Arbëri

Shala: Vetëm Prokurori i Shtetit mund të autorizojë ekzaminimin e telefonave të sekuestruar

Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, ka sqaruar se vetëm Prokurori i Shtetit ka kompetencë ligjore për të autorizuar ekzaminimin e telefonave të sekuestruar me vendim gjyqësor.

Sipas Shalës, dilema kryesore lidhet me pyetjen nëse për nxjerrjen e të dhënave nga një telefon i sekuestruar mjafton autorizimi i prokurorit apo kërkohet një vendim i ri gjyqësor. Ai theksoi se gjetjet e IKD-së tregojnë se praktika aktuale, e bazuar në Kodin e Procedurës Penale, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Për ekzaminimin e telefonit të sekuestruar përmes vendimit gjyqësor, kompetenca është ekskluzive e Prokurorit të Shtetit për ta autorizuar një veprim të tillë”, ka deklaruar Shala në “Interaktiv” të premten.

Ai sqaroi se një telefon, kur sekuestrohet në kuadër të një procedure penale, merret për shkak të rëndësisë që ka për çështjen dhe për të shërbyer si provë materiale. Sipas tij, është e domosdoshme të bëhet dallimi mes përgjimit dhe ekzaminimit.

“Përgjimi ndodh në kohë reale, ndërsa ekzaminimi ka të bëjë me nxjerrjen e materialeve nga pajisje që tashmë janë sekuestruar me vendim gjyqësor”, theksoi Shala.

Në fund, ai siguroi se në asnjë rrethanë ligji nuk e cenon të drejtën e privatësisë, e cila është e garantuar me Kushtetutë.

Ai ka thënë se IKD-ja ka rekomanduar zbatimin konsekuent të ligjit, dallim të qartë ndërmjet përgjimeve dhe ekzaminimit të provave digjitale, si dhe interpretim të dispozitave ligjore në harmoni me Kushtetutën dhe jurisprudencën e GjEDNj-së.