Në kohën kur shfaqja e gjarpërinjve është shtuar, në disa qendra të mjekësisë familjare mungon serumi kundër helmit të tyre. Pa të aktualisht janë të paktën ato në Prishtinë dhe Gjakovë. Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thonë se është përgjegjësi e QKMF-ve që të kërkojnë furnizim
Arianita Hoti
Prishtinë, 6 qershor - Rritja e temperaturave ka rritur edhe rrezikun e kafshimeve të gjarpërinjve në zona gjelbëruese. E përballë këtij rreziku, sipas punonjëseve të paktën të dy qendrave mjekësore, mungon serumi kundër helmit të gjarprit.
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë është njëra nga to që nuk serum.
"Ne jemi ende në pritje të furnizimit me serum kundër helmit të gjarprit nga IKSHPK-ja. Kemi bërë kërkesë për furnizim dhe shpresojmë që, së paku për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, si dhe për QMF-në nr. 10 pranë parkut, Hajvalisë dhe Besisë, të sigurohen sasi të mjaftueshme në ditët në vijim", ka bërë të ditur Rushit Ismajli, mjek në QKMF-n e Prishtinës.
Mungesën e serumit e kanë konfirmuar edhe në QKMF-në e Gjakovës.
“Ne si Qendër e Mjekësisë Familjare kemi qenë të pajisur me dy doza të serumit kundër helmit të gjarprit, mirëpo atyre u ka skaduar afati. Aktualisht jemi në pritje të furnizimit të ri nga institucionet përkatëse", bëhet e ditur nga QKMF-ja në Gjakovë.
Faik Hoti zyrtar në Institutin Kombëtar i Shëndetësisë Publike thotë se përgjegjësia është te QKMF-të, pasi sipas tij, duhet të shtrojnë kërkesë për furnizim me serum.
"QKMF-të sikurse edhe për vaksina vijnë vetë dhe furnizohen sipas nevojave që i kanë, IKSHPK-ja i ka njoftuar dhe kjo është procedurë standarde që zbatohet rregullisht", ka theksuar Hoti.
Sipas profesoreshës së biologjisë, Linda Grapci, gjarpërinjtë sulmojnë vetëm kur ndihen të rrezikuar. Ajo shpjegon se pasojat mund të jenë të mëdha.
“Helmi i këtij lloji të gjarprit është shumë i fortë dhe shkakton efekte citotoksike dhe hemotoksike. Ai ndikon drejtpërdrejt në qelizat e trupit, duke shkaktuar dhembje të forta në vendin e kafshimit, por më pas edhe në pjesë të tjera të trupit", ka bërë të ditur Grapci.
Qytetarët e intervistuar në Parkun e Gërmisë thonë se shfaqja e gjarpërinjve në këtë hapësirë është e zakonshme, e madje edhe në qytet.
“Para disa ditësh, afër çerdhes së fëmijëve ku po ecja, i pashë dy bolla të mëdha. U frikësova shumë”, ka treguar Gani Sadiku.
Edhe Vesa Lamaxhanit i ka rastis të shoh gjarpërinj.
“Në staza më të larta më ka ndodhur të shoh ndonjëherë, mirëpo nuk kanë qenë të rrezikshëm. Jemi larguar, si ne ashtu edhe ata”.
Pas kafshimit të gjarpërinjve, nëse serumi nuk merret brenda disa orëve mund të shkaktojë vdekjen.