Gëzim Shala nga IKD ka thënë se problemi në kuptim të konstituimit të Kuvendit nuk është problem kushtetues.
Ai në emisionin 60 minuta ka thënë se problemi është politik dhe kërkon zgjidhje politike.
Shala e ka quajtur problematik aktgjykimin e Kushtetueses duke thënë se nuk ka vendosur për çështjen e kërkuar.
“Është shumë problematik aktgjykimi i Kushtetueses, sepse ajo që na bie në sy është tejkalimi i kërkesës. Kjo sepse Gjykata Kushtetuese është pyetur për një vendim për refuzimin e themelimit të komisionit për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit, ndërsa kjo nuk ka vendosur përkitazi me atë çështje por ka vendosur përkitazi me seancën. Pra ka një tejkalim të kërkesës nga vetë Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai.
Shala ka thënë se është hera e parë që Gjykata Kushtetuese e tejkalon në këtë nivel kërkesën që i parashtrohet.
Sipas tij, në dispozitiv nuk përmendet asgjë në raport me kërkesën që ishte bërë.
Ka thënë se ka pasur mungesë të guximit profesional, pasi sipas tij, nuk janë trajtuar një sërë çështjes.
“Në shumë pjesë Kushtetuesja tregon se si partitë politike duhet të gjejnë konsensus, por kjo nuk është detyrë e saj. Përderisa është problemi politik, përgjegjësia duhet t’i lihet politikës. Është fatkeqësi që në politikën e Kosovës instrumentalizohet Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai.
Shala ka thënë se aktgjykimi nuk ka asnjë pasojë nëse nuk konstituohet Kuvendi brenda 30 ditëve.
Ka theksuar se një varg shkeljesh që janë bërë nga kryesuesi Avni Dehari, por që nuk janë përmendur në aktgjykim.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk e thotë askund prerazi nëse lejohet apo jo votimi i fshehtë.
“Zhvillimi i votimit të fshehtë nuk mund të vazhdohet pasi duhet vullnet i partive politike për këtë. Deputetët përmes mosvotimit në seanca, po tregojnë se nuk janë pro votimit të fshehtë. Gjykata Kushtetuese përkundër që nuk e ka thënë prerazi nëse lejohet votimi i fshehtë, e ka lënë një nënkuptim që të veprohet sipas praktikave të mëhershme”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se moskonstituimi i Kuvendit e bën vendin që t’i humbë qindra-miliona euro.
Sipas tij, janë një sërë çështjes që e komplikojnë jetën e qytetarit e që varen nga konstituimi i Kuvendit.