Arbëri

Shahini: Prioritet e kam arsimin, duhet të ndërtohen mbi 10 shkolla

Besa Shahini - Kandidate për kryetare të Prishtinës

Kandidatja për kryetare të Prishtinës nga Partia Socialdemokrate, Besa Shahini, ka deklaruar se prioritet i garës së saj është çështja e arsimit. Ajo ka deklaruar të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së se aktualisht mësimi tërërditor në kryeqytet është i pamundshëm pasi tha se mungojnë objektet e nevojshme.

“Mësimi tërëditor është i domosdoshëm, por në Prishtinë s’po zbatohet sepse s’ka kushte. S’ka shkolla, s’ka metra katrorë të mjaftueshëm. Duhet t’i ndërtojmë të gjitha shkollat e nevojshme për të bërë mësimin me një ndërrim, me mbi 10 shkolla...Prioritet kryesor i garës sime në Prishtinë është ndërtimi i shkollave që mësimi të ndodhë me një turn dhe brenda shkollës t’i bëjmë të gjitha gjërat për sigurinë e fëmijëve dhe për arsimimin e tyre”, ka thënë Shahini.

Kandidatja për kryetare të Prishtinës ka shtuar se shembull për arsimimin e ka Tiranën, ku ka shërbyer si ish-ministre, derisa përmendi edhe mundësinë e shkollave verore, që pas përfundimit të vitit shkollor të përdoren për fëmijët “që të përfshihen në sporte dhe aktivitete të tjera”.

Shahini është shprehur se aktualisht kryeqyteti, i udhëhequr nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk i shërben qytetarëve, derisa tha se qyteti është i papastër dhe pa hapësira publike për rekreacion.

“Për zgjedhjet lokale pak e rëndësishme është partia, më e rëndësishme është ajo çfarë përfaqëson. Në këtë pikë, i kemi të qarta çfarë duam të arrijmë në qytet. Qytet që për momentin nuk i shërben qytetarit të vet, ne duam ta ndryshojmë këtë. Prishtina ka treguar se di t’i mbështesë kandidatët e sinqertë që kanë fituar besimin. I jam futur garës për të fituar, por do ta shohim pas 12 tetorit. Më intereson të kuptojë si qytetarët i shohin problemet që i kam identifikuar”, ka shtuar ajo.

Sipas Shahinit, qytetarët në Prishtinë janë të pakënaqur me situatën, por ajo shtoi se aktualisht ka përkeqësim të kësaj gjendjeje.

“Qyteti s’të lejon të ecësh, çdo qytet i mirë të jep mundësi të lëvizesh në këmbë, qytet që s’ka hapësira ku mund të çlodhesh. Njerëzit janë të pakënaqur pasi premtimet janë për përmirësim radikal të qytetit, që nuk ndodh. Njerëzit janë akoma më të pakënaqur dhe flasin për një përkeqësim...Kryetari aktual ka menduar t’i shtyjë përpara projekte të mëdha dhe ka lënë pas dore menaxhimin e gjërave të vogla...”, ka thënë kandidatja nga PSD-ja.

Sipas Shahinit, është e pakuptueshme që niveli komunal të ankohet tërë kohën për bllokim e sabotim nga niveli qendror “edhe nëse me të vërtetë ka anomozitet të madh dhe s’ka pajtueshmëri mes palëve”.