhe për popullin amerikan. Krimi i organizuar transancional ndikon në të gjitha vendet dhe të gjithë përfitojmë kur arrijmë të lehtësojmë bashkëpunimin dhe të përmirësojmë aftësitë e kombeve tjera.
Kosova ka arritur përparim të rëndësishëm në forcimin e institucioneve të veta të sundimit të ligjit, legjislacionit dhe efikasitetit gjyqësor. Por, besimi I publikut mbetet I ulët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës me investimet e tyre të gjata dhe domethënëse në sundimin e ligjit në Kosovë duhet të shohin një përkushtim të dukshëm në dhënien fund të korrupsionit, duke filluar nga lart poshtë. Dështimi në adresimin e korrupsionit do të minojnë përfundimisht edhe ligjet e shkruara më së miri dhe institucionet më të reformuara dhe qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë. Ne duam t'ju ndihmojmë të bëni përparim dhe ne kemi nevojë për partnerë dhe udhëheqje serioze në Qeveri, në gjyqësor, në Kuvend, në polici dhe në mesin e popullatës për të qenë të suksesshëm.