Arbëri

SHBA-ja: Asociacioni do të bëhet

SHBA-Kosove

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, është shprehur se Kosova duhet t’i zbatojë në plotësi Marrëveshjen e Brukselit, përfshirë themelimin i Asociacionit, në mënyrë që të anëtarësohet në BE e në mekanizma ndërkombëtarë. Sa i përket aplikimit në Këshillin e Evropës, Hill ka thënë se në një farë mënyre e gjitha është e lidhur me Aneksin e Ohrit. Por në Ministrinë e Jashtme kanë insistuar se Asociacioni nuk është parakusht për anëtarësim. Edhe në dokumentin e raportueses për Kosovën në KiE, thuhet se Asociacioni është obligim që duhet përmbushur pas pranimit

Zyrtarët amerikanë kanë përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës në BE e mekanizma të saj varet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Madje, Aneksin e Ohrit ai ndërlidh edhe me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Aneksi i Ohrit vendos disa detyrime e kërkesa për të dyja palët, kështu që do të shohim si shkon, është e qartë se ata (Kosova) duan që të anëtarësohen në BE, por duhet ta kalojnë të gjithë procesin. Pozicioni i Qeverisë sime është që Kosova duhet të përmbushë obligimet e veta me Marrëveshjen e Brukselit dhe nëse nuk i përmbushë, sigurisht se e komplikon interesin e saj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe organizatat e tjera”, ka thënë ai për gazetën serbe “Blic”. 

Ndërsa, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe Hill është shprehur i sigurt se do të ndodhë. Sipas tij, themelimi i tij është zgjidhje për të gjithë. 

“Asociacioni do të ndihmojë në tejkalimin e problemeve aktuale dhe vështirësive që komuniteti serb në Kosovë ka. Asociacioni është i nevojshëm për të ardhmen e Serbinë, dhe mendoj për të ardhmen e Kosovës, kështu që besoj se do të ndodhë”, ka potencuar Hill. 

Mirëpo, në një intervistë për Kosovapressin, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha se Asociacioni nuk është vendosur si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ai ka përmendur edhe zotimet e tre liderëve të shtetit për hapat drejt anëtarësimit në këtë këshill.

“Askund në ato pika nuk thuhet ekskluzivisht çështja e Asociacionit, kur të bëhet publik raporti do të bëhet e qartë. Pika 14.2.2 e asaj pjese thotë se duhet të ketë zhvillim të prekshëm në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, që përfshinë edhe Asociacionin. Është e qartë për të gjithë se kjo çështje ekziston që nga viti 2013 dhe se nuk ka asnjë zotim shtesë në këtë drejtim. Kjo përcakton se nuk është parakusht”, ka deklaruar ai.

Përveç deklaratës së Hillit, Asociacioni ishte përmendur si kusht për pranim në KiE edhe nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Madje sipas Escobarit, Kosovës i kanë mbetur edhe dy kushte për pranim.

“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është... (ka të bëjë) me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, pati theksuar Escobar, në një intervistë për REL-in.

Deklaratat e Hillit dhe të Escobarit, njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, i quan joparimore dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës.

“Është një qasje joadekuate, është një sjellje e paprecedent që del jashtë kornizave të të drejtave dhe obligimeve dhe autorizimeve që ka një përfaqësues një ndërmjetësues në bazë të konventës së Vjenës dhe dispozitave të saj. Veçanërisht është brengosëse gjendja dhe ecuria e deklaratave të disa zyrtarëve amerikanë më saktësisht dhe më konkretisht zoti Escobar, por edhe të Hillit, i cili është ambasador në një shtet tjetër dhe kjo është ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Baraliu ka thënë se me një qasje të tillë, zyrtarët amerikanë në këtë rast por edhe përfaqësues tjerë diplomatik mund ta dëmtojnë procesin edhe të dialogut por edhe të anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtarë.

“Zyrtarët e jashtëm, qofshin ata diplomatikë si përfaqësues konsullorë ose të tjerë, ndërmjetësues dhe të deleguar-emisarë, kanë detyra të caktuara dhe nuk kanë të drejtë që në mënyrë flagrante siç po ndodh me Kosovën të ndërhyjnë në punët e brendshme të Kosovës. Është e paprecedent dhe e pashembullt dhe është e dëmshme, skajshmërisht e dëmshme sa i përket procesit”, ka deklaruar ai.

Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci, në takimin e së mërkurës në Paris ka miratuar rekomandimin e raportueses, Dora Bakojanis, që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Deri në anëtarësim të plotë duhen edhe dy sesione vendimmarrjesh - njëri në Asamblenë Parlamentare dhe tjetri në Komitetin e Ministrave.