Arbëri

Shahini: Asnjë rast dëmtimi te foshnjat nga qumështi formulë, produktet e dyshimta po asgjësohen

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar se deri më tani nuk është shënuar asnjë rast ku foshnjat të kenë pësuar dëme shëndetësore nga përdorimi i qumështit formulë, pavarësisht alarmeve të fundit nga sistemi i Komisionit Evropian për disa produkte të dyshimta.

Muharrem Shahini nga AUV-i bëri të ditur se gjatë dy muajve të fundit Kosova ka pranuar njoftime të rregullta nga sistemi i alarmimit të Komisionit Evropian, lidhur me tërheqjen nga tregu të qumështit formulë “Aptamil”, me origjinë nga Gjermania, Holanda dhe Irlanda. Sipas tij, ky produkt është shpërndarë në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.

“Është gjetur një përbërje celuloide në këtë qumësht dhe për këtë arsye kemi marrë masa për ndalimin e tij nga tregu. Lajmi i mirë është se deri tash nuk kemi asnjë rast që ky qumësht i ka shkaktuar dëm ndonjë foshnjeje. Për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm, produktet po grumbullohen dhe po asgjësohen”, ka deklaruar Shahini në emisionin “SOT” të KTV-së të martën.

Ai shtoi se gjatë tre muajve të fundit janë asgjësuar edhe produkte të tjera të qumështit formulë, përfshirë marka si “Beba” dhe “Nestlé”, si masë parandaluese për sigurinë ushqimore.

Shahini ka ngritur gjithashtu shqetësimin për mungesën e inspektorëve në AUV, duke theksuar se aktualisht janë vetëm 72 inspektorë për gjithë territorin e Kosovës, ndërkohë që nevojiten rreth 200 për mbulim dhe kontroll efektiv të tregut.